Nga Gjon Ndrejaj
Dje takova Servetin, një mikun tim inxhinier që punon në administratë publike në pozicionin e një niveli të ulët drejtues. Megjithëse edhe kohë më parë më kishte uruar për pensionin, ai e pësëriti sërish urimin duke më thënë se sa i lumtur isha unë që kam dalë në pension. Me padurim po pres të dal edhe unë, kam edhe dy vjet por nuk po më durohet. Ishte një urim i pazakontë dhe kuptova se ai ishte i stresuar nga puna. Në çdo shkresë që më vjen për firmë apo që duhet të hartoj, më thotë Serveti, më shfaqet SPAK-u dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Rri dhe i lexoj disa herë germë për germë shkresat dhe i palos për ti rilexuar prapë të nesërmen ato. Edhe pse bindem se janë në rregull, kur largohem nga puna, pasdite në shtëpi, kur jam me gruan apo kur pi kafe me ndonjë shok, rri e mendoj prapë se mos kam gabuar…
Në një letër të hapur drejtuar Kryeministrit me 31.01.2025 me titull: “Nuk jam aplikant i platformës deputeti që duam por i Shqipërisë që duam” , kam theskuar se; “Dekriminalizimi i nenit të shpërdorimit të detyrës, mendoj se është një çështje imediate, e cila me prezencën e SPAK-ut, ka tmerruar administratën publike dhe ka ngadalësuar proceset administrative. Ky nen i cili është shumë evaziv, në se nuk do të dekrimininalizohet, më së paku duhet riformuluar …pasi në formën aktuale ,është një mjet presioni për administratën publike dhe kushdo mund të merret në përgjegjësi penale. Kjo dispozitë është e trashëguar nga Kodi penal i përpara viteve 1990 dhe ngjan si dy pika uji me krimin e agjitacionit dhe të propagandës.”
Kushtetueshmëria e dispozitës
E them me bindje, se përmbajtja e nenit 248 të Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës”, është në kundërshtim me Kushtetën e Republikës së Shqipërisë si dhe me jurisprudencën e KEDNJ dhe GJEDNJ. Ai është tërësisht një reminishencë e dispozitave penale të kohës komunizmit dhe në thelb nuk ka asnjë ndryshim me nenin 106 të KP të vitit 1977. Edhe pse dispozita aktuale e kodit penal, ka ndryshuar tre herë gjatë këtyre viteve, ai ka ruajtur në thelb strukturën e Kodit të vjetër, duke mbetur e ndikuar nga shkolla sovjetike.
Kushtetua parashikon se “Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej si e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj…” Ky parashikim i nenit 29/1 të Kushtetutës është në përputhje të plotë me nenin 7/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i njohur ndryshe si :“nullum crimen sine lege, nulla poena sine lege”. ( shkurt: nuk ka krim dhe dënim pa ligj).
Fatkeqësisht pranohet edhe nga jurisprudenca jonë,“veçoria” e dispozitës së nenit 248 të Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës” ,duke e konsideruar atë si dispozitë “blanket” (e bardhë) që ndryshe nga dispozita e tjera nuk ka një referim të qartë në ligj por mbështetet në ligje të tjera. Kjo shkel që në krye të herës parimin bazë të Kushtetutës, se askush nuk mund të dënohet pa ligj. Kjo i ka dhënë hapësirë përherë e më të madhe zbatimit dhe interpretimit të ligjit për analogji,çka është tërësisht në kundërshtim me parimet e së drejtës. Kjo praktikë i jep diskrecion organeve të zbatimit të ligjit, të krijojnë krime të reja dhe është në kundërshtim me nenin 7 të KEDNJ e cila ndalon zgjerimin e fushëveprimit të veprave ekzistuese.Sipas nenit 7/1 të KEDNJ, e konfirmuar edhe nga GJEDNJ, një person duhet të ketë paraprakisht dhe mjaftueshmërisht të qartë, se çfarë lloj sjelljesh të ligjshme priten prej tij dhe në cilat rrethana kjo mënyrë sjelljeje shkakton përgjegjësinë e tij penale. Në dispozitat e nenit 248 të KP , që përcakton “Shpërdorimin e detyrës”, vlerësimi i kundraligjshmërisë së veprimit të zyrtarit mbetet në dëshirën e prokurorit dhe të gjyqtarit.
Nuk besoj se gjendet ndonjë zyrtar publik, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjërë , që në punën e tij të mos ketë kryer veprime “në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës” e cila ka qenë “në kundërshtim me ligjin”, apo aktet nënligjore që ka “sjellë dëm interesave të ligjshme të shtetit”. E them këtë për faktin se dispozita penale parashikon që mjafton që veprimi/mosveprimi të jetë në kundërshtim me ligjin, të jetë mospërmbushje e rregullt e detyrës dhe të ketë shkaktuar një dëm interesave të shtetit dhe kjo do të konsiderohej si vepër penale.Ndërkohë që kjo lehtësisht mund të jetë edhe përgjegjësi civile dhe displinore. Madje kjo dispozitë është më repressive, në krahasim me kodin penal të vitit 1977, ku parashikohej si kusht për të kualifikuar veprën penale, ekzistenca e një “dëmi të rëndësishëm” (nivel që ishte përcaktuar nga Gjykata e Lartë) dhe jo çfarë do lloj dëmi si në rastin konkret që mund të përkthehet dhe për 100 lekë, apo mund të jetë edhe dëm jomaterial, duke i dhënë të drejtë prokurorit të fillojë një çështje penale.
Vepra penale është ambige
Vepra penale e shpërdorimit të detyrës është ambigue, që do të thotë se ajo mund të interpretohet në forma të ndryshme, bazuar në vullnetin, aftësitë apo qëllimet e atij që e interpreton. Por ligji në përmbajtjen e vet kërkon që për një çështje, të ketë vetëm një shpjegim, një qasje dhe një kuptim.
Ligji për Kundravajtjet administrative, Kodi i Punës, Statusi i Nëpunësit civil, Ligji për Tregtarët dhe shoqëritë tregtare, kanë parashikuar qëndrime të ndryshme në rastet kur zyrtari publik kryen veprime të kundraligjshme, që janë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, të cilat sjellin dëme interesave të shtetit. Kështu Koodi i Punës parashikon zhdëmtimin e dëmeve dhe ligji për Tregtarët dhe Shoqëritë parashikon po ashtu masa zhdëmtimi për administratorët e shoqërisë, ndërsa ligji për Statsuin e Nëpunësit Civil parashikon masa disiplinore të ndryshme.
Ndryshe nga dispozita penale, ligjet si më sipër përcaktojnë saktësisht rastet në mënyrë taksative. Kështu Ligji për kundravavjtjet administrative nuk e ka lënë në çmim të ndokujt kualifikimin e kundravajtjes por ka përcaktuar se të tilla do të quhen vetëm ato të përcaktuar me ligj, ndryshe nga dispozita e nenit 248 të Kodit penal e cila nukka përcaktuar saktësisht rastin.
Formulimi i nenit aktual të shpërdorimit të detyrës është fund e krye evaziv. Ai në tërësi nuk ka saktësinë e nevojshme dhe qartësinë e duhur, gjë që nuk bën të mundur që individi i zakonshëm të mund të arrijë të kuptojë e të dijë se cilat veprime apo mosveprime të tij e bëjnë atë përgjegjës penalisht, kërkesë kjo thelbësore e ligjit penal, sipas nenit 29/1 të Kushtetutës dhe të nenit 7/1 të Konventës. Kështu formulime të tilla në dispozitë si; “në kundërshtim me ligjin”, “mospërmbushje e rregullt e detyrës”, “personi që ushtron funksione publike”, “interesa të ligjshëm të shtetit”, “përfitime jomateriale të padrejta”, “personave të tjerë juridikë’, “nëse nuk përbën vepër tjetër penale” etj. janë tërësisht evazive dhe të papërcaktuara qartë. Duke përfituar nga këto hapësira që ligji i ka krijuar, organet e zbatimit të tij si policia,prokuroria, gjykatat në kapërcim të ligjit dhe të parimeve kushtetuese, jo rrallë herë bëjnë interpretime të zgjeruara duke përfshirë në konceptin e ligjit edhe akte të tjera nënligjore deri edhe te rregulloret e brendshme, gjë e cila është hedhur poshtë nga jurisprudenca e GJEDNJ dhe Gjykata Kushtetuese e RSH.
Evazioni i termave që përmban dispozita nëfjalë, paqartësitë dhe mungesa e përcaktueshmërisë së tyre, krijon mundësi për arbitraritet nga organi i akuzës, për abuzim, pse jo edhe korrupsion të organeve të zbatimit të ligjit,si dhe ndjekje e fajësim të njerëzve të pafajshëm, çka e bën atë të jetë jo në përputhje me nenin 29/1 të Kushtetutës dhe me nenin 7/1 të Konventës DNJ dhe përbën saktësisht cënim të sigurisë juridike. Praktika e Gjykatës Europiane të DNJ ka njohur disa raste për të cilat shtetet anëtare të Konventës si Italia,Estonia,Rumania etj, kanë reaguar duke korrigjuar ligjin në përputhje me kërkesat e konventës.
Si konkluzion është në çmimin e prokurorit/gjyqtarit, që të njëjtin veprim ta vlerësojë si vepër penale dhe të kërkojë dënmime përkatëse, ashtu sikurse mund ta konsiderojë si shkelje administrative dhe të mos fillojë cështjen penale.
“Identikiti” i shpërdorimit të detyrës
Neni 303 i projekt Kodit Penal që është hedhur për konsultim nga Qeveria, sjell disa ndryshime të rëndësishme në krahasim me dispozitën aktuale. Kështu subjekti i kësaj vepre penale është reduktuar ndjeshëm; nga “personi që ushtron funksione publike” , në zyrtari që merret me administrimin e fondeve, interesi i mbrojtur është reduktuar gjithashtunga përfitimet e padrejta materiale/jo materiale dhe dëmtimi i interesave të ligjshme të shtetit, në fondet publike dhe jo gjithë pasurinë publike. Po kështu janë përcaktuar në mënyrë taksative veprimet që përbëjnë vepër penale, si dhe është përpjekur të saktësojë përmbajtjen e termit “ligj” në reflektim të jurisprudencës së GJEDNJ, duke kuptuar me këtë vetëm aktin e nxjerrë nga organi legjislativ apo vendor por kjo përsëri ka mbetur evazive. Ai gjithashtu ka ashpërsuar dënimin duke siguruar një mbrojjtje më të fortë në rastin kur pasojat e këtij shpërdorimi bien mbi njerëzit në nevojë, apo kur veprimet e shpërdorimit janë kryer për qëllime politike. Ai gjithshtu ka ngushtuar marzhin e dënimit nga deri në 7 vjet, në 2-7 vjet.
Në vlerësimin tim formulimi i nenit 303 paraqet mangësi serioze dhe nuk duket se mund të arrijë qëllimin.Kështu reduktimi i subjektit të veprës vetëm në zyrtarët që merren me administrimin, është shumë ristriktiv dhe i bie që të tillë janë vetëm nëpunësi autorizues dhe zbatues ( e thënë më thjesht Sekretari i përgjithshëm dhe përgjegjësi i financës).Po kështu interesi i mbrojtur duhet të jetë gjithë pasuria publike dhe interesat e shtetit dhe të shtetasve, jo vetëm fondet publike. Ndërkohë disa veprime që janë përcaktuar si shpërdoruese si përdorimi i fondeve jashtë destinacionit, nuk rezulton se janë vërtetuar në praktikë dhe as kanë ndodhur ndonjëherë edhe si shkelje administrative, pasi janë të mbrotjura në mënyrë të sigurtë nga Thesari, i cili është një “qen roje” (watchdog).Edhe moszbatimi i vendimeve të gjykatës i përcaktuar si veprim shpërdorues, është përcaktuar me të drejtë në dispozita të tjera të këtij kodi si vepër penale e veçantë. Përkundër kësaj në përshkallëzimin e kësaj vepre penale dhe të dënimeve përkatëse nuk është marrë në konsideratë rrezikshmëria shoqërore e zyrtarëve publik.Sa më i lartë të jetë niveli i zyrtarit publik aq më lartë është rrezikshmëria shoqërore e tij. Ndërkohë një kategori zyrtarësh të drejtësisë janë shumë të ekspozuar nga rrezikshmëria shoqërore dhe duhet të jenë subjekt i kësaj vepre penale ose të formulohen vepra penale të vecanta në kapitullin për krimet në fushën e drejtësisë.
Personalisht i qëndroj mendimit për dekriminalizimin e shpërdorimit të detyrës ose riformulimin e tij në atë mënyrë tërësore, që të shmanget pasiguria jurdike që ai krijon. Kjo, sepse pjesa më e madhe e veprimeve, që përbëjnë shpërdorim detyre me kalimin e kohës janë përcaktuar si vepra penale të vecanta dhe nuk konkurojnë me shpërdorimin e detyrës , si shkelja e barazisë në tendera,përfitimi i paligjshëm i interesave, kontrabanda,mashtrimi, ndikimi i paligjshëm etj. ku zyrtari publik është subjekt i këtyre veprave, në rolin e bashkëpuntorit.
E drejtë do të ishte që ashtu siç është përcaktuar në ligjin për kundravjtjet administrative ku thuhet se“Shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative parashikohen me ligj…” në të gjitha ligjet të përcaktohej se cilat veprime ose mosveprime përbëjnë veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Kjo praktikisht duket e pamundur pasi kërkon ndërhyrje në të gjitha ligjet por në se kjo dispozitë do të vlerësohet që të ekzistojë, atëherë ajododmosdo duhet të riformulohet tërësisht duke marrë në konsideratë parashikimet e Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), praktikave të GJENDJ si dhe ato të Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit (UNCAC) , të cilat janë ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Nga ana tjetër kjo dispozitë duhet domosdo të hartohet bazuar në rrezikshmërinë shoqërore që bartin subjektet e kësaj vepre penale e cila është e ndryshme për subjekte të ndryshme. Kësisoji ajo duhet të rezervojë dënime më të rënda për nivelet e larta të zyrtarëve publikë dhe të gjyqtarëve, prokurorëve apo oficerëve të policisë gjyqësore.











