Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë seancës plenare të së enjtes vonë (17 shtator) në Kuvend, se qeveria do të ndërmarrë një ligj të ri për pagat e magjistratëve, duke paralajmëruar fundin e praktikës së rritjes së pagave në mënyrë të ndërlidhur mes pushteteve.
Rama tha se duhet të ruhet balanca mes tre pushteteve dhe kundërshtoi ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese në diskrecionin e ligjvënësit.
“Ne kemi përgjegjësi ta forcojmë dinamikën e pushteteve, por duhet kufi. Janë tre pushtete, të pavarura, të ndërthurura.
Ligj i ri, për t’i dhënë fund kësaj historie, që e ka zanafillën e vet kur nuk u përcaktua koha se kur piramida do të balancohej. Nuk u tha qartë e troç që ju do të merrni këtë tani, shumë më tepër se reforma kërkon sforco, por ama s’do të jetë rritje permanente. Se do të bëhej shteti i parë në botë, ju sfidoj në 2 mijë vitet e fundit, me një sistem ku gjykatësit janë mbi të gjithë.
Kur flas për ligjin e ri, kemi nisur kontaktet me KIE-n, Komisionin Europian për Eficiencën e Drejtësisë. I kam pritur këta që i kishit në komision. Bëmë takim, e organizuam sipas dëshirës dhe kushteve, që të flasim të gjithë, për të thënë që ka një problem. Nuk mund të kthehet në konflikt pushtetesh”, u shpreh kryeministri.
Dhe më tej ai shpjegoi se Kushtetuesja nuk thotë në vendimin e saj se si të veprohet, sepse atë tagër e ka Kuvendi.
“Që nesër të bëjmë dikur, si u urdhërua policia, mos ekzekutoheshin vendimet e prokurorisë? Do të bëjmë ligj të ri, ka një sërë mënyrash për ta bërë.
Por kjo historia, sa herë rritet një pagë këtu, të rritet dhe atje, duhet të marrë fund.
Kurrë, një Gjykatë Kushtetuese nuk i thotë dot një ligjvënësi: ‘Çoje ti dorën kështu, se e vendosa unë’. Dakord. Nuk e ka thënë në këtë rast, e ka lënë në diskrecion të plotë.
Nuk i vihen Kuvendit afate. Është nonsens, përveçse anëtarëve të vet, kur mblidhet e çfarë do të mblidhet”, tha ai.











