Mes morisë së librave të botuara përgjatë vitit 2017, është e vështirë të zgjedhësh më të mirët. Këtë e kanë pohuar dhe personazhet që ne të Politiko.al kemi zgjedhur për të dhënë vlerësimet për ‘Librin më të mirë të vitit’. Të përzgjedhurit tanë kanë dhënë një titull (ose dy) të cilin e konsiderojnë si më të mirin e vitit që lamë pas duke komentuar shkurtimisht zgjedhjen e tyre
Preç Zogaj, poet
“Mbi heronjtë dhe varret”, Ernesto Sabato
Sipas meje, libri më i mire në prozë, botuar në shqip në vitin 2017 është romani “Mbi heronjtë dhe varret” i Ernesto Sabatos, botuar nga Pika pa Sipërfaqe. Një sagë e shkruar me mjeshtëri të jashtëzakonshme, një roman epik, neoklasik, ku fatet njerëzore dhe historia e Argjentinës në periudhën e trazuar të ngjizjes së pavarësisë së saj plazmohen dhe plazmojnë njëra-tjetrën në një dinamikë që vetëm Letërsia e madhe mund ta pasqyrojë.
Arta MARKU, gazetare
“Kokoro”, Natsume Soseki
Kryevepra 2017, në këndvështrimin tim është KOKORO. Është padyshim libri më i mirë që kam lexuar përgjatë këtij viti. Më i miri, për atë që rrëfehet, për zbulimet që të ndihmon të bësh, për analizat nëpër të cilat të udhëheq… por edhe për mënyrën se si rrëfehet. Tek e fundit autori është një shkrimtar i madh, i përjetshëm, sikurse Natsume Soseki. Diku, shkrimtari shqiptar, Agron Tufa shkruan: “Nëse leximi i një vepre letrare shndërrohet nga kënaqësi në barrë, atëherë, si çdo barrë e meriton të hiqet qafe. Sepse leximi është festë, jo torturë. Ka asi festash mbresëlënëse që
të rrënqethin…”. Sadoqë Tufa ia ka atribuuar këto fjalë leximit të një tjetër vepre, unë mendoj se i qëndrojnë pikë për pikë, të njëjtat fjalë edhe KOKOROS së Natsume sosekit. Merret me mend se nuk kemi të bëjmë me një festë në kuptimin e haresë, por të kënaqësisë së leximit, të shijes që merr, të depërtimit në thellësi, të gëlltitjes të vëmendjes, të të gjithë përqendrimit tënd…
KOKORO është një histori që të hyn në mënyrë të pandjeshme nëpër vena dhe të lëvrin me gjakun. Është leksioni i mjeshtrit – senesit për nxënësin. Ky i fundit ka nevojë të mësojë. I pari ka ç’t’i ofrojë. Dhe i ofron përvojën e vet. Një përvojë e jashtëzakonshme. Një leksion jete që ka vlerë absolutisht për të gjithë, në çdo vend e në çdo kohë.
Kokoro na i ndez ngadalë, një e nga një, dritat e errësirës së qenies, duke zbuluar THELBIN, apo zemrën e gjërave, duke na zbuluar KOKORON.
Agron Gjekmarkaj, pedagog i Letërsisë
“Letra grues seme të vdekun”, Gjovalin Gjadri
“Letra grues seme të vdekun” i inxhinierit Gjovalin Gjadri. Një përkthim i spikatur i Ardian Ndrecës nga gjermanishtja, për herë të parë i plotë, në gegërisht. Ky libër është rasti kur kujtesa shndërrohet në Letërsi dhe Letërsia në shpëtim. Një histori dashurie që nuk e pranon vdekjen, ku bashkëbisedimi burrë-grua vazhdon intensiv, pa e pranuar kurrë atë si pengesë, por pa e injoruar si fakt. Letrat e Gjadrit janë unike në Letërsinë shqipe; me to ai shpëton shpirtin e tij dhe rrëfen një dashuri të pakohë, ndryshe nga ‘vuajtjet e djaloshit Verter’ të Gëtes për të cilat me dhjetëra vetë vrasin veten. Gjadri, në një lidhje me Mejreme Toptanin, mes sdash dhe paragjykimesh dëshmon një sërë frakturash që ka pësuar historia e qytetërimit shqiptar, por edhe epërsitë e saj,
njëkohësisht. Ato letra nuk janë sentimentalizëm banal, por një monument madhështor i dashurisë së shndërruar në kujtesë, i kujtesës që rrëfen me një dashuri si ngrehinë teologjike e lozoke, një mbërthesë kjo që konturon më të bukurën konfesionare të marrëdhënieve burrë- grua në kulturën shqipe.
Flutura Açka, shkrimtare
“Liria”, Jonathan Frazen
“Liria”, roman nga Jonathan Franzen, një prej rrëfyesve më të mirë të kohës sonë.
Kur Jonathan Frazen erdhi entuziast në Shqipëri në pranverë të vitit 2012 për një artilkull për National Geographic mbi zogjtë migratorë në lagunat tona, nuk e dinte kërdinë që bënin shqiptarët mbi natyrën e tyre të bekuar nga drita, pasuria dhe bukuria. Kur u largua, si botuese e tij, u këshillua me mua në mund të shkruante një letër për autoritetet shqiptare mbi masakrën gjakatare që po ndodhte me zogjtë (me pasionin e vrojtimit të jetës së të cilëve kishte vite që merrej) dhe kafshët e egra në Shqipëri. E këshillova se një letër e hapur publike, do të
qe më me vlerë se çdo rresht personal për krerët e shtetit, por dikush nëpër zyrat e administratës sonë të lartë, ndër ata që kanë përgjegjësi për mjedisin tonë të korruptuar nga të korruptuarit, e devijoi dëshirën e Franzenit për t’iu drejtuar publikisht shqiptarëve, dhe ajo letër u myk diku në zyrat e Kryeministrisë sonë. Kur qeveria e re në kapërcyellin e pushteteve pas zgjedhjeve të vitit 2013, vendosi moratoriumin e gjuetisë, mendova se frymëzimi u kishte ardhur nga kjo letër që mund ta kishin gjetur rastësisht dhe po vepronin në emër të patriotizmit dhe për ta mbrojtur Shqipërinë, por tunika e kanabisit që iu vesh në pak muaj vendit dhe që zgjati me
vite, më shpjegoi shkujdesjen ndaj një alarmi si të Jonathan Franzen, alarm që është edhe thelbi i romanit “Liria” për botën sot.
“Liria” sjell tundimet dhe barrën e lirisë: drithërimat e epshit adoleshent, kompromiset e lëkundura të moshës së mesme, shtrëngesat e jetës në periferi, peshën e rëndë të perandorisë së kohës. Jonathan Franzen është një kirurg i hollë dhe ka prodhuar me këtë libër një portret të pashlyeshëm e thellësisht prekës të kohës sonë.