Këtë ndjesi, për fat të keq, nuk e pata kurrë.
Në një analizë të thjeshtë, madje edhe thjesht empirike, përgjigjja duket relativisht e qartë. Narrativat kanë qenë të cekëta, pa thelb dhe të ndërtuara mbi batutat e ditës. Batuta që mund të prodhojnë duartrokitje për një mbrëmje, por jo bindje politike për një dekadë.
Në tërësi, këto batuta-narrativë nuk kanë mbajtur, sepse realiteti u ka dhënë shuplaka të forta, madje shumë të forta.
Padyshim, kryeshpulla ka qenë dhe mbetet përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kjo ka goditur keq dhe shumë keq jo vetëm batutat-narrativë të “narkoshtetit”, “Ramaduro-s”, “Ramaformës” e të tjera të këtij lloji, por ka goditur në themel një pjesë të konsiderueshme të narrativës së opozitës politike. Aq sa sot opozita është përballë një dileme ekzistenciale: “To be or not to be”.
Problemi është se narrativat e opozitës kanë qenë kryesisht reaguese dhe denoncuese, jo frymëzuese për të ardhmen.
Nga opozita ka dalë, mbi të gjitha, modeli i kallëzuesit politik dhe publik. Kallëzuesi që denoncon, kallëzon, akuzon dhe pret që kundërshtari të rrëzohet përmes një procesi penal.
Por këtu lind ironia më e madhe.
Kallëzuesit politikë kanë ushtruar misionin e tyre pikërisht përpara një drejtësie që, në narrativën tjetër të së njëjtës opozitë, akuzohet si e kontrolluar nga armiku politik Edi Rama.
Pra, brenda së njëjtës ditë, e njëjta drejtësi mund të jetë edhe instrument i kapur nga Rama, edhe arbitri i drejtë që duhet të ndëshkojë kundërshtarët e tij.
Kjo nuk prodhon besueshmëri. Prodhon lodhje. Dhe për ironi, horoskopi frymëzon më shumë.
Sepse të paktën horoskopi të tregon se çfarë mund të presësh nesër. Opozita të tregon vetëm çfarë nuk duhet të pëlqesh sot.
Së fundi, por jo për nga rëndësia, narrativa kritike e opozitës ka qenë dhe mbetet e fokusuar tek personi Edi Rama, jo tek politikani Edi Rama.
Ky është ndoshta një nga gabimet më të mëdha.
Për ta sulmuar Ramën, opozita ka përdorur shpesh modele të sjelljes politike që vetë ajo i ka ushtruar kur ka qeverisur.
“Rama bandit”. Por kur në llogarinë e tij politike nuk gjendet një i vrarë apo një i zhdukur pa lënë gjurmë, etiketa bëhet e pabesueshme.
“Rama dhunues i medias”.
Por kur nuk ke përballë një realitet ku redaksi gazetash digjen nga SHIK-u apo policia, edhe kjo narrativë humbet fuqinë e saj.
Nuk është problemi vetëm që këto akuza janë të ekzagjeruara. Problemi është se ato nuk e shpjegojnë Ramën.
Dhe këtu qëndron defekti më i madh i opozitës: refuzimi i përhershëm për ta njohur Ramën si kundërshtar politik.
Është më e lehtë ta quash “bandit”, “kriminel”, “narkoshtet” apo “Ramaduro”, sesa të ulesh dhe të kuptosh se ku qëndron forca e tij politike, ku cedon, çfarë e bën të suksesshëm dhe, mbi të gjitha, si mund të mundet politikisht.
Sepse një kundërshtar që nuk e njeh, nuk mund ta mundësh.
Mund vetëm ta shash. Dhe një narrativë që ekziston vetëm për ta bërë pis kundërshtarin, në fund bën pis vetëm veten.
Nuk është e thjeshtë, natyrisht.
Rama është ndoshta politikani më utilitar i hapësirës politike shqiptare. Ka pak ose aspak nga ato barriera të moralit tradicional që zakonisht vendosen përpara një politikani. Pikërisht kjo ka qenë një nga burimet e suksesit të tij.
Ai nuk ka pasur nevojë të bëjë betejë me çdo gjë që politika tradicionale e konsideron të papranueshme.
Nuk e ka pasur problem të bashkëpunojë me njerëz që një ditë më parë i konsideronte kundërshtarë. Nuk e ka pasur problem të dalë edhe “lakuriq” nga një situatë politike, nëse kjo i shërben objektivit të radhës.
Në politikën e Ramës, mjetet nuk kanë domosdoshmërisht ngjyrë.
As paraja dhe as njerëzit që e mbajnë atë.
Kush ka burime dhe është i gatshëm t’i përdorë për një projekt, mund të jetë i dobishëm. Por kjo nuk do të thotë se Rama jep automatikisht garanci morale për legjitimitetin e burimit apo të bartësit të tij.
Ky është utilitarizëm politik. Dhe kjo, në vetvete, nuk të bën domosdoshmërisht “narkoshtet”.
Të bën një utilitar politik të paskrupullt, i cili nuk ka nevojë të vrasë apo të zhdukë njerëz për të ushtruar pushtet të fortë politik.
Ky është pikërisht dallimi që opozita nuk ka arritur ta bëjë.
Rama nuk është proceduralist.
Dhe për këtë arsye është defektoz në shumë punë të shtetit, sidomos aty ku burokracia, procedura dhe administrimi kërkojnë durim dhe disiplinë institucionale.
Por pikërisht kjo mungesë proceduralizmi e ka bërë edhe më të drejtpërdrejtë, më të kuptueshëm dhe, për shumë njerëz, më popullor.
Kjo nuk e bën domosdoshmërisht burrë shteti.
E bën një politikan efektiv.
Dhe këtu duhet të fillojë analiza e opozitës.
Rama nuk është njeri që trembet nga protesta. Në një farë mënyre, ai edhe argëtohet me të.
Madje protesta e dhunshme, kur nuk shoqërohet me një alternativë politike të besueshme, i shërben.
Sepse përballë protestuesit që përsërit të njëjtën batutë politike, policia mund edhe të çarmatoset, ndërsa përballë një kundërshtari që ka një ide, një projekt dhe një shumicë të mundshme shoqërore, loja do të ndryshonte krejtësisht.
Prandaj edhe protesta e opozitës shpesh duket më shumë si një performancë televizive sesa si një proces politik Edhe emisionet e humorit kanë prodhuar batuta më jetëgjata se opozita politike.
Opozita nuk humbet sepse Rama është i pamposhtshëm. Humb sepse ende nuk ka arritur ta shpjegojë pse Rama fitoi.
Nuk mjafton të thuash se ai është i korruptuar, por duhet të shpjegosh pse një pjesë e shoqërisë vazhdon ta votojë. Nuk mjafton të thuash se është autoritar. Duhet të shpjegosh pse shumë njerëz nuk e perceptojnë kështu. Nuk mjafton të thuash “narkoshtet”. Duhet të ndërtosh një shtet alternativ që qytetari ta imagjinojë dhe ta dëshirojë.
Nuk mjafton të denoncosh.Duhet të frymëzosh.
Nuk mjafton t’i thuash qytetarit se çfarë është keq.
Duhet t’i tregosh çfarë do të jetë mirë.
Dhe mbi të gjitha, duhet të ndërtosh një Shqipëri që ekziston në imagjinatën e qytetarit përpara se t’i kërkosh votën.
Kjo është ajo që mungon.
Një opozitë që e njeh kundërshtarin, por nuk e kopjon.
Një opozitë që e kritikon qeverisjen, por nuk ndërton identitetin e vet vetëm mbi urrejtjen ndaj qeverisë.
Një opozitë që nuk ka nevojë ta quajë çdo ditë Ramën “bandit”, sepse ka një argument shumë më të fortë: “Unë mund ta bëj këtë vend më mirë se ai.”
Deri atëherë, për fat të keq, edhe horoskopi do të mbetet më frymëzues se narrativat e opozitës politike.










