Parlamenti ashtu sikurse pritej ka pasur në qendër të debateve të tij zgjedhjet vendore. Pas dy javësh pushim, deputetët janë rikthyer të flasin për procesin e zgjedhjeve vendore. Ka qenë deputeti i PD Astrit Patozi i cili edhe këtë radhë nuk i ka kursyer kritikat për kreun e LSI-së Ilir Meta, në një kohë që zgjedhjet në bashkinë e Vorës janë ankimuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në fjalën e tij, Patozi ngriti shqetësimin se megjithëse PD fitoi zgjedhjet në këtë bashki, por Meta po përpiqet që ta marrë në tavolinë.
“Kandidati i PD rezultoi fitues me gjithë represionin e qeverisë. Meta do ta rrëmbejë në tavolinë fitoren e PD në vorë. PD po akuzohet se i ka vjedhur vota Ilir Metës. KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor në ndikimin e Ilir Metës nuk ke cfarë ti bësh. Rastisa të takohem me ambasadoren e BE në Vorë e cila ishte e rrethuar nga forca speciale të LSI që i kontrollin dokumentet njerëzve se kush do të votonte e kush jo. Ne nuk kemi nevojë as për mëshirën dhe shpirtëbutësinë e Ramës dhe Metës nëse do të kishte një problem me zgjedhjet do ti thonim ta conin deri në fund misionin e tyre. Ju bëftë pushka top për Vorën. Bashkë me ju dhe atyre anëtarëve të kolegjit, dhe pasi ta keni grabitur në sy të të gjtihëve mos u ndalni, merrni dhe ato bashki që ju kanë ngelur. Mbase kështu i zbutet inati Ilir Metës për Ramën që është shndërruar në tragjedi. Këto ishin zgjedhje të pista që nuk do ta kemi të lehtë ta vërtetojmë, ishin një pushtim i butë ku PS-LSI ndërhynë me arrogancë por duke lënë edhe ishuj të qetë zgjedhur në ato zona ku fitorja e tyre ishte vulosur që në kohën e Shefqet Tërmet Pecit. Ka shumë njerëz që thonë se LSI është kanceri i Shqipërisë. Edhe LSI edhe Meta janë produkte Made in Albania. Unë besoj se LSI nuk është sëmundje, është krijesë. Nuk është e ndershme ti shpallet luftë LSI që në kushtet e kënetës rritet më shumë se të tjerët. Duhet të ndryshojmë ambientin mocalor që të shpëtojmë nga sëmundja. Dhe ne kemi përgjegjësitë tona në këtë kandtadisje për shumicën e të cilave nuk kemi kërkuar falje.” u shpreh Patozi
Por në fjalën e tij, Patozi nuk ka kursyer kritikat as ndaj partisë së tij. Deputeti pranoi se PD i ka humbur zgjedhjet, por kjo nuk do të thotë se qeveria ka fituar. Sipas tij këto ishin zgjedhje të pista, edhe pse tashmë është e vështirë që t’i provosh.
Patozi tha se PD i ka humbur qartësisht zgjedhjet vendore, dhe se të thuash se ke fituar është njësoj sikur të bësh orkestër në një kohë që të gjithë dasmorët kanë vdekur.
“Ne i humbëm qartësisht, por edhe qeveria nuk i fitoi dot zgjedhjet e 21 qershorit. Nuk ka asnjë nonsens logjik në këtë përfundim, sepse ka ndodhur edhe here të tjera, që betejat të mbyllen pa fitues. Natyrisht, që në letër qeveria ka arritur një rezultat të mirë, por edhe ajo vetë nuk po i gëzohet dot numrave. Dhe kjo, jo thjesht se Ilir Meta bën sikur i ka ngelur qejfi me Edi Ramën, sepse gjoja paska kapur në flagrancë udhëheqës socialistë, që nuk kanë rënë ende në dashuri me LSInë, dhe kjo në ditët e sotme qenka e barazvlefshme me “krim kundër njerëzimit”. Këto ishin zgjedhje të këqija, dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për to. Natyrisht, kjo nuk e përligj humbjen tonë, e cila sa më shumë të fshihet, aq më tepër do të rendonte mbi shpinën e kërrusur të opozitës. Besoj se nuk duhet shumë kurajo per të pranuar një të vërtetë, apo atë që e shohin dhe e prekin të gjithë, sepse është vetë aritmetika, si shkencë ekzakte, që nuk të lë shumë mundësi interpretimi. Por jo të gjithë e kanë këtë ndjenjë realizmi. Kam degjuar këto ditë, jo pa neveri, edhe tipa, që megjithëse vinin nga nje humbje e drejtpërdrejte ne terren, flisnin me entuziazem per rritje te ndjeshme te opozites dhe Partise Demokratike ne gjithe vendin. Dhe kam menduar per nje cast se cfare duhet te bente, fjala vjen, Frani, qe ka fituar ne Lezhe, ne rast se do te ishte i pacipe. Duhet te merrte nje mitraloz 12.7 mm dhe te qellonte ne sheshin “Skenderbej”, ndoshta. Por Frani, mendoj unë, nuk ndihet” tha ai.









