Rektori i Universitetit të Tiranës ka zyrtarizuar kriteret që kanë vendosur fakultetet për pranimin e studentëve të rinj. Në një dalje për shtyp, Mynyr Koni vuri në dukje se formulat janë perfekte, ndërsa shprehu rezerva mbi ato që universiteti nuk i ka në dorë: aplikimin dhe shpalljen e fituesve.
“Bazuar në një analizë të kujdesshme të kurrikulave të shkollës së mesme, jemi përpjekur të përcaktojmë kritere perfekte, në mënyrë që puna e studentëve në vite të mos humbasë. Ne si institucion do t’ia bëjmë të qartë dhe do t’i kërkojmë Ministrisë së Arsimit që procedurat e aplikimit të bëhen në një kohë sa më të shpejtë dhe të kuptueshme për të gjithë. Mendimi im personal është që duhet të ketë vetëm një raund. Natyrisht, për këtë do të bëjmë diskutime teknike bashkë me ministrinë”, vuri në dukje rektori i UT.
Pjesë e sugjerimeve që do t’i drejtohen MAS është edhe mënyra e regjistrimit të kandidatëve fitues në universitete. Koni kërkon fleksibilitet në zgjedhjen e degës së duhur, duke u dhënë mundë- si të çregjistrohen në një degë, në rast se fitojnë në një tjetër që e dëshirojnë më shumë. Këto, sipas tij, duhet të përfshihen në udhëzime të lehta e të zbatueshme, me qëllim që të shmangen problemet e një viti më parë.
“Ne nuk mund të krijojmë situata të ngurta që t’u themi kandidatëve: tashmë jeni regjistruar dhe nuk lejohet të ndiqni një degë tjetër. Ne nuk pengojmë. Do të kërkojmë që në momente të caktuara të jetë sa më e hapur mënyra që studentët të vendosin për t’u regjistruar në një program a në një tjetër”. Transferimi i studimeve nga një universitet në një tjetër do të jetë një tjetër element i listës së kërkesave që rektori i UT-së do t’i bisedojë me MAS përpara publikimit të udhëzimeve për pranimet e reja. /ma.me