Durrësi vijon të jetë gjatë muajit tetor qendra e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, e cila në edicionin e saj të dytë ka bërë bashkë 45 artistë dhe 34 pavijone kombëtare nga vende të ndryshme të botës.
Aktiviteti, që zhvillohet nën temën “Periferia: Tranzicione pamore”, sjell në qytetin bregdetar artistë nga Italia, Gjermania, Kina, Brazili, Kosova, Togo, Uganda, Vietnami, Zelanda e Re dhe shumë vende të tjera, duke krijuar një hapësirë dialogu përmes artit bashkëkohor.

Ekspozitat dhe workshop-et janë shpërndarë në 11 hapësira kulturore të Durrësit, mes tyre ish-Vila Mbretërore, Hamami Mesjetar, Muzeu Kombëtar Arkeologjik, shtëpia e Aleksandër Moisiut, si edhe në hapësira publike të qytetit. Në këtë mënyrë, arti bashkëkohor ndërvepron me trashëgiminë historike dhe jetën e përditshme të Durrësit.
Pamje nga Bienalja ndau edhe kryeministri Edi Rama.
“Durrësi mirëpret edicionin e dytë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor 45 artistë, 34 pavijone kombëtare, nga Europa në Azi, Afrikë, Amerikën Latine e deri në Zelandën e Re, sjellin përgjatë muajit tetor artin bashkëkohor në 11 hapësira të qytetit” shkruan ai.












