Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi ishte sot në Prokurorinë e Përgjithshme ku dorëzoi disa dokumente lidhur me pretendimin e tij për atentatin e mundshëm ndaj tij. Në dalje nga organi i Akuzës, deputeti Doshi theksoi se ditën e sotme ka nisur në themel hetimi i çështjes së atentatit të pretenduar prej tij. Doshi i qëndroi variantit të tij duke shtuar se tashmë ai posedon të gjitha materialet e mundshme që faktojnë pretendimin e tij për atentat.
Madje Doshi tha se deputeti i LSI-së Sparta Braho ka bërë kallëzim të rremë në Prokurori, pasi sipas Doshit ai është takur me Fatjon Skënderin. Ish-deputeti i PS shkon më tej ë akuzat e tij duke u shprehur hetimi është kompromentuar nga Tahiri-Braho dhe Meta.
“Sot nis hetimi në themel i çështjes. Braho iku në Gjermani për ta takuar Fatjon Skënderin. Spartak Braho ka bërë deklaratë të rreme në prokurori. Ne kemi të gjitha materialet, dhe do të bëj kallëzim. Në hetim poshtërsinë më të madhe e bënë Tahiri-Braho-Meta.” tha Doshi
I pyetur lidhur me mbështetjen që ai i ka dhënë javën e kaluar kandidatit të PS në Vaun e Dejës, Doshi tha se këtë zgjedhje e ka bërë për shkak se kandidati i PD për këtë bashki vjen nga LSI. Sa i përket bashkisë së Shkodrës, Doshi uroi për fitoren kandidaten e PD Voltana Ademi. Ndërsa Keti Bazhdarin e cilësoi si një kandidaturë të propozuar nga LSI.
“Keti Bazhdari është propozuar nga LSI në Shkodër. Uroj Voltana Ademin, e ka të fituar Shkodrën. Mbështes PS në Vaun e Dejës, pasi ai i PD vjen nga LSI.” tha ai









