Amerikanët tregojnë të tjera detaje nga marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar, thuhet se pas tensioneve që pati mes Hoxhës dhe Hrushovit, më 1958 situata u qetësua disi. Aty tregohen detaje nga vizita e Hrushovit në Tiranë dhe si Moska nis të sjellë nëndetëse në vendin tonë.
Periudha e përmirësimit të lidhjeve 1958-1959
Përkeqësimi i lidhjeve Jugosllavi-BRSS në fund të vitit 1957 i hapi rrugë një përmirësimi të dukshëm të sjelljes mes Moskës dhe satelitit të saj më të vogël. Në vitet 1958-1959 BRSS forcoi prezencën e tij fizike në Shqipëri dhe rinisi sulmet verbale ndaj Jugosllavisë, ndërsa Shqipëria betohej për vasalitetin e saj ndaj Moskës dhe në disa raste siguronin se nënshtrimi i tyre nuk ishte vënë kurrë në dyshim. Viti 1958 u hap me emërimin e ambasadorit të ri në Moskë Nesti Nase, për të zëvendësuar Mihal Priftin që kishte qenë aty prej 1953. Në prill në Moskë u themelua shoqata e miqësisë Sovjeto-Shqiptare (në Shqipëri shoqata ishte formuar që në vitin 1945).
Në prill, një grup partiak i drejtuar nga anëtari i Byrosë, Hysni Kapo vizitoi Bashkimin Sovjetik dhe Bullgarinë për të studiuar eksperiencën komuniste në këto vende. Në këtë muaj u nënshkrua dhe marrëveshja e fluturimeve Tiranë-Moskë me avionë TU-104, ndërsa në verë katër nëndetëse sovjetike të kategorisë “Ë” erdhën në Vlorë, duke i dhënë zë zhurmave se BRSS do të ndërtonte aty një baze të madhe detare. Katër nëndetëse të tjera dhe një motobarkë u shtuan atje në dhjetor 1959. Këto masa forcuan lidhjet dhe kapacitetet e Shqipërisë, dhe u shoqëruan më një përshkallëzim të konfliktit BRSS-Jugosllavi në verën e 1958. BRSS ishte e nervozuar nga refuzimi i Jugosllavisë për nënshkrimin e deklaratës së 12 partive në nëntor 1957 si dhe nga sinjale të tjera se Beogradi nuk kishte ndërmend të modifikonte sjelljen e tij për marrëdhëniet brenda bllokut. Kështu më 5 prill partia sovjetike refuzoi ftesën e jugosllave për të marrë pjesë në kongresin e 7 të partisë jugosllave.
Dy javë më vonë, më 18 prill, e përditshmja “Komunist” sulmoi programin revizionist e antimarksist të partisë jugosllave, por nuk sulmoi personalisht Titon dhe përfundonte me një notë shprese se jugosllavët do të përgatisnin një draft të ri. Jugosllavët vazhduan me linjën e tyre të kongresit duke bërë vetëm modifikime të vogla.
Një javë më vonë kundër Jugosllavisë nisi një sulm i gjerë verbal nga i gjithë blloku socialist, i kryesuar jo nga sovjetikët, por nga shqiptarët dhe kinezët. Më 4 maj si “Zëri i Popullit” dhe e përditshmja shtetërore kineze botuan editoriale ku dënohej si programi i partisë jugosllave dhe udhëheqësit e saj. Kinezët thanë se akuzat e vitit 1948 të grupit socialist Cominform nuk ishin mohuar kurrë dhe ishin përsëri korrekte. Më 5 maj Pravda sovjetike ribotoi artikullin kinez dhe një tjetër të sajin me ton disi më të butë mbi përkeqësimin e marrëdhënieve.
Në maj BRSS gjithashtu njoftoi anulimin e një vizite të programuar të presidentit Voroshilov në Jugosllavi dhe pezullimin e pjesës së mbetur të paketës së ndihmave prej 244 milionë dollarë të nisura në 1956.
Vetë Hrushovi, foli kundër Jugosllavisë vetëm në kongresin e partisë bullgare me 3 qershor, ku i quajti “kalë Troje i imperialistëve” dhe i akuzoi se po përpiqeshin të prishnin unitetin e vendeve socialiste e komuniste. Aty ai njoftoi gjithashtu, siç kishin bërë më herët shqiptarët e kinezët, se akuzat e vitit 1948 kundër Jugosllavisë nuk ishin mohuar kurrë.
Akuzat e Hrushovit
Një muaj më vonë më 11 korrik në Kongresin e Partisë së Gjermanisë Lindore në Berlin, Hrushovi përsëriti akuzat e tij dhe shtoi se këtë ia kishte thënë Titos në takimin e Beogradit në 1955. Hrushovi tha: “Nëse disa shokë individualë mendonin se nuk ishte bërë sa duhej për afrimin e vendeve socialiste me Jugosllavinë, Kongresi i Shtatë Jugosllav tregoi se kjo nuk është një çështje e përmirësimit të marrëdhënieve por e udhëheqjes së tyre që ka marrë një linjë artificiale, të rreme, anti-marksiste-leniniste”. Më tej ai prezantoi linjën për t’u ndjekur drejt Jugosllavisë: “Në ndjekje të kauzës sonë të përbashkët komuniste ne nuk duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje se ç’duhet revizionistëve jugosllavë pasi kështu i bëjmë të besojnë se po luajnë rol më të madh nga ç’po bëjnë. Ne dhe udhëheqja e partisë sovjetike mendojmë se duhet të takohemi me ta në gjysmë të rrugës dhe jo të përshkallëzojmë konfliktin aktual. Aktualisht do të ishte e mirë të ruanim një shkëndijë shprese në kërkim të formave të pranueshme për zgjidhjen e çështjeve. Ne dhe ata kemi një armik të përbashkët dhe besojmë se megjithë rrethanat që kanë lindur, në të ardhmen mund të bashkohemi kundër atij armiku, dhe së bashku të mbrojmë lirinë dhe kauzën e socializmit”.
Kjo ambivalence e vazhdueshme e Hrushovit drejt Jugosllavisë duhet t’i ketë bërë përshtypje udhëheqësve shqiptarë. Nga njëra anë ai siguronte se akuzat e 1948 ishin të vlefshme dhe pranonte se kishte gabuar kur besonte se tolerimet ndaj Titos do ta sillnin Jugosllavinë në bllok, por nga ana tjetër ai refuzonte përshkallëzimin e polemikave me shpresën për të vazhduar të kërkonte kontakte, çka sugjeronte se nu kishte mësuar asgjë nga zhvillimet e tre viteve të fundit.
Qetësia në Shqipëri
Rreth tre vjet më vonë “Zëri i Popullit” do i referohej kësaj deklarate, si një provë se “linja bazë e Hrushovit e ka origjinën nga pikëpamjet revizioniste për rehabilitimin e Titos e klikës së tij”.
Në pranverën dhe verën 1958 udhëheqësit shqiptarë nuk shfaqnin më rezerva ndaj Moskës por ishin ngrohur nga fushata anti-jugosllave e bllokut dhe rritja e statusit të tyre në çështjet e ndërkombëtares socialiste. Hoxha e Shehu merrnin pjesë në takimet e Traktatit të Varshavës dhe grupit ekonomik CEMA në maj, ku u morën vendime lidhur me koordinimin ekonomik, kolektivizimin bujqësor dhe reduktimin e forcave ushtarake të traktatit të Varshavës. Në qershor Hoxha mori pjesë në kongresin e partisë së Bullgarisë së Sofie ndërsa Kapo mori pjesë në kongresin e partisë ceke në Pragë. Në fund të muajit kryeministri cek Siroki drejtoi një delegacion të nivelit të lartë në SHqipëri. Në korrik Gogo Nushi drejtoi delegacionin shqiptar në kongresin e partisë së Gjermanisë Lindore. Në këto takime udhëheqësit shqiptarë shfrynin zemërimin e tyre ndaj Jugosllavisë dhe konfirmonin besnikërinë ndaj Moskës.
Zgjedhjet shqiptare në maj ishin një tjetër mundësi për këtë, dhe në fjalimin e 29 majit Hoxha u përpoq të sigutionte Moskën dhe dëgjuesit e tjerë se sjellja dyshuese e shqiptarëve në 1955 e 1956 nuk kishte ekzistuar kurrë. Ai tha: Partia shqiptare i vërejti ngjarjet që ndodhën pas prishjes me Jugosllavinë dhe aprovoi plotësisht iniciativën e partisë komuniste sovjetike. Ne jemi të bindur se përpjekjet e BRSS për eliminimin e diferencave me Jugosllavinë janë të admirueshme, korrekte dhe në interes të lëvizjes ndërkombëtare socialiste”. Ishte e qartë se Hoxha dhe partia e tij në 1958 po kërkonin çdo mundësi për të siguruar Moskën se e kaluara mund të harrohej dhe se besnikëria e tyre ndaj BRSS ishte e plotë. Gjatë këtyre muajve udhëheqësit shqiptarë mbështesnin më zë të lartë çdo iniciativë sovjetike në politikën e jashtme, duke përfshirë dhe pezullimin e testimeve bërthamore dhe vendimin e Traktatit të Varshavës për reduktimin e forcave ushtarake.
Pas fjalimit të Hrushovit në Berlin në mes të korrikut për reduktimin e polemikave me Jugosllavinë, shtypi shqiptyar mbeti i qetë për një periudhë të shkurtër. Por kjo ndryshoi pas vrasjes së një qytetari shqiptar në Jugosllavi kur dhe rifilluan akuzat e rënda ndaj Beogradit. Në 50 vjetorin e tij në tetor, Hoxha mori urime nga partia sovjetike ku cilësohej si “militant i madh i kauzës socialiste dhe lider i shquar i partisë shqiptare”. Shehu dhe folës të tjerë ngritën lart mbështetjen e BRSS për Shqipërinë, por privatisht zyrtarët në Tiranë kishin rezervime për anësinë e tyre. Në një bisedë të një zyrtari rus me Shehun më 29 gusht, ai ia kushtoi shumicën e saj sulmeve ndaj revizionizmit jugosllav dhe foli për mundësi përmirësimi të lidhjeve me perëndimin. Gjatë bisedës së tij Shehu thuajse nuk iu referua fare BRSS duke të dhënë përshtypjen se politika e Jashtme e Shqipërisë ishte e pavarur prej Moskës. Bashkëbiseduesi i tij thotë se megjithë tendencat staliniste të zyrtarëve shqiptarë, faktori dominues mund të ishte nacionalizmi dhe jo ideologjia.
Hoxha e Shehu në Moskë
Në dhjetor Hoxha e Shehu ishin përsëri në Moskë për të negociuar kreditë afatgjata për planin e 3-të pesë-vjeçar 1961-1965. Më 15 dhjetor, një ditë para kthimit të tyre ata morën pjesë në sesionin e Komitetit Qendror Sovjetik, çka “Zëri i Popullit” e cilësonte si një “nder i madh”.
Gjatë gjashtë muajve të parë të 1959, marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike arritën majën e tyre dhe Shqipëria fitoi status të rëndësishëm në çështjet e bllokut. Shehu dhe Hoxha drejtuan një delegacion në Gjermaninë Lindore e Çekosllovaki nga 5 deri në 17 janar, ku shqiptarët vazhduan të demonstrojnë besnikërinë e tyre ndaj Moskës dhe propozimeve të saj për Berlinin.
Më 16 janar Hrushovi njoftoi për vendimin e komitetit sovjetik për ndërtimin e një pallati kulture dhe stacioni radio në Tiranë për popullin shqiptar dhe partinë, ndërsa tre javë më vonë krerët shqiptarë ishin në kongresin e partisë sovjetike në Moskë. Pas kthimit Hoxha vlerësoi kongresin sovjetik si baza e ndërtimit të socializmit. “Kjo bazë hap perspektivën e një ndërtimi të shpejtë të socializmit dhe transformimn e vendit tonë, siç ka thënë Hrushovi, në një kopsht të lulëzuar”.
Në pranverën e 1959 kishte shenja se udhëheqësit shqiptarë, të cilët nuk e shikonin me sy të mirë Gomulkën në Poloni, do të bënin tolerimet e nevojshme. Megjithëse Hoxha e Shehu nuk e kishin vizituar Poloninë gjatë turneut të tyre në janar, në mars një delegacion i Byrosë Politike i drejtuar nga Spiro Koleka shkoi në Varshavë. Më 4 prill qeveria shqiptare në një dekret mbështeste plotësisht iniciativat sovjetike të politikës së jashtme, përfshi dhe takimin për Berlinin e Gjermaninë. Shehu e përsëriti këtë në takimin e CEMA në maj duke shtuar se këto nisma do të kurorëzoheshin me marrëveshjen e dëshiruar të paqes nga populli. Në mes të majit Shqipëria u nderua duke mbajtur takimin e 10 të grupit CEMA në Tiranë, çka i hapi rrugë vizitës personale të Hrushovit 10 ditë më vonë.
Vizita e Hrushovit
Në prag të vizitës së Hrushovit në SHqipri, “Zëri i Popullit” e përshkruante atë si nxënësi besnik i Leninit dhe lideri i shquar i partisë dhe shtetit sovjetik, që i ka kushtuar të gjitha energjitë e tij kauzës së marksizëm-leninizmit. Gazeta shtonte: “Nikita S. Hrushov është miu më i dashur i shqiptarëve që ka dhënë gjithmonë prova për ndihma bujare për populli shqiptar e për ndërtimin e jetës së lumtur socialiste në Shqipëri”.
Dhe në fakt vizita e Hrushovit në Shqipëri (25 maj-4 qershor) i kalonte nga gjatësia të gjitha vizitat e tij në vendet e tjera të bllokut, me përjashtim të vizitës së tij në Kinë në tetor 1954. Meqenëse kjo ishte vizita e tij e parë e një zyrtari sovjetik që prej asaj të Zhukov në 1957, kohëzgjatja e saj ndoshta ishte njëfarë kompensimi për ndjenjën e neglizhimit që mund të kishin shqiptarët. Por gjithashtu ajo shërbente që Hrushovi të kuptonte diçka më mirë Shqipërinë, të njihte problemet dhe udhëheqësit e saj, ndoshta për të zhdukur çdo mbetje fërkimesh me ta.
Delegacioni sovjetik përbëhej nga nëntë vetë përfshi Hrushovin, ministrin e mbrojtjes Malinkovski, anëtari i presidiumit Mukidinov, dhe në turneun e tyre në vend u ndanë në tre grupe gjatë pesë ditëve të para. Më 30 maj tre grupet u kthyen në Tiranë ku lëshuan një komunikatë të përbashkët për dhënien e 500 milionë rublave ndihma. Më 31 maj pjesa më e madhe e delegacionit u kthye në BRSS dhe vizita u vazhdua vetëm nga Hrushov e Malinkovski, të cilët kaluan pjesën e mbetur në jug të Shqipërisë , duke vizituar Vlorën, Sarandën e Gjirokastrën, dhe instilacionet ushtarake atje.
/a.rada