Mikpritjen shqiptare duhet ta njohë dhe përjetojë e gjithë bota. Këshilla në formë detyrimi vjen nga drejtoresha e panairit më të madh të turizmit në botë ITB Berlin Deborah Rothe.
Në një intervistë ekskluzive për radiotelevizionin shqiptar ajo tregon edhe shkaqet pse Shqipëria u përzgjodh si vendi mikpritës i këtij panairi në 2025.
“Që në vizitën time të parë në Shqipëri, një vit më parë në Tiranë, më ra në sy dhe e ndjeva mikpritjen e vendit dhe të njerëzve. Është një ndjenjë e ngrohtë, ndihesh shumë i mirëpritur dhe ke mundësi të vendosësh kontakt direkt me njerëzit. Për mua personalisht, kjo është esenca e një mikpritjeje të mirë. Kjo ka bërë që ne të marrim këtë vendim dhe që Shqipëria të vendoset në fokusin tonë si një nga të paktat vende të rëndësishme për ne që mund të ishte mikpritëse në ITB Berlin dhe njëkohësisht e të gjithë industrisë botërore të turizmit te ne, në qendrën tonë të panaireve në Berlin. Si vend mikpritës i ITB Berlin, je njëkohësisht mikpritës i gjithë botës, që do të thotë e gjithë industria e turizmit, dhe këtu kam parasysh gati 100 mijë njerëz nga e gjithë bota që do të udhëtojnë në Berlin për ta përdorur panairin si platformë nxitëse për bizneset e tyre”, deklaroi Rothe.
Drejtuesja e Panairit më të madh të turizmit në botë thekson se ka nevojë ende për përmirësime në kuadër të turizmit por gjithsesi vendi është në rrugën e duhur.
“Është shumë e rëndësishme të përgatisni infrastrukturën, mbi të gjitha për turistët ndërkombëtarë. Ne e vëmë re se disa po bëhen gati me shpejtësi si aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës, apo rikonstruksioni i linjës hekurudhore, në mënyrë që tu jepet mundësia edhe turistëve të udhëtojnë brenda vendit, që të mos mbeten të detyruar të presin makinën apo autobusin, port ë lëvizin në mënyrë të lirshme në vend. Besoj se kjo infrastrukturë është kryesore mes nevojave dhe detyrimeve për ti mirëpritur turistët ndërkombëtarë.
Ajo që ndjej unë është një pasion i madh, pasion për vendin, për ta prezantuar atë tek të huajt me të gjitha bukuritë e tij, shpirtin e shqiptarëve por sidomos këtë shumëllojshmëri që e përshkrova më sipër. Ky është edhe thelbi i nevojshëm i asaj që duhet të shkruhet mbi Shqipërinë në media, që të kuptohet se si funksionon ky vend, që të kuptohet se sa të hapur dhe se sa mendje hapur për më tepër janë këta njerëz që janë shumë të lumtur të përshëndesin botën e turizmit ndërkombëtar”, u shpreh më tej ajo.
Shqipëria ka përgatitur një program dhe ofertë të mirëmenduar për të qenë e denjë në këtë shans të madh të dhënë për tu përfaqësuar para botës gjigande të turizmit.
Intervista e plotë:
Ne shqiptarët na quajnë mikpritës të mirë, por çfarë do të thotë që Shqipëria është vendi mikpritës në panairin e ardhshëm të turizmit në Berlin?
Që në vizitën time të parë në Shqipëri, një vit më parë në Tiranë, më ra në sy dhe e ndjeva mikpritjen e vendit dhe të njerëzve. Është një ndjenjë e ngrohtë, ndihesh shumë i mirëpritur dhe ke mundësi të vendosësh kontakt direkt me njerëzit. Për mua personalisht, kjo është esenca e një mikpritjeje të mirë. Kjo ka bërë që ne të marrim këtë vendim dhe që Shqipëria të vendoset në fokusin tonë si një nga të paktat vende të rëndësishme për ne që mund të ishte mikpritëse në ITB Berlin dhe njëkohësisht e të gjithë industrisë botërore të turizmit te ne, në qendrën tonë të panaireve në Berlin.
Por çfarë do të thotë për Shqipërinë të jetë në këtë rol në Berlin?
Si vend mikpritës i ITB Berlin, je njëkohësisht mikpritës i gjithë botës, që do të thotë e gjithë industria e turizmit, dhe këtu kam parasysh gati 100 mijë njerëz nga e gjithë bota që do të udhëtojnë në Berlin për ta përdorur panairin si platformë nxitëse për bizneset e tyre.
Kështu që Shqipëria ka mundësinë të përfaqësohet kudo, të prezantojë kudo diversitetin e saj dhe këtu kam parasysh çdo aspekt të vendit.
Këtë po e bëjmë së bashku me fushatën All Senses, që gjithashtu do të thotë se Shqipëria duhet të prezantohet e plotë me gjithçka ofron, destinacione dhe njerëzit e saj, me historinë dhe kulturën. Gjithçka që Shqipëria ofron mund të reklamohet në Panairin e Berlinit në mënyrë të dukshme dhe të prekshme.
Ju e njihni mirë biznesin e turizmit, besoni se Shqipëria e ka potencialin për të marrë përsipër një rol të tillë?
Absolutisht që po dhe unë e dalloj në bashkëpunimin e gjatë që kam me ministrinë e turizmit, me sipërmarrësit privatë, me ta kishim sot një takim shumë të frytshëm ku rrahëm mendime se si mund të prezantohet Shqipëria më mirë në Panair, si mund të shfaqet sa më mirë në Panair mikpritja shqiptare, në mënyrë që bota të udhëtojë dhe të vizitojë Shqipërinë që ta njohin këtë vend nga afër.
Vjet patëm 10 milionë turistë, këtë vit besojmë të kemi rreth 14 milionë, ka një rrezik që të bëhet shumë dhe e papërballueshme apo Shqipëria i ka mundësitë?
Shqipëria ja doli sidomos gjatë dhe pas kohës së pandemisë që të prezantohej si një vend shumë i sigurt dhe mendjehapur e kjo silli si rezultat edhe më shumë turistë. Ajo që bie në sy njëkohësisht me këtë trend është që turistët janë të përhapur shumë thellë në të gjithë vendin. Kjo do të thotë se nuk ka një sezon kohor dhe gjeografik të përcaktuar qartë, nuk ka një kalendar nisjeje dhe përfundimi gjatë vitit, por përkundrazi kemi një shpërndarje gjithëvjetore dhe në të gjithë vendin. Ka mjaftueshëm vend dhe hapësira për shumë njerëz dhe po ashtu ka mjaftueshëm mundësi për tu prezantuar si me malet ashtu dhe në det dhe plazhe. Kjo shumëllojshmëri e vendit, vlerësohet me të drejtë dhe nga turistët dhe ndaj edhe vijnë.
Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët që të jenë më mirë të përgatitur për turizmin?
Është shumë e rëndësishme të përgatisni infrastrukturën, mbi të gjitha për turistët ndërkombëtarë. Ne e vëmë re se disa po bëhen gati me shpejtësi si aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës, apo rikonstruksioni i linjës hekurudhore, në mënyrë që tu jepet mundësia edhe turistëve të udhëtojnë brenda vendit, që të mos mbeten të detyruar të presin makinën apo autobusin, port ë lëvizin në mënyrë të lirshme në vend. Besoj se kjo infrastrukturë është kryesore mes nevojave dhe detyrimeve për ti mirëpritur turistët ndërkombëtarë.
Ju u takuat me kryeministrin dhe ministren e Turizmit, me çfarë ndjesish largoheni?
Ajo që ndjej unë është një pasion i madh, pasion për vendin, për ta prezantuar atë tek të huajt me të gjitha bukuritë e tij, shpirtin e shqiptarëve por sidomos këtë shumëllojshmëri që e përshkrova më sipër. Ky është edhe thelbi i nevojshëm i asaj që duhet të shkruhet mbi Shqipërinë në media, që të kuptohet se si funksionon ky vend, që të kuptohet se sa të hapur dhe se sa mendje hapur për më tepër janë këta njerëz që janë shumë të lumtur të përshëndesin botën e turizmit ndërkombëtar.
Por a i gëzohet Shqipërisë edhe Berlini edhe Panairi i turizmit?
Patjetër, jemi shumë të lumtur që kemi këtë bashkëpunim më ministrinë, kemi zhvilluar një fushatë shumë të bukur së bashku dhe mezi po pres mbrëmje hapëse gala, ku Shqipëria në skenë do të jetë me të gjithë traditat e saj për të prezantuar më së miri këtë vend të bukur.
/a.r