Nga Artan Fuga
Sytë e Guljelm Radojës ishin sa njëmijë role vetëm me një vështrim! Vetëm një sekondë e vështrimit të tij kishte njëmijë herë më shumë dinjitet se një autobuz fizarmonikë mbushur dingas me nga ata që në rol janë asgjë, përsërisin 45 vjet rresht veten, dhe si qytetarë janë në role mediokrish të përbuzshëm!
Ike mik ike, nuk do të më japësh më rastin që sa herë të shihja në Durrësin tonë a Tiranë, rendja drejt e teje e të thosha :
Ti je shumë, shumë i madh, e di apo jo! Je shumë i madh. Të përulem mjeshtër! Deri te këmbët!
Dhe ti qeshje me modesti, vështrimi bëhej fëminor, gjithmonë mospranues! Buzët i vije njerën mbi tjetrën dhe ndryshoje bisedë!
Kush kujdeset për njerëz si ty! Njerëz si ty me dinjitet vdesin shpejt, të parët, sepse nuk dinë të qurraviten, nuk kërkojnë t’u bëjnë pa radhë vaksinën ! Nuk zhgryhen! Ti e kishe turp të të quanin personalitet dhe t’u merrje radhën të tjerëve për të jetuar! !
Por sa të jetë vështrimi yt në mendjet tona, goditës ndaj dhelprave, krenar, shpotitës i së keqes, mosbesues ndaj lavirëve, tallës ndaj hipokritëve me dy faqe, përbuzës ndaj legenëve, do jesh!
Se ç’më erdhi një nostalgji për ty sot, duke dashur t’i them tët birit: E di se cilin ke pasur at, i dashur? Kujdes!
/a.r