Nga Eno Çollaku
Një vizitë e cila mund të kishte qenë shumë here më e rëndësishme për nga rezultatet e saj, përfundoj me atë konferencë atraktive për nga deklaratat, por boshe për nga thelbi, midis Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe homologut të tij grek, Nikos Kotzias.
Ministri grek arriti me sukses të banalizojë një konference me lapsuset e tij si dhe të na “hipnotizojë” me një retorikë romantike rreth fqinjësisë së mirë midis dy vendeve, të bazuar në marrëdhëniet njerëzore, e cila është e aftë te kapërcejë probleme të natyrës strategjike dhe teknike, duke anashkaluar mjetet për ta bërë diçka të tillë.
Për sa i përket pjesës “humoristike” të konferencës, ajo filloi me një helenizim të sikletshëm të një kombinimi autokton të emrit ditë dhe ndajfoljes mirë që formojnë emrin i Ministrit tonë, Ditmir, i cili, në rastin në fjalë shijoi me pahir “dhimitrizimin” e emrin të tij, ashtu si dhe qindra mijë emigrantë shqiptarë në Greqi, të cilët ju desh të hiqnin dorë nga emrat e tyre të lindjes dhe identitetit personal. Vetë Ministri grek nuk e harron këtë zakon te shtetit fqinjë, që edhe shumë e shumë arvanitas të shquar, i ka servirur tek publiku i vet si grekë të devotshëm.
Ndërsa për sa i përket pjesës së mbetur të konferencës, e vetmja gjë që mund të thuhet se ka qenë pozitive, është fakti që tashmë Tirana dhe Athina zyrtare, zyrtarisht bien dakord që nuk janë dakord! Shqipëria tashme nuk rresht së beri të qartë pozicionin e saj të prerë rreth “marrëveshjes” të detit të mbetur në tentativë, që një zgjidhje mund te vijë, nëse jo me marrëveshje dypalëshe, me ndërhyrjen e një pale të tretë, si dhe rreth çështjes së “ligjit të luftës” që lidhet direkt edhe me çështjen çame.
Ministri grek deklaronte si një aventurier romantik, që këto çështje nuk ekzistojnë dhe se popujt dhe shtetet tona janë në harmoni me vetveten dhe reciprokisht. OXI! Nëse ju zoti Katzia jeni të pastër në ndërgjegjen tuaj, atëherë miratojeni ketë shfuqizim të ligjit në Parlamentin tuaj dhe atëherë shqiptarët e Çamërisë, të privuar nga pronat e tyre për shkak të këtij ligji, nuk kanë nevojë farë për gjykatat tuaja. Nëse vendosni ama të vazhdoni me te njëjtën retorikë, atëherë kuptohet që thjesht nuk jeni akoma gati për ta parë të vërtetën drejt e në sy!









