Përgatiti: Albert Zholi/
Mitingu frymëzues i 9 majit 1943
Në përgjigje të thirrjes së komitetit të rinisë antifashiste, në Voskopojën e djegur nga ushtria fashiste, u organizua një miting entuziast i rinisë.
Së bashku me disa shokë, morëm pjesë si përfaqësues të çetave partizane.
Studentëve të Liceut u printe profesor Raqi Qirinxhi, intelektual i mirënjohur. Ky nuk vonoi të rreshtohej luftëtar, por gjatë janarit të vitit 1944, ra dëshmor në rrëzë të Ostrovicës, në afërsi të Qafës së Beçit. Mitingu zgjati disa orë. Folën shumë të rinj e të reja.
Midis atyre që dolën partizanë që në ato çaste, ishin edhe studenti Gafurr Çuçi, punëtori Kiço Orgocka, studenti Eqerem Dobi, e mjaft të tjerë, të cilëve u kërkoj falje që nuk po mundem t’i përmend këtu. Aty nga mbarimi i mitingut fjalën e mori edhe profesori Raqi Qirinxhi, i cili midis të tjerash u shpreh:
“Nxënës të dashur, disa prej jush në lëndën e matematikës kanë marrë notën 5, por këtu ju dhatë një provim të shkëlqyer, të cilin do ta tregoni edhe në mal…”.
Ndërsa hedh këto kujtime modeste për atë miting të paharruar të rinisë korçare, organizuar në Voskopojën trime, përfytyroj Raqin e Liceut teksa i shkruante një shoku të tij:
“Mbi lekun ne duhet të përfytyrojmë djersën, mundimin dhe mjerimin e gdhendur të njerëzve që na ndihmojnë për të studiuar…duke mos harruar kurrë atdheun tonë, ne do t’i vihemi punës dhe studimit të dobishëm… Atdheu ynë na mjafton, neve na mbetet vetëm t’i ndreqim çrregullimet, t’i pyllëzojmë malet, të vlerësojmë tokën e fushave më shumë, të vlerësojmë bukuritë e peizazheve tona, të thajmë kënetat, të shfrytëzojmë pasuritë nëntokësore…”
Të gjithë ata që dolën partizanë nga ai miting rinor shkruan faqe lavdie në historinë e formacioneve partizane ku luftuan”.
Borova martire, si u terrorizua nga nazistët në hakmarrje të goditjes së Barmashit
“Borovën martire e pashë në shtator-tetor të vitit 1942, kur akoma nuk ishte djegur nga nazistët. Ajo shtrihet gjatë rrugës Ersekë-Leskovik. Borova ishte një nga fshatrat më të bukur të Kolonjës; me dyqan e shkollë, me gjendje ekonomike të mirë dhe me fshatarë që bënin një jetesë të kulturuar.
Borovën e vizituam me çetën partizane të Gorës, kur bënim një marshim për në Kolonjë. Shokët tanë të luftës në atë fshat na ndanë nëpër baza. Pasi formuam këshillin nacional-çlirimtar, u larguam nga Borova me përshtypjet më të mira.
Pas kapitullimit të Italisë filloi një etapë e re e luftës sonë kundër okupatorëve. Në Barmash u goditën për herë të parë gjermanët. Dhe për hakmarrje, nazistët terrorizuan popullin e Borovës. Borova u kthye në shkrumb e hi.
U vranë e u masakruan gra, fëmijë e pleq.
Të rinjtë e të rejat e këtij fshati mbushën radhët partizane.
Ky fshat, me ata njerëz të mirë e patriotë, ka hyrë në historinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si vendi që u masakrua barbarisht nga bishat naziste, sikurse edhe mjaft fshatra të tjera në vendin tonë”.
Tradhtarët e paguan shtrenjtë
Rita Marko tregon sesi aksionet e lëvizjes në Korçë bënë që aty të “zbarkonin” reparte të tëra milicësh. Por që nuk ia arritën dot t’i asgjësonin çetat e para partizane
“Fundi i gushtit të vitit 1942. Megjithëse Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte në fillim të saj, në Korçë ishte krijuar çeta e parë partizane që vepronte në zonën Gorë-Opar. Në anën tjetër vepronte çeta e Devollit. Situata ishte në favorin tonë. Aksionet pasonin njëri-tjetrin. Lëvizshmëria e çetave krijoi përshtypjen se partizanët po vepronin në shumë krahina. Aksionet e njëpasnjëshme në qytet, atentatet kundër fashistëve dhe spiunëve, djegia e Shtëpisë së Fashios në Korçë etj., e alarmuan armikun. Ky i fundit filloi të merrte një seri masash që ta trembte popullin dhe t’i godiste partizanët. Në Korçë erdhën reparte të tëra milicësh, të cilët i kishin vënë vetes detyrë të luftonin dhe të asgjësonin çetat e para partizane. Por më kot. Kudo që shkuan milicët dhe xhandarët morën përgjigjen e merituar nga partizanët dhe populli që i mbështeti.
Hapja e depove të dhjetarëve
Si u kthyen në të popullit, prodhimet bujqësore që dhjetarët ua përgatisnin atyre dhe i mbanin në koçeqet e çifligarëve
Dhjetarët, një pjesë të mirë të prodhimeve bujqësore, që ua grabisnin fshatarëve, i mbanin në depot dhe në koçeqet e çifligarëve. Ato ishin rezerva të rëndësishme të okupatorit. Partia kishte hedhur parullën që pasuritë e grumbulluara në qendra të tilla, t’i shpërndaheshin popullit. Në shtator të vitit 1942, njësiti partizan u informua se në fshatin Rrëmbec dhe Shamoll ndodheshin rezerva të mira bereqeti, grumbulluar për llogari të agallarëve dhe aristokratëve të Korçës.
U vendos që ky bereqet t’i shpërndahej atij që e kishte prodhuar: popullit. Por që të realizohej ky aksion, nuk mjaftonin vetëm forcat tona. Ja pse morëm në ndihmë edhe disa shokë nga Bulgareci, Çifliku dhe Terova. Kuptohet, mbështetjen kryesore e kishim te shokët e Rrëmbecit, të cilët nuk ishin vetëm informatorët, por edhe organizatorët e kësaj pune. Arritëm në Rrëmbec në darkë.
Bëmë mbledhjen e fshatit dhe folëm për qëllimet e luftës sonë. Aty u shpjeguam fshatarëve, se partia dhe partizanët në këtë luftë nuk kishin interesa të tjera, veç interesave të popullit. Me ndihmën e vetë fshatarëve, hapëm depot dhe shpërndamë gjithë bereqetin. Një pjesë e transportuam në Bulgarec, ku kishim një bazë të fortë. Depo të bereqetit u hapën në të gjithë prefekturën e Korçës.
Këto aksione ishin një provë e gjallë e thënieve që kishin dëgjuar fshatarët nga komunistët, se Partia është e tyrja dhe se lufta bëhej për çlirimin e atdheut dhe për mirëqenien e popullit. Këto bënë përshtypje të thellë. Njerëzit e thjeshtë u lidhën edhe më shumë me Lëvizjen e rezistencës. Rrëmbeci u bë një bazë e fuqishme e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në Fushën e Korçës. Armiqtë i rralluan vajtjet e tyre në këtë zonë. Edhe kur shkonin, merrnin masa shumë rigoroze. Një ndihmë të madhe në këtë fshat i dha lëvizjes familja e Rapi Gjatës (Rrëmbecit). Biri i këtij patrioti, Dhimitraq Rrëmbeci, për të cilin kam kujtime të pashlyeshme, ra dëshmor në Mokër, duke luftuar heroikisht kundër ballistëve.
Partizanët lidhen ngushtë me popullin
Si u bë propagandë fshat më fshat për Konferencën e Pezës dhe u pa nga afër puna e këshillave nacional-çlirimtarë, ngritur sipas platformës së saj
Ishte fundi i vjeshtës të vitit 1942 kur shkuam në fshatin Bulgarec. Përgjegjës kishim Teki Kolanecin. Qëllimi i vajtjes sonë ishte të shikonim përfundimet dhe punën e kryer gjer atëherë nga ana e këshillit nacional-çlirimtar, ngritur para ca kohësh nga ana jonë, sipas platformës së Konferencës së Pezës. Në atë kohë në të gjitha fshatrat e Korçës u zhvillua një aktivitet shumë i madh dhe u vu në jetë platforma e kësaj konference, që gjeti një mbështetje të gjerë nga populli. Lufta kundër pushtuesit fashist zgjerohej dhe organizohej përditë e më mirë. Kështu, qysh nga muajt nëntor-dhjetor filluan të duken frytet e kësaj pune të parë.
Mbledhjen në Bulgarec, për të cilën ishin dakord edhe shokët e fshatit, vendosëm ta bënim në shkollë. Në mbledhje u ftuan të merrnin pjesë vullnetarisht të gjithë banorët. Një mbledhje e tillë në fshat, në prag të qytetit të Korçës, ishte me plot rreziqe. Mjaftonte një tradhtar që të shkonte në Korçë me biçikletë dhe ai, brenda dhjetë minutash mund të sillte disa makina me armiq. Duke marrë për bazë patriotizmin e flaktë që ushqente partia në popull, të gjithë ishin gati të përballonin çdo rrezik.
Armiku përpiqej të zbulonte veprimet tona, por ne kishim besim te populli dhe nuk na mungonte vigjilenca. Shkolla u mbush plot e përplot me fshatarë e fshatare, të rinj e të reja. Me etje të madhe, të gjithë prisnin sqarimet për detyrat e reja, që u dilnin në luftën kundër armikut. Pas sqarimeve që u bënë me radhë nga shokët Teki, Maqi, etj., një entuziazëm i papërshkruar mbushi zemrat e fshatarëve, sikur të ishte një festë e madhe atë natë vjeshte. Pamë sesa të lidhur ishin ata me luftën çlirimtare, që drejtonte e organizonte partia. Një fshatar, mik i partisë, kishte dasmë në shtëpi. Ishte ditë e shtunë. Në mbrëmje martonte djalin e vet.
Gjithë dasmorët kishin ardhur në mbledhjen e fshatit. Kur mbledhja mbaroi, na ftuan të gjithë në dasmë. Dhe ne shkuam. Dasma u gjallërua edhe më shumë. Sazexhinjtë korçarë krijuan një atmosferë shumë gazmore. Partizanët bisedonin përzemërsisht me dasmorët, kënga e vallja buçiste. Pas dy orësh u larguam, duke e uruar të zotin e shtëpisë dhe çiftin e ri e, me këtë rast, i përgëzuam e i inkurajuam që të vazhdonin zakonet e bukura të popullit tonë. Ne vumë re se Këshilli Nacionalçlirimtar e kishte filluar punën mirë. Lidhja e partisë me masat po forcohej përditë e më shumë. Partizanët priteshin si përfaqësues të ushtrisë çlirimtare. Në fshat kish edhe tradhtarë, por asnjëri nuk guxoi të spiunonte. E pamë se puna që ndërmorëm ishte me rreziqe, por e kryem me besimin se fitorja nuk arrihej pa guxim e sakrifica.(AFP.al)