Ditën e djeshme një sherr, që u shoqërua dhe me përdorimin e shkopinjve të basketbollit, ndodhi në Bashkinë e Dibrës mes anëtarëve të PS-së dhe PDIU-së. Burime bëjnë me dije se është lënë në burg pa afat zv.kryetari i Bashkisë Ernolt Cani i cili akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”.
Cami u arrestua mbrëmjen e djeshme pasi rreth orës 09:05, të së mërkurës kur ai në bashkëpunim me një tjetër person aktualisht i shpallur në kërkim kanë goditur me sende të forta për shkak të detyrës në zyrën e tij Drejtorin e Burimeve Njerëzore në Bashkinë Dibër, Drini Mataj.
Nga konflikti mbetën të plagosur tre persona që morën kujdesin mjekësor në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me ngjarjen, policia shoqëroi një ditë më parë edhe kryebashkiakun Muharem Rama. Mësohet se shkak për konfliktin ka qenë emërimi i Drini Mataj, i cili vjen nga jugu i vendit, Drejtor të Burimeve Njerëzore në Dibër.
Sipas numrit dy të bashkisë, Ernolt Cani, emërimi i tij është bërë për të larguar nga puna në Bashki përfaqësuesit e PDIU, të cilët kanë qenë në koalicion lokal me PS në zgjedhjet bashkiake të Dibrës në shtator 2016.