Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka refuzuar propozimin e Iranit për rikthim në bisedime me heqjen e sanksioneve, transmeton Anadolu Agency .
“Jo, faleminderit!”, ka shkruar Trump në llogarinë e tij në Twitter duke iu përgjigjur propozimit të Iranit se “mund të rikthehet në bisedime me SHBA-të nëse hiqen sanksionet”.
Përgjigjja e Trumpit vjen pas deklaratës së ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif se vendi i tij është i hapur për bisedime në rast të heqjes së sanksioneve.
“Ministri i Jashtëm iranian thotë se dëshiron të bisedojë nëse hiqen sanksionet. Jo, faleminderit!”, ka shkruar në llogarinë e tij Trump.
Në një deklaratë për revistën gjermane “Der Spiegel”, Zarif tha: “Për ne nuk ka rëndësi se kush ulet në Shtëpinë e Bardhë. E rëndësishme është se si ata veprojnë. Qeveria e Trumpit mund ta rregullojë gabimin e bërë në të kaluarën, mund të heqë sanksionet dhe mund të rikthehet në tryezën e bisedimeve. Ne akoma jemi në tryezën e bisedimeve. Janë ata që janë larguar”.