Enver Hoxha, diktatori famëkeq i Shqipërisë, kishte një plan të madh për ishullin e Sazanit. Ai donte ta shndërronte atë në një fortesë prej shkëmbi kundër fuqive Perëndimore që ai druhej se mund të pushtonin vendin e tij.
Ishulli më i madh jashtë Shqipërisë, me një sipërfaqe totale prej 5.7 km katror, ai shtrihet strategjikisht midis detit Adriatik dhe Jon, në mes të ujërave territoriale të Shqipërisë dhe Italisë, ose të ashtuquajturit “Kanali i Otrantos”.
Ishulli ka shërbyer prej kohësh si bazë ushtarake. Forcat italiane e pushtuan atë në vitin 1920 dhe vetëm më 22 tetor 1944, drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore, partizanët e Hoxhës e shpallën çlirimin e tij.
Ndërsa Hoxha me krenari deklaroi se Shqipëria kishte “çelësat e kanalit të Otrantos”, duke iu referuar Sazanit, ai filloi punën për ta shndërruar ishullin në një zonë tepër të fortifikuar.
Sovjetikët ndihmuan me municione dhe ekspertizë, ndërsa dhjetëra tunele – disa prej tyre streha anti-bërthamore – u ndërtuan në ishull. Ajo që Hoxha e dinte të bënte më mirë, sigurisht, ishin bunkerët e tij të famshëm. Rreth 3,600 të tillë u ndërtuan në ishull.
Megjithatë, makineria ushtarake që po ndërtohej në Sazan kishte nevojë për njerëz dhe gjatë 46 viteve të sistemit të diktaturës, rreth 10,000 prej tyre qenë të detyruar të jetonin në zonë.
Familjet e ushtarëve, admiralëve dhe gjeneralëve mbushën ishullin, ndërsa ky u pasurua me infrastrukturë, përfshirë shtëpi, salla kulture, shkollat, spitale dhe ndërtesa të tjera për komunitetin. Jeta e njerëzve lulëzoi midis luftës për të siguruar energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Megjithatë, për pjesën tjetër të Shqipërisë, Sazani ishte një vend misterioz dhe legjendë. Për njerëzit që nuk kishin lidhje me jetën në ishull, kjo ishte një zonë e kufizuar.
As rënia e regjimit komunist nuk e ngriti perden në Sazan. Ushtria shqiptare vazhdoi ta përdorte atë si bazë ushtarake, ndërkohë që policia italiane dhe shqiptare tashmë e përdorte për të gjurmuar aktivitete dhe lëvizje të paligjshme midis dy vendeve.
Në vitin 2015 qeveria për herë të parë lejoi shkurtimisht anije turistike nga Gjiri i Vlorës të ndalonin në Sazan dhe njerëzit mund të shikonin ishullin e fshehur dhe të notonin nga plazhet e tij. Por në vitin 2016 ishulli u mbyll përsëri.
Megjithatë, këtë prill, pasi Ministria e Mbrojtjes, Ekonomisë dhe Turizmit arriti një marrëveshje, ata vendosën ta hapnin përsëri këtë ishull për qëllime turistike nga maji në tetor. Agjencitë turistike në Vlorë e kapën menjëherë këtë mundësi.
Joshje për turistët pavarësisht mungesës së faciliteteve
Një mëngjes korriku, në portin e Vlorës, rreth 200 njerëz po prisnin të niseshin për një udhëtim një ditor me varkë në Sazan – udhëtimi përfshinte edhe gadishullin e Karaburunit.
Vendas dhe turistë nga e gjithë bota u mblodhën të emocionuar ndërsa katër ekuipazhe anijesh po bëni marrëveshjet e fundit me autoritetet e portit.
Ruzhdi Ganiki, një biznesmen nga Peja në Kosovë që ka jetuar në Norvegji për 26 vjet, ishte i emocionuar që do të shikonte Sazanin, një ishull për të cilin kishte dëgjuar vetëm në filmat e kohës së komunizmit dhe në lajme, si një bazë ushtarake misterioze në një pozicion strategjik.
“Destinacioni ynë për pushimet verore ishte Saranda, por sapo dëgjova që ishulli i Sazanit ishte një mundësi, e mbajta familjen time dy ditë në Vlorë, vetëm që të kem mundësinë ta vizitoj atë,” tha ai për BIRN.
Lefter Dhima, një nga kapitenët e anijeve që bëjnë turin e ishullit dhe të gadishullit të Karaburunit, tha për BIRN se prania e Sazanit në listën e vendeve ku ata mund të ndalojnë ishte shndërruar në një joshje të madhe.
“Askush s’dëshiron të udhëtojë më me ne, nëse Sazani nuk është në listë,” tha ai. Megjithatë, aksesi i plot në të gjithë ishullin ende nuk është i mundur. Anijet e kanë të kufizuar vendin ku mund të ndalojnë, pasi gjysma e ishullit është ende e zënë nga një bazë ushtarake.
Në orën 19:00 fiks vizitorët e fundit duhet të largohen nga ishulli, ndërkohë që askush nuk lejohet të kalojë natën atje.
15 kilometrat ujë nga porti i Vlorës deri në Sazan përshkohet për rreth një orë e gjysmë, por kjo s’është problem për turistët të cilët mund të shijojnë pamjen e tufave të delfinëve që notojnë ngjitur. Shqiptarët e mbushin kohën e tyre me valle tradicionale që të huajt i ndjekin me padurim.
Megjithatë, guidat turistike kanë shqetësimet e tyre kur bëhet fjalë për plotësimin e nevojave të udhëtarëve pasi në ishull nuk ka ende ndërtesa.
Migen Xhelo, një operator turistik në Vlorë, tha për BIRN se është e vështirë që turistët të rrinë gjatë në ishull, sepse nuk ka bare, restorante, tualete apo facilitete të tjera.
Ajo që turistët mund të gjejnë tani në Sazan janë plazhe të mrekullueshme me ujë të kaltër, pamje të mrekullueshme, tunele, bunkerë të shumtë dhe rrënojat e qytetit të kohës së komunizmit.
Ndërkohë që një rrugë prej betoni i çon ata në kodër, shumë bunkerë dhe tunele fillojnë të shfaqen në horizont, bashkë me ndërtesat ku familjet ushtarake kaluar vite të jetës së tyre.
Ndërtesa e shkollës fillore e quajtur “22 tetori” – sipas ditës së çlirimit – ka 13 klasa që duket se mbajnë jehonat e zërave të fëmijëve në të kaluarën e largët. Nëpër klasa ka ende disa banka të vjetra.
Pallati i Kulturës është shkatërruar gjithashtu, njësoj si teatri veror dhe bari dhe restoranti i dikurshëm i qytetit.
Xhelo beson se nëse turistëve u ofrohet më shumë informacion mbi ndërtesat dhe qytetin e periudhës së komunizmit, e gjithë eksperienca do të ishte shumë më e mirë.
“Vendi është padyshim historik në shumë mënyra. Me jo shumë investime, ai mund të shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm mesdhetar,” tha ai.
Kur vjen puna te investimi dhe e ardhmja e vendit, qeveria megjithatë ka heshtur. Nuk ka dalë asnjë plan publik për Sazanin.
Pavarësisht mungesës së faciliteteve, pas dy orësh endje deri atje, Ruzhdi Ganiki shprehet se ishulli është edhe më i bukur nga sa e imagjinonte ai.
“Unë jam një patriot i madh dhe do të bëj me mijëra kilometra rrugë për të vizituar vende të mira në Shqipëri”, tha ai. “Por tani po flasin instinktet e mia të mira për biznes. Ky ishull është flori”, përfundoi ai. /BIRN