Nga Xhevdet Shehu
Në këtë bisedë të gjatë të deritanishme me Xhelil Gjonin, ish-anëtar i Byrosë politike dhe ish-sekretar i KQ të PPSH, de facto vazhdues i Ramiz Alisë, kemi trajtuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me Kongresin e 10-të të PPSH, apo si është konsideruar ndryshe Kongresi themelues i Partisë Socialiste që në 12 qershor do të kremtojë 30-vjetorin. Por ende nuk e kishim prekur thelbin. Në dy pjesët e para të bisedës me Xhelil Gjonin nuk e kemi përmendur emrin e Enver Hoxhës, ndërkohë që ai ishte kyçi i atij kongresi. Për herë të parë në kongreset e Partisë së Punës nuk kishte një bust të madh në allçi të ish-udhëheqësit komunist në qendër të presidiumit të kongresit. Por në sfondin e madh, pas shpinës së delegatëve dhe përballë presidiumit, ishte një basoreliev i stërmadh, në epiqendër të të cilit ishte Enver Hoxha. Pikërisht ai ishte hija më e rëndë e atij kongresi, sfondi dhe thelbi në një moment kthese…
Do të vazhdojmë me Enverin, apo do ta braktisim atë? Kjo ishte çështja. Nuk u diskutua, por ndihej nga gjithkush.
Xhelil Gjoni tregon pse nuk u shtrua kjo çështje në 12 qershor 1991.
Intervistoi Xhevdet Shehu
(Vijon nga numri i kaluar)
– Zoti Xhelil, në dy pjesët e para të kësaj bisede, nuk është përmendur asnjëherë emri i Enver Hoxhës, udhëheqësit absolut të Shqipërisë për mbi 40 vjet. Ju sapo renditët dje disa nga arritjet dhe dështimet socializmit. Kryesisht për shkak të atyre gabimeve dështoi vetë sistemi. Po cila ishte përgjegjësia e Enver Hoxhës në këtë rast?
– Pyetje e drejtë dhe unë do të përgjigjem ashtu siç fola në Kongres, qëndrim të cilin e kam edhe sot e kësaj dite. Kur fola më sipër për përgatitjen e raportit të përbashkët, e pata të vështirë, nga mangësitë dhe tendenca e Ramiz Alisë për t’iu shmangur përgjegjësive të veta, siç bënte dhe në librin e fundit me kujtimë. Por vetëm për diçka nuk i dhashë mundësinë të shmangej dhe ky ishte qëndrimi ndaj figurës se Enver Hoxhës. Prandaj ia kërkova me shkrim ta paraqiste. Analiza që i bëri kësaj figure e shkruajtur nga ai dhe e dërguar me Shaban Sinanin (këshilltar i tij) pasqyrohet mot a mot në raport në f. 32-38- ku thuhet:
“Rivlerësimi kritik i së kaluarës nuk mund të jetë i plotë pa përcaktuar drejt vendin dhe rolin e Enver Hoxhës, si në meritat, ashtu dhe në anët negative të tij”.
Pra, Ramiz Alia, pasardhësi direkt i Enver Hoxhës, ka shkruar me dorën e tij si për meritat dhe për anë negative të Enverit.
Cilat janë meritat? Po i përmbledh me pak fjalë: Me emrin e Enver Hoxhës është e lidhur ngushtë jo vetëm historia e Partisë sonë por edhe ajo e themelimit dhe afirmimit të shtetit te ri shqiptar. Ai ishte udhëheqësi i Luftës fitimtare Antifashiste dhe i transformimeve të mëdha të periudhës së pasçlirimit. Personaliteti i tij e ka determinuar jetën politike shqiptare për afro një gjysmë shekulli. Ai e bashkoi popullin në unitet dhe e mbrojti Shqipërinë nga rreziqet e jashtme.
– Atëherë, cilat ju konsideruat si gabime apo anë negative të Enver Hoxhës?
– Këto e merita të tjera që përmenda më sipër, janë të pamohueshme, por në vitin 1991 shtrohej çështja: në tërë atë bagazh dobësish e gabimesh të Partisë së Punës, për të cilat po flasim, a ka dhe ç’pjesë ka, direkt apo indirekt, themeluesi dhe udhëheqësi i saj, Enver Hoxha? Për këtë praktikisht diskutohej në Parti e jashtë saj.
Deri atëherë Partia dhe propaganda kishin vënë në dukje meritat e kontributet e Enver Hoxhës. Një vlerësim objektiv do të ishte i plotë po të flitej edhe për përgjegjësitë dhe gabimet, se dhe ai ishte njeri e njeri të pagabueshëm nuk ka.
Është e qartë se Enver Hoxha nuk mund të mbrohet në gjithçka e për çdo gjë. Edhe ai ka gabuar e ka pasur dobësi e të meta. Në qoftë se do t’i përmbahemi mendimit se Enveri ka qenë i pagabueshëm, do të binim në pozitat e kultit, të cilin Partia jonë dhe ai vetë e ka luftuar me vendosmëri tek të tjerët.
Një analizë serioze e masës dhe shkaqeve të këtyre gabimeve medoemos duhet të mbajë parasysh rrethanat e vështira në të cilat ka punuar bashkë me gjithë popullin e Partinë, edhe Enver Hoxha. Këto rrethana të brendshme e të jashtme, kanë ndikuar në formimin e personalitetit të tij si politikan, si burrë shteti dhe kanë lënë gjurmë në veprimtarinë e tij praktike. Ne kemi pohuar që mendimi dhe veprimi i tij kanë lënë vulën e tyre në historinë e re të Shqipërisë. Do të ishim metafizik nëse këtë ndikim do ta kërkonim e do ta gjenim vetëm në arritjet e kësaj historie, kurse për dështimet e fenomenet negative ta përjashtonim atë. Madje duhet thënë se e vetmja mënyrë për ta mbrojtur me të vërtetë figurën e tij, është të ndajmë pa dhimbje vlerat dhe defektet, anët pozitive nga ato negative, të mirat dhe të këqijat.
Në qoftë se jeta na ka provuar tashme hapur që në politikat e ndjekura nga Partia e Punës ka pasur mjaft iluzione e gabime, bile edhe qëndrime subjektiviste e voluntariste, duhet pranuar se për këtë Enver Hoxha ka pasur influencën e vet. Ai ishte politikani kryesor i Partisë dhe i shtetit, idetë e tij, sidomos nga mesi i viteve ’60-të e këtej filluan të trajtohen si të padiskutueshme. Është fakt që pjesa më e madhe e gabimeve dhe e dobësive, që sollën hap pas hapi vështirësitë me të cilat po ndeshemi, kanë nisur të shfaqen pikërisht në këtë periudhë e në vazhdim.
Pesha e personalitetit të tij çoi deri në deformime të demokracisë në Parti e jashtë saj. U zhvillua gjerësisht kulti i porosisë, i urdhrit, e i fjalës nga lart. Frymën e diskutimit e zëvendësoi fryma e komandimit.
– Zoti Gjoni, a ka patur kult të Enver Hoxhës dhe deri ku shkonte përgjegjësia e tij për këtë kult?
– Po e sqaroj këtë çështje pasi e konsideroj shumë të rëndësishme. Ekzistenca e fenomeneve të tilla të çon te kjo pyetje më e drejtpërdrejtë: A ka pasur kult të Enver Hoxhës në Shqipëri?
Dihet se vetë Enveri është shprehur disa herë rreptë kundër kultit të personit si praktikë dhe veçanërisht kundër teprimeve në adresë të tij. Por është fakt që gradualisht, sidomos pas viteve ’60 erdhi duke u absolitizuar kontributi e roli i tij, që çuan në zhvillimin e kultit.
Pa asnjë hezitim mund edhe është e drejtë të thuhet se këtë kult Enveri nuk e krijoi vetë, por ia krijuan të tjerët, në radhë të parë udhëheqja e lartë e Partisë dhe shtetit e cila përfitonte nga ky kult, siguronte autoritet e privilegje. Kishte ndërkaq, një kult të heshtur të tij që sot del më i qartë në dritën e zhvillimeve demokratike. Mania për të botuar gjithçka të shprehur prej tij, si dhe ekzaltimet e dukshme në vepra të ndryshme, e nxorën në shesh dhe e shpallën publikisht qenien e këtij kulti, gjë që siç dihet, provokoi ndjenja të ndryshme, deri të kundërta, duke çuar në situatë kritike.
Le t’u referohemi disa fakteve: Ai nuk donte që në mes të Tiranës të ngrihej statuja e tij dhe në gjallje të tij ai nuk e lejoi këtë. Ai ishte shprehur që aty në shesh të ngrihej një kolonë që të simbolizonte luftën dhe qëndresën e popullit shqiptar dhe ai të kishte një vend aq sa i takonte midis bashkëluftëtarëve të tij. Tjetër. Ai ishte kundër nja mauzoleu. Kishte thenë se do të prehej bashkë me dëshmorët. Dhe kështu u bë. Po pse pas vdekjes së Enverit u bënë gjithë ato emërtime si të “Shtunat e Enverit”, “Pionierët e Enverit” dhe emri i tij u shumëfishua me shpejtësi pas vdekjes së tij në shkolla, rrugë uzina e fabrika? Kush dhe pse e bëri këtë? Unë mendoj se kjo gjë bëri efekt të kundërt në popull.
– Mos doni të thoni se për këtë mban përgjegjësi ish-udhëheqja e asaj kohe?
– Padyshim. Kulti i Enverit ka qenë pjesë e kultit të udhëheqjes. Jeta e sotme pluraliste që po justifikon me shpejtësi shumë gjëra të cilat më parë konsideroheshin të shenjta deri tabu, na bind për këtë.
Enver Hoxha ka kërkuar kolegjialitet dhe diskutim të hapur për marrjen e vendimeve. Por mënyra se si u ndërtua dhe funksiononte jeta politike e vendit realisht i dha atij pushtet të tepërt. Edukata e të priturit nga lart, të cilët po vuajnë për ta ç’rrënjosur sot, është edukata e krijuar nga pushteti i përqendruar. Në kemi folur për centralizim të tepërt në fushën e ekonomisë e të kulturës, por ai ka vepruar edhe në
politikë, e cila vazhdon edhe sot.
– E, megjathatë, në Kongresin e 10-të të PPSH-së, ju nuk u distancuat nga Enveri, sikurse ndodhi fjala vjen me Stalinin në Kongresin e 20-të të PK të BS në 1956. Pse ndodhi kjo?
– E para, nuk mund të hiqen paralele të tilla në rrethana të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Kjo meriton një analizë të gjatë dhe me shumë përgjegjësi… Ju keni qenë në sallën e Kongresit të 10-të, siç më thatë, dhe e keni parë se ç’ndodhte aty. Në atë atmosferë, edhe ato gabime që u radhitën dukeshin të tepërta. Ata që ishin delegatë aty e donin me gjithë zemër Enverin. Nuk bëhej fjalë për distancim të menjëhershëm nga një idhull të adhuruar për vite e dekada me radhë… Këtë e bëri Partia Socialiste disa muaj më vonë, më duket në nëntor të atij viti. Dhe kjo ishte e natyrshme. Partia Socialiste, nuk ishte Partia e Punës.
– Atëherë, si ta vlerësojmë figurën e Enverit dhe cila është mënyra për ta bërë këtë?
– Vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës duhet të bëhet sipas parimit të historisë, si i vetmi parim që shmang gjykimet e gabuara. Duhet ndarë kjo ç’ka i takon personalisht Enverit nga ajo që i takon kohës, duhet
veçuar përgjegjësia e tij direkte nga ajo e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore që ka miratuar vendimet e mara me propozim apo iniciativë të tij. Enver Hoxha ishte ai që thoshte fjalën e fundit për çdo gjë. Por ai mbështetej në diskutimet dhe gjykimet e shokëve. Tani kohët kanë ndryshuar dhe gjithçka duket më e lehtë. Nuk duhet harruar se mjaft dobësi që lidhen me personalitetin e Enver Hoxhës nuk janë fenomen i izoluar shqiptar, por dukuri e gjysmës së botës.
Enver Hoxha duhet pranuar ashtu siç ka qenë. Detyra jonë është që duke njohur vlerat, të mos konfondojmë me to gabimet, dhe të mos i përsërisim në të ardhmen. Por, njëherësh, duke izoluar gabimet, nuk duhet të përziejmë me to me të qena e të paqena. Të kërkojmë nga Enveri atë që mund e duhej të bënte, jo atë që do ta dëshironim sot të kishte bërë.
– Megjithatë, në raportin e Kongresit ju u shprehët se Enveri shpesh ka qenë edhe kontradiktor, apo jo?
– Është e vërtetë. Mendimi e qëndrimet e Enver Hoxhës për një varg çështjesh kanë qenë dhe kontradiktore. Ndërsa fliste për mendimin e lirë, në parti e jashtë saj kërkohej puritanizëm i kulluar, deri sa u lejua të shkohej deri atje sa të shprehej me kushtetutë që ideologjia socialiste është ideologji e vetme në Shqipëri. Nga njëra anë ai i vlerësonte intelektualët dhe përpiqej për një trajtim të kujdesshëm të tyre, kurse nga ana tjetër i cilësonte ndihmës të Partisë. Fliste për unitetin e popullit, në të njëjtën kohë që zhvillohej e ashpër lufta e klasave, shpesh e nxitur artificialisht. I dënonte rëndë sektarizmin dhe ngushtësinë, por ndonjëherë binte edhe vetë në qëndrime të ngushta sektare.
Mund të bëhen vërejtje e mund të gjenden kontradikta të tjera të këtij lloji. Por një gjë mund të thuhet me vendosmëri: Në qëndrimin ndaj çështjes kapitale të çdo populli e vendi, në qëndrimin ndaj lirisë dhe pavarësisë së atdheut. Enver Hoxha nuk ka gabuar. Ai ishte një udhëheqës me popullaritet, që dinte të bashkonte njerëzit e të ngrinte peshë zemrat e tyre. Sa ishte gjallë Enver Hoxha nuk i takonte vetëm
Partisë së Punës, por gjithë Shqipërisë. Ai ka qenë një faktor i madh uniteti. Le të merren historianët me gabimet e le të mbetet ai në trashëgiminë e Partisë sonë dhe këtij vendi. Është në të mirën e
përgjithshme t’i shmangim ato diskutime.
– Ju ngarkuat atëherë por edhe tani pas 30 vjetësh me përgjegjësi ish-udhëheqjen e asaj kohe për shumë gabime që u shfaqën sidomos në vitet e fundit të socializmit. Sa e justifikuar ishte kjo kritikë?
– Ishte plotësisht e argumentuar dhe e justifikuar. Për situatën e rëndë që kalonte vendi përgjegjësi të plotë mbante udhëheqja më e lartë e Partisë, Byroja Politike e Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH. Në raport unë theksova se në mënyrë të veçante përgjegjësi mbajnë shokët Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko, Foto Çami, Prokop Murra, Hekuran Isai, Pali Miska, Simon Stefani, Lenka Çuko, Besnik Bekteshi, Muho Asllani, Qirjako Mihali, që kanë drejtuar sektorë të rëndësishëm të jetës politiko-shoqërore dhe ekonomike të vendit. Tek kjo udhëheqje u bashkua edhe plakja edhe paaftësia të një pjese dhe shkëputja nga jeta e popullit e dhënia pas rehatisë e privilegjeve, edhe mungesa e përgjegjësisë për punët që duhet të bënin, të cilat çuan në dobësimin e rolit të Partisë, të dinamizmit, në humbjen e besimit të masave. Për të gjitha këto përgjegjësi të karakterit parimor, por dhe të cenimit të figurës me privilegje dhe përfitime të pamerituara, disa prej tyre krijuan një imazh të keq në sytë e masave, prandaj kërkova në Kongres që Partia të distancohet.
– Është folur qysh në atë kohë me zë të ulët por edhe sot publikisht se Ramiz Alia ka njohur udhëheqjen e asaj kohe, ku bënit pjesë edhe ju, me një material të Mihail Gorbaçovit që bënte fjalë për ndryshimin e sistemit. Besoj se e keni dëgjuar Katovicën dhe për çfarë ju pyes?
– Jam shprehur edhe herë tjetër për këtë dhe po e përsëris. Në të gjitha mbledhjet që kam qenë unë, nuk është thënë një gjë e tillë. A e ka lexuar Ramizi apo jo, kjo është punë e tij. Dhe ai nuk e tha asnjëherë deri në fund të vërtetën. Do të flas edhe për rolin e Ramizit në vijim. A ka veprime bazuar në platformën e Katovicës në Shqipëri në këto 30 vjet vite? Sigurisht që ka. Dhe është krejt e natyrshme nga pozicioni klasor që kanë pasur njerëzit. Edhe pse ishte liberal, Ramizi nuk donte ta lëshonte pushtetin në duar të pasigurta, të atyre që ai i quante ballistë, tradhtarë apo reaksionarë etj. Dhe unë mendoj se kjo është e logjikshme në kthesë të madhe si ajo që ndodhi. Nuk ka puritan në këtë vend që do të bënte ndryshe. Unë çuditem me këtë mendjelehtësi të njerëzve që nuk i gjykojnë gjërat realisht dhe materialisht. Mos vallë sot, që presupozohet se jemi në demokraci dhe në qarkullime elitash, keni parë ju ndonjë udhëheqës partie që e lëshon postin e tij në mënyrë të pakontrolluar?! Askush, për të mos thënë që nuk e ka lëshuar asnjë me dëshirë që nga viti 1990./Dita