Në tokat bujqësore dhe pyjore, livadhet dhe kullotat që janë në pronësi të shtetit do të lejohen të ndërtohen parqe fotovoltaike.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që i hap rrugë dhënies me qira të këtyre tokave teksa deri më tani nuk lejohej të zhvillohej.
“Në rastin kur investitori ka marrë statusin e investitorit strategjik për projekte për zhvillimin e veprimtarisë bujqësore, si dhe akuaponikën në tokën bujqësore, ka pasur pengesë ligjore për lidhjen e kontratës nga institucioni i Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Zhvillimit Lokal, pasi bie ndesh me legjislacionin sektorial për dhënien me qira të tokës shtetërore”, tha Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Projektligji përcakton edhe llojet e tokave që do të jepen me qira për këto investime. Ndërsa paralelisht ndryshime do të ketë edhe në lejimin e tokës shtetërore për teknologji të tjera, të cilat janë: akuaponika, aeroponia dhe hidroponika.
“Tokat bujqësore të kategorisë 9 dhe 10 të bonitetit në administrim të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë lejohen të jepen për aktivitet fotovoltaik vetëm për investitorët strategjik sipas vendimit të Komiteti të Investimeve Strategjike”, tha Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ministria e Bujqësisë shprehet në projektligj se përdorimi i teknologjive të reja do të ndikojë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe investimeve të reja.
Për ata investitor të cilët duan të investojnë në sera apo infrastruktura mbështetëse mund të marrin toka shtetërore me qira me një afat 30 vjet.