Nga Lorenc Vangjeli
Edhe sikur Edi Rama të ishte Jezu Krishti, i drejtë, i paanshëm, shenjt e shpresë e gjithë të varfërve; edhe sikur ministrat e tij të ishin si dishepujt e Krishtit, por pa Judën në mes; edhe sikur kundërshtarët e tij t’i kishin larë përfundimisht duart nga qeverisja e gjatë, si Pons Pilati para se të kryqëzohej Krishti, para se të dëshpëroheshin dishepujt e tij e të gëzohej Juda, pra, edhe sikur të ishte kështu, opozita ka gjithë të drejtën e Perëndisë dhe Demokracisë për të protestuar.
Edhe sikur sot të ishte realitet gjithë çfarë ishte thënë dhe Rama vetë e kishte thënë si fjalë e premtim dy e kusur vjet më parë, edhe sikur telajoja që kishte pasur në kokë dje, sot të ishte asfalt, shkollë e re, kopësht, medikament i shkëlqyer, sikur gjithë vendi të ishte oaz qetësie, madje edhe sikur shqiptarët të shkonin në plazh e të bënin plazh edhe tani në prag të Vitit të Ri, sikur të ardhurat e tyre mesatare në Xhyrë të Librazhdit të ishin sa ato të një alpini zviceran në kantonin e Xhuras, edhe sikur vetë Jozefina Topalli të kishte të njëjtën AND me një qengj pashke, edhe sikur një shok i Palokës ta donte kryeministrin sa do Paloka ish-kryetarin e PD-së, edhe sikur Albana Vokshi të duartrokiste Ilir Beqen, edhe sikur Noka të pinte kafe gjithë ditën me Tahirin, edhe sikur Imami t’i buzëqeshte Kodhelit, edhe sikur Grida të luante “Mos u Nxeh” me Vangjushin, edhe sikur Haxhinasto dje të ishte tërësisht i kënaqur me Haxhinaston sot, dhe madje, edhe sikur vetë Presidenti i Përgjithshëm i shqiptarëve, siç kanë dëshirë ta quajnë disa Doktorin, të pinte birrë në tavolinë me Ramën duke diskutuar për kohët e tij të lumtura të bashkëqeverisjes me Metën, pra, edhe në këto rrethana, edhe sikur vetëm Jozefina me AND-në e qengjit të pashkës të kishte mbetur si gishti i vetëm i një dore të bërë grusht në opozitë përballë Taulantit, sërish një protestë ja vlen gjithsesi.
Sepse është e shëndetshme për të gjitha palët.
Eshtë e shëndetshme për opozitën sepse është një lloj fiskulture që ja mban muskujt në formë, militantët me shpresa dhe shpresën të karikuar për më mirë;
Eshtë e shëndetshme për maxhorancën sepse i kujton kohën kur ka qenë në opozitë, sepse e bën më të kujdesshme, sepse e ekuilibron, e qorton, e korrigjon, i jep një matës të temperaturës së publikut.
Eshtë e mirë për publikun sepse kujt është “korrekt” politikisht, i kujton kohën kur ka qenë keq dhe anasjelltas, kush është keq, kujton, mendon dhe beson njëlloj si Krishti se nuk i duhet bërë tjetrit, atë që nuk do të doje të ta bënin ty!
Fotografia e qeverisjes shqiptare nuk ngjan shumë me pikturën e famshme të da Vinçit. Të gjithë ministrat e kabinetit të sotëm qeveritar, në të vërtetë janë dishepuj të Ramës, edhe pse Rama dhe Krishti nuk kanë gjë të përbashkët. Para së gjithash, në këtë moment të qeverisjes së të dytit, i ndajnë nja 2048 vjet nga dita kur lindi i Pari. I ndan edhe fakti që njëri kishte vetëm pushtetin e fjalës dhe është ende në pushtet, kurse i dyti tenton të forcojë pushtetin e tij me fjalë që vijnë para shembullit që duhet të përshkruajnë fjalët.
Nëse i Pari e bënte mrekullinë dhe të tjerët e shihnin, i dyti premton mrekullinë, por do ende kohë që të tjerët ta shohin.
As fotografia e opozitës nuk është idilike, natyrisht. Opozita e Bashës, Berishës, Topallit, Vokshit e të tjerë, e të tjerë, nuk është e duruar në kufinjtë e numrave të saj të tkurrur, por kërkon të rivijë në pushtet nëpërmjet të njëjtës e të vetmes rrugë që njeh dhe që njihet në Shqipëri. “Nuk jemi më të mirë se ata, por ata janë më të këqinj se ne”!
Asgjë nuk ngjan me shpresën e krahasimeve të nisura me “sikur”. As të ardhurat për frymë në Xhyrë të Librazhdit, anës Shkumbinit nuk janë sa të ardhurat e Alpinëve zviceranë në Xhurë, diku ndanë rrjedhës së Renit, edhe Albana i refuzon aspirinat e Beqes, madje edhe Haxhinasto dje nuk është i kënaqur me Haxhinaston sot.
Ka vetëm një problem që bie në sy, ndër shumë problemet e pafundme që të zenë sytë në Shqipërinë që pardje ëndërronte të bëhej Zvricra e Ballkanit, dje ishte e sigurt në vend të dytë mbas Gjermanisë dhe sot po krahasohet të djeshmen e të pardjeshmen sepse nuk ka qenë kurrë as Zvicër dhe as Gjermani dhe është trashëguar aq keq nga e shkuara sa dhe Merkeli po ta qeveriste, do të bënte me siguri më pak se Rama. Pra ka një problem dhe ai qëndron tek vezët e Agron Dukës. Vezë me një shije të përkryer, cilësi të garantuar; një sprovë e tejkaluar dhe provuar në vite për të mirat e pafundme që afron ky produkt pule pa ndërhyrje të gjelit, që mbi të gjitha është shëndosh zërin. Kush provon vezët opozitare të Dukës, veç vlerave të padiskutueshme ushqimore që merr, veç njollës së paheqshme në uniformën e policit ku qëllon, fiton zë buçitës si të Doktorit, flet si Doktori, sillet si Doktori e ndoshta (kjo është ende e paprovuar) edhe godet si Doktori. Por kaq, ama! Nuk duhet kërkuar më shumë, nuk duhet kërkuar mrekullia nga ato vezë sepse thjesht nuk bëjnë dot mrekulli: ato mund të rrisin volumin e zërit protestues, por jo logjikën se pse protestohet, pse duhet të protestohet dhe si duhet të protestohet. Dhe mbi të gjitha, edhe nëse e bëjnë Dukën kryetar partie, ato nuk bëjnë tjetër kënd më të sinqertë. Sepse çfarë i duhet kësaj opozite sot dhe çfarë i është dashur dëshpërimisht të gjitha opozitave në Shqipëri, ka qenë pak, fare pak sinqeritet. E ndoshta edhe pak më shumë modesti, sakrificë e përunjësi dhe shumë më pak arrogancë. Sepse si rregull dhe jo si përjashtim, arrogant në Shqipëri nuk është vetëm pushteti ndaj të cilit protestohet.