Publikimi i mbi 3 milionë faqeve dokumente të lidhura me Jeffrey Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka shkaktuar një tërmet të vërtetë global. Edhe pse vetëm ish-Princi Andrew po përballet drejtpërdrejt me pasoja ligjore në lidhje me akuzat seksuale, lista e njerëzve të fuqishëm që po humbasin punën dhe reputacionin për shkak të miqësisë me abuzuesin e dënuar seksual po zgjerohet çdo ditë.
Nga politikanët evropianë tek udhëheqësit e korporatave në Lindjen e Mesme dhe Amerikë, ja kush po vuan pasojat e “Dosjeve Epstein”:
Gjiganti i logjistikës DP World (Dubai). Kryetari Sultan Ahmed bin Sulayem u zëvendësua pasi u publikuan emailet ku ai dhe Epstein diskutonin për eskortat dhe përdornin gjuhë të papërshtatshme. Në një email të 2013-ës, Epstein e quante atë “një nga miqtë e mi më të besuar”.
Goldman Sachs (SHBA). Kathy Ruemmler, drejtoresha ligjore e bankës dhe ish-këshilltare e Barack Obamës, dha dorëheqjen pasi u zbulua se kishte marrë dhurata luksoze nga Epstein dhe e quante atë “xhaxhai Jeffrey”. Ajo do të largohet zyrtarisht në qershor.
Firma ligjore Paul, Weiss (SHBA). Brad Karp dha dorëheqjen si kryetar i kësaj firme prestigjioze pas publikimit të një emaili ku e falënderonte Epsteinin për një mbrëmje “një herë në jetë” në vitin 2015.
Ish-Princi Andrew (tani i njohur si Andrew Mountbatten-Windsor), i cili tashmë ishte zhveshur nga titujt mbretërorë, ndodhet në qendër të një tjetër stuhie. Dosjet e reja tregojnë një thellësi lidhjesh që shkojnë përtej akuzave të mëparshme, duke përfshirë pretendimet se ai i dërgonte informacione konfidenciale tregtare Epsteinit në vitin 2010.
Pallati i Buckingham ka njoftuar se Mbreti Charles III është i gatshëm të bashkëpunojë me policinë nëse hapet një hetim zyrtar.
Skandali nuk ka kursyer as elitën politike evropiane, duke shkaktuar dorëheqje të njëpasnjëshme:
Mbretëria e Bashkuar- Ambasadori britanik në Uashington, Peter Mandelson, u shkarkua dhe po përballet me një hetim penal për ndarje të mundshme të informacioneve të tregut me Epstein. Kjo ka vënë në rrezik edhe pozicionin e Kryeministrit Keir Starmer, i cili e kishte emëruar atë.
Norvegjia- Ky shtet është ndoshta më i godituri. Ish-kryeministri Thorbjørn Jagland po hetohet për “korrupsion të rënduar” dhe banesa e tij është bastisur. Ndërkohë, Princesha e Kurorës, Mette-Marit, kërkoi falje publike për shkëmbimet e saj miqësore me Epstein në 2012-ën. Po ashtu, ish-ambasadorja Mona Juul dha dorëheqjen pasi u zbulua se Epstein i kishte lënë 10 milionë dollarë fëmijëve të saj në testament.
Franca- Ish-ministri i Kulturës, Jack Lang (86 vjeç), dha dorëheqjen nga drejtimi i Institutit të Botës Arabe pas nisjes së një hetimi tatimor lidhur me financat e tij dhe lidhjet me Epsteinin.
Sllovakia- Miroslav Lajčák, ish-ministër i jashtëm dhe ish-president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare. Ai kërkoi falje për mesazhet me Epsteinin ku diskutonin për vajza të reja, duke i quajtur ato një shfaqje të “egos idiote mashkullore”.











