Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Korçës, pasi janë kapur duke kontrabanduar rroba.
Policia sqaron se janë arrestuar shtetasit E. B. dhe V. B., të cilët kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe transportonin konfeksione të ndryshme (rroba) që i kishin futur kontrabandë.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi D. B., i cili rezulton të jetë porositësi dhe pritësi i mallrave.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E.B, 25 vjeç dhe V.B, 44 vjeç, si edhe po punohet për kapjen e shtetasit D.B.,30 vjeç, të tre banues në fshatin Menkulas, Devoll.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në hyrje të fshatit Menkulas, kanë konstatuar shtetasit E.B. dhe V.B., të cilët kishin kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme dhe po transportonin konfeksione të ndryshme (rroba) që i kishin futur kontrabandë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera, shtetasi D.B., i shpallur në kërkim, rezulton të jetë porositësi dhe pritësi i mallrave.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim”, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.