Chelsea ka konfirmuar se për kushtet e transferimit të pronësisë është rënë dakord me Todd Boehly, i cili ka përfunduar blerjen e klubit londindez për 4.25 miliardë stërlina. Konsorciumi i Boehly u emërua si ofertuesi i preferuar për të marrë përsipër trashëgiminë e “Stamford Bridge” nga “Raine Group”, banka amerikane që po mbikëqyr shitjen.
Ai ka bashkëpunuar me pronarin tjetër të “Dodgers”, Mark Walter, miliarderin zviceran Hansjorg Wyss, si dhe firmën e investimeve “Clearlake Capital”. Boehly mposhti në këtë “ankand” konkurrencën e konsorciumit të kryesuar nga Stephen Pagliuca dhe Sir Martin Broughton, madje edhe një ofertë të vonuar prej 4.25 miliardë stërlinash, bërë nga njeriu më i pasur i Britanisë, Sir Jim Ratcliffe.
Shefi ekzekutiv i “Eldridge Industries”, Boehly, ishte në Londër të premten mbrëma dhe pritet të marrë pjesë në ndeshjen e Chelsea në Premier League me Wolves në “Stamford Bridge”, të shtunën.
Chelsea konfirmoi në faqen e tij zyrtare, në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, se Boehly dhe konsorciumi i tij mund të blejnë klubin, pas miratimit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Në deklaratë thuhej: “Klubi i Futbollit Chelsea mund të konfirmojë se për kushtet e shitjes është rënë dakord me një grup të ri pronësie, të udhëhequr nga Todd Boehly, Clearlake Capital, Mark Walter dhe Hansjoerg Wyss. Ata do ta blejnë klubin.
Nga investimi total i bërë, 2.5 miliardë stërlina do të aplikohen për blerjen e aksioneve të klubit dhe të ardhurat e tilla do të depozitohen në një llogari bankare të ngrirë në Mbretërinë e Bashkuar, me synimin për të dhuruar 100 për qind për qëllime bamirësie, siç konfirmohet nga Roman Abramovich.
Do të kërkohet miratimi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të ardhurat të transferohen nga llogaria bankare e ngrirë e Britanisë së Madhe. Përveç kësaj, pronarët e rinj të propozuar do të angazhojnë 1.75 miliardë stërlina investime të mëtejshme për të mirën e klubit.
Kjo përfshin investime në “Stamford Bridge”, Akademi, ekipin e femrave dhe financimin e vazhdueshëm për “Fondacionin Chelsea”. Shitja pritet të përfundojë në fund të majit, duke iu nënshtruar të gjitha miratimeve të nevojshme rregullatore. Më shumë detaje do të jepen në atë kohë”.