Janë jo të paktë në numër ata të cilët janë të prekur nga sëmundja e diabetit, por nuk e dinë dhe për pasojë nuk marrin as mjekim. Nisur nga ky fakt, mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji i cilëson të dhënat aktuale për numrin e të prekurve veçse maja e ajsbergut. Ndaj, edhe për të kuptuar situatën reale, njëkohësisht dëmin që mund t’i shkaktojmë vetes nuk trajtohemi në kohë, është me rëndësi që të shikohet përtej ‘perdes’, përtej asaj që dihet.
Fokusi, sipas doktorit, nuk duhet të jetë i shkëputur dhe se ka ardhur momenti që edhe ky kontingjent të marrë vëmendjen e duhur, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të parandaloheshin komplikacionet që sëmundja mund të japë. “Shqetësuese nuk paraqiten vetëm statistikat e popullatës së sëmurë diabetike, sepse kjo përben vetëm majën e ajsbergut, por ka ardhur koha t’i drejtohemi pjesës që e ka këtë sëmundje dhe nuk është e diagnostikuar. Përllogaritet që shifra e të sëmurëve diabetikë që e vuajnë këtë sëmundje, por nuk e dinë apo janë të padiagnostikuar, të jetë më shumë se 30% e numrit total të diabetikëve”, pohon Dashamir Gjergji, doktor i shkencave. Nga statistikat e fundit, përllogaritet që në botë të jenë mbi 500 milionë njerëz me diabet, pa llogaritur këtu rastet me paradiabet apo rastet e padiagnostikuara. Ndërkohë, në vendin tonë, shton doktori, mendohet të jenë rreth 200 mijë pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje. “Nga viti 1980 kemi 2,5 herë më tepër raste të prekura nga kjo sëmundje, ku ritmin më të lartë të rritjes e kanë vendet e varfra apo ato në zhvillim. Ky numër kaq i madh jo vetëm në vendin tonë, por ngado, vjen nga shumë shkaqe, ku më kryesoret janë: Mosvajtja për kontrolle periodike mjekësore, orientimi joracional drejt grupeve të riskut si edhe sensibilizim jo optimal dhe mosreagim të popullatës ndaj këtyre informacioneve”.
PARANDALIMI
Diagnostikimi, ndjekja, parandalimi dhe mjekimi janë aspekte të rëndësishme për të ngritur barrierën e parë ndaj atyre që njihen si efekte zinxhirë të një patologjie. Ndërsa e cilëson një “ortek social”, Gjergji thotë se pavarësisht progresit që është bërë, frenimi i pasojave mbetet një mision gati-gati i pamundur, një sprovë që kërkon një angazhim të gjithanshëm. “Me gjithë luftën shumëplanëshe kundër kësaj sëmundjeje në aspektin e formimit të trupës mjekësore, zbulimit të barnave të reja, infrastrukturës diagnostikuese dhe trajtuese, alokimit të fondeve të ndryshme, rezultatet mbeten akoma të pakënaqshme në frenimin e pasojave të këtij orteku social”, shprehet mjeku endokrinolog. Zakonet tona të përditshme, stili ynë i jetesës, janë aspekte të rëndësishme kur bëhet fjalë për diabetin. Ndaj, edhe çdo nismë për ndërgjegjësimin ndaj kësaj sëmundjeje duhet ta ketë zanafillën pikërisht këtu, duke i bërë qytetarët të kuptojnë rolin që luan regjimi ynë ushqimor dhe aktiviteti fizik. Të parandalosh diabetin, vë në dukje doktori, do të thotë ta njohësh atë.
GRUPET E RISKUT
Personat mbipeshë, ata që janë mbi 40 vjeç, që vuajnë nga hipertensioni apo kanë një të afërm që vuan nga kjo sëmundje, janë pjesë e grupit të riskut. “E rëndësishme është që në kuadër të ndërgjegjësimit, strukturat mjekësore përgjegjëse duhet të kenë një qasje sa më racionale në diagnostikimin e diabetit. Kjo duhet kërkuar te popullatat e rrezikuara, në të cilat bëjnë pjesë: Personat mbipeshë dhe obezë, personat që kanë të afërm diabetikë, ata që vuajnë nga hipertensioni, personat që vuajnë nga çrregullimet e yndyrave, ata që bëjnë një jetë joaktive si edhe ata që kanë probleme me stresin, depresionin dhe pagjumësinë. Po ashtu, është me rëndësi që të mos nënvlerësohen shenjat klinike të tilla si etja e shtuar, urinimi i shpeshtë, lodhja, irritimi i mishrave të dhëmbëve, rënia nga pasha pa shkak etj.
KOMPLIKACIONET
Edhe në rastin e diabetit, kërcënimi më i madh mbetet prekja dhe dëmtimi i organeve të tjera. Përveçse kosto shëndetësore, diabeti ka edhe kosto sociale dhe ekonomike. “Diabeti i sheqerit është kthyer në plagë sociale edhe për shkak të komplikimeve të shumta që jep kjo sëmundje, çka ka sjellë rritje të ndjeshme të invaliditetit dhe mortalitetit në mbarë globin. Por mosdiagnostikimi në kohë i diabetit sjell komplikacione të shumta, si në aspektin e rëndimit të menjëhershëm të kësaj sëmundjeje, po ashtu edhe në aspektin e dëmtimeve kronike në organizëm me kalimin e kohës. Dëmtimet e zemrës dhe të enëve të gjakut janë ato që ndodhin më shpesh te rastet e padiagnostikuara, por nuk mungojnë edhe dëmtimet e pamjes, të veshkave dhe të nervave. Rezultatet në frenimin e komplikacioneve do të ishin shumë më pozitive nëse sëmundja diagnostikohet në kohë dhe madje vitet e para të mjekimit janë gur themeli në menaxhimin afatgjatë të kësaj sëmundjeje”, bën me dije doktori.
PARADIABETIKËT
Në kategorinë e personave që janë me diabet, por nuk e dinë, ka edhe nga ata, te të cilët sëmundja mund të konsiderohet “embrionale”. Paradiabeti është një gjendje e karakterizuar nga vlera të larta të sheqerit në gjak, pra, më të larta se norma, por jo aq sa për të diagnostikuar një gjendje diabeti efektiv. “Në diabetologjinë moderne ka vite që flitet për konceptin e paradiabetit, që realisht përbën shumicën e pacientëve të padiagnostikuar. Koncepti i paradiabetit nuk është vetëm klinik, por mbështetet mbi këto parametra biokimikë: Niveli mesatar 3-mujor i sheqerit në gjak ose HbA1c 5.7% – 6.4%, niveli esëll i sheqerit në gjak nga 100 – 125 mg/dl dhe së fundmi niveli pas 2 orëve të ngarkesës me sheqer 140 mg/dl – 199 mg/dl”, thekson Gjergji. Por, cila është skema apo mekanizmi që ndihmon për të penguar avancimin e sëmundjes? Doktori na jep disa këshilla, të cilat bëjnë të mundur reduktimin e rrezikut të kalimit nga paradiabetikë në të sëmurë me diabet. Aktiviteti, të paktën 30 minuta deri 60 minuta në ditë ecje. Ideale është të ushtroheni fizikisht çdo ditë ose minimalisht 5 ditë të javës. Së dyti, rënia nga pesha. Qëllimi është të reduktohet 5% e peshës trupore e për të arritur këtë duhet tentuar të ulen 2 deri ne 4kg 2 -3 muajt e parë. Nevojiten të vendosen objektiva të mundshme në këtë drejtim. Së treti, ushqimi i shëndetshëm, zëvendësoni yndyrat(sidomos yndyrat e ngopura) me produkte ushqimore me të pranueshme. Merrni 5 porcione në ditë fruta dhe perime. Së katërti, gjumi normal. Të evitohen lodhjet ekstreme, punët me orar të zgjatur etj. Gjithmonë në balancë puna dhe pushimi. Dhe së fundmi duhet t’i thoni stop duhanpirjes nëse nuk doni që gjithë jetën të vuani nga diabeti dhe pasojat e tij.
ÇFARË DUHET TË BËJË NJË PERSON ME PARADIABET, QË TË MOS ZHVILLOHET PLOTËSISHT DIABETI NË TRUPIN E TIJ
• Duhet të reduktojnë peshën trupore me të paktën 5% meqenëse diabeti ndodh në 80% të rasteve te njerëzit mbipeshë.
• Mbani peshën ideale. Mbipesha dhe diabeti janë si “motër e vëlla”, ndaj një trup mbipeshë e ka të vështirë të prodhojë dhe të përdorë insulinën rregullisht. Një peshë e shëndetshme ndihmon që të mos prekeni nga tensioni i lartë dhe sëmundje të zemrës. Këshillohet një rënie graduale nga ½ deri 1kg në javë e më pas të mbahet, sesa rëniet e mëdha në të shumtën e rasteve rikthehen në gjendjet e mëparshme.
• Duhet të ushqehen me rregulla sipas regjimeve ushqimore të kësaj kategorie, ku duhet të mbahen parasysh gjithë elementet e një ushqyerje të shëndetshme.
• Ngrënie të rregullta, 3 vaktet kryesore, kjo mban stabël sheqerin në gjak dhe nën kontroll oreksin.
• Duhet të përfshijnë ushqimet me karbohidrate në çdo vakt, si p.sh drithëra, bukë, oriz, makarona, etj..
• Duhet të konsumojnë sa më pak sheqer. Këshillohen të përdoren produkte me nivele të ulura të sheqerit, ose produkte pa sheqer.
• Të konsumojnë më pak yndyra dhe ushqime te skuqura. Ushqimet me yndyrë dhe të skuqurat përbëjnë risk për dëmtime të zemrës si dhe favorizojnë mbipeshën.
• Të konsumojnë fruta dhe perime 5 porcione në ditë. Preferohen të merren fruta dhe perime të freskëta, ose lëngje natyrale frutash. E mira do ishte që frutat të konsumohen gjatë ditës dhe në darkë të shërbehen perime dhe zarzavate.
• Përdorni me kujdes vajin e peshkut. Vaji i peshkut mbron dhe forcon zemrën dhe duhet të jetë të paktën 1 herë në javë pjesë e dietës te këta persona dhe ideale do ishte që kjo sasi të merrej në rrugë natyrale, nga sardelet, salmoni, ton i freskët, makareli etj..
• Të konsumojnë më pak kripë. Kripa e tepërt bëhet shkak për rritjen e tensionit në gjak e për pasojë dëmtime të zemrës dhe të trurit. Duhet të përdorim sa më pak kripë, të mos mbajnë enën e kripës në tavolinë gjatë ngrënies, të përdorin bimë dhe gjëra pikante për shije në vend të kripës.
• Duhen përjashtuar nga dieta ushqimet e procesuara si patatina, fast food, mish i konservuar.
• Duhet kufizuar përdorimi i alkoolit. Rekomandohet të merren sasi të vogla të alkoolit, p.sh 1 gotë verë, 1 birrë ose 1 teke raki në ditë. Nuk duhet tepruar me alkoolin sepse sjell shumë kalori dhe mbipeshë, e për pasojë edhe sëmundje kardiovaskulare. Minimalisht, 1 ose 2 ditë në javë duhet të jenë pa alkool.
• Duhani, për çdo individ me paradiabet që është duhanpirës rekomandohet ndërprerja e menjëhershme e tij. Pirja e duhanit shkakton dëme dhe sëmundje të rrezikshme të organizmit njerëzor.
• Aktiviteti fizik, shtimi i aktivitetit fizik ndihmon në djegien e kalorive si dhe në mbajtjen në formë te organizmit ashtu edhe në normalizimin e peshës trupore. Rekomandohet ecja, noti, vozitja me biçikletë, sporte të lehta dhe të rënda sipas kondicioneve fizike të gjithsecilit.
GRUPE RISKU PËR DIABET
• Personat mbipeshë dhe obezë
• Personat mbi 40 vjeç (sidomos mosha e tretë)
• Persona që kanë të afërm diabetikë
• Personat që vuajnë nga hipertensioni
• Personat që vuajnë nga çrregullimet e yndyrave
• Personat që bëjnë një jetë joaktive
• Personat që vuajnë nga probleme të stresit, depresionit, pagjumësisë etj.
• Personat që sëmuren shpesh nga sëmundje infektive, ose me imunitet të dobët
PANORAMA
ma.me