Drejtori i CIA-s John Brennan ka zhvilluar një vizitë surprizë në Tiranë. Ai është takuar me Presidentin Nishani, kryeministrin Rama, ministren Kodheli, drejtues të inteligjencës shqiptare dhe Drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Çako.
Zyrtarisht Ambasada e SHBA njofton se në takime është diskutuar për çështje të sigurisë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, si dhe çështje të tjera dypalëshe.
“Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan vizitoi Shqipërinë për t’u takuar me drejtues të ndryshëm dhe për të diskutuar një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe.
Gjatë vizitës së tij, Drejtori Brennan u takua me Kryeministrin Rama, Presidentin Nishani, Ministren e Mbrojtjes Kodheli, dhe drejtues të komunitetit të inteligjencës” thuhet në njoftimin e ambasadës.
Edhe Mimi Kodheli shprehet se në qendër të diskutimit ka qenë terrorizimi dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Sot në Tiranë me drejtorin e CIA John O. Brennan për çështje të sigurisë rajonale, luftën kundër terrorizmit dhe marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-SHBA” shkruan Kodheli në faqen e saj në Facebook, ndërsa statusin e shoqëron me foto të takimit.
Ndërsa në takimin me drejtorin e Policisë së Shtetit, Drejtori i CIA Brennan ka vlerësuar bashkëpunimin, veçanërisht me Drejtorinë e Anti-terrorit.
“Ky bashkëpunim ka dhënë rezultate pozitive në ndjekjen e çështjeve të përbashkëta.
Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me agjencitë te tjera brenda dhe jashtë vendit është për t’u marrë shembull” theksoi Brennan.
Brennan siguroi për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit nga ana e CIA-s. Drejtori Çako ka falënderuar Brennan për mbështetjen dhe bashkëpunimin veçanërisht në fushën e terrorizmit si dhe siguroi Drejtorin e CIA-s se puna për rritjen e kapaciteteve në mbrojtje të sigurisë kombëtare, lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë prioritete kryesore të Policisë së Shtetit.
Në këtë takim Çako shoqërohej nga zv. Drejtori Rebani Jaupi dhe Drejtori i Anti-terrorit Gledis Nano. Lajmi për vizitën e John Brennan u mbajt ‘top secret’ dhe u bë i ditur nga ambasada e SHBA vetëm pas largimit të tij nga Shqipëria.