Gjykata e Tiranës ka lënë në burg E. F., ish-bashkëshorti i 25-vjeçares Xhuana Nikolli, e cila u vetëvra disa muaj më parë. Ish-bashkëshorti i saj dyshohet se e ka shtyrë të renë drejt vetëvrasjes për shkak të dhunës sistematike që ushtronte ndaj saj.
Në gjykatë E. F., ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj ish-partneres së tij, vetëm një herë, një ditë përpara ngjarjes dhe jo sistematikisht. Ai ka shprehur gjithashtu pendesë për çfarë ka ndodhur dhe se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.
“Jam i penduar. U vetëdorëzova vetë, jam gati t’i përgjigjem drejtësisë për çfarë kam bërë. Jam në gjendje të rënduar psikologjike. Do të përballem me pasojat. Kam pasur debat me Xhuanën një ditë para ngjarjes dhe e kam goditur, por s’e kam dhunuar sistematikisht”, mësohet të ketë deklaruar E. F., në gjykatë.
Xhuana Nikolli ndërroi jetë në spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet më 10 mars pasi kishte konsumuar fostoksinë. Në trupin e pajetë të 25-vjeçares u konstatuan dhe shenja dhune.
E reja ishte gjetur në shtëpi në gjendje të rëndë nga shoqja e saj, e cila më pas kishte lajmëruar urgjencën. Shoqja e 25-vjeçares kishte dëshmuar para uniformave blu se Xhuana Nikolli dhunohet në mënyrë sistematike nga partneri i saj.
Çifti ishte martuar në qershor të vitit 2025, por ishin darë tre muaj më parë për shkak të konflikteve që kishin mes tyre.











