Grabitja spektakolare datës 9 shkurt 2017 në aksin Tiranë-Rinas, nuk ëshë e vetmja e grupit të arrestuar sot nga Policia e Tiranës përmes një operacioni të gjerë në zonën mes kryeqytetit dhe Vorës. I njëjti grup ka kryer edhe grabitjen e datës 3 dhjetor 2015, po në aksin Tiranë-Rinas, ku në afërsi të Qafës së Kasharit u sulmua me armë eskorta e vlerave monetare që po transportoheshin nga kompania private e sigurimit “Rogat Security”. Ishin sërish para të një banke të nivelit të dytë që po transportoheshin drejt aeroportit të Rinasit, për t’u dërguar jashtë vendit. Nëse i krahason të dy ngjarjet zbulon se skema e grabitjes në të dy rastet është gati e njëjtë.
Grupi i armatosur me maska dhe pajime policie, sulmon me armë eskortën që shoqëron paratë. Më pas nën kërcënimin e armëve zbraps rojet private që shoqërojnë paratë dhe brenda dy minutash merr thesët me lekë. Në rastin e grabitjes së Kasharit rreth një vit më parë, autorët me anë të një sendi kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar dhe kanë zbritur me forcë punonjësit e policisë private duke i shtrirë në tokë, dhe pasi kanë marrë sasinë e lekëve janë larguar me automjetin e tyre.
Ndërkohë edhe në rastin e grabitjes së datës 9 shkurt 2017, autorët kanë vepruar po në të njëjtën mënyrë. Ata kënë qëlluar me armë gomën e përparme të makinës së parë dhe me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar duke zbritur me forcë punonjësit e policisë private dhe duke i shtrirë në tokë. Në të njëjtën kohë një tjetër automjet i dyshuar i autorëve kanë sulmuar makinën e shoqëruese të dytë te shoqërisë private duke neutralizuar punonjësit e shoqërisë private të cilët ndodheshin në të. Pasi kanë marrë sasinë e parave, ata janë larguar me të dy automjetet e tyre. E përbashkëta tjetër e këtyre dy ngjarjeve kriminale është gjithashtu edhe fakti se në përfundim të çdo grabtije, grupi i digjte automjetet jo shumë larg vendngjarjes dhe më pas zhdukej me makina të tjera.
Pas grabitjes në Qafën e Kasharit autorët e braktisën automjetin e tyre tip “Fuoristradë” në afërsi të City Park dhe i vunë flakën. Ndërkohë pas grabitjes së disa ditëve më parë pranë Rinasit, automjetet e djegura të autorëve u gjetën në afërsi të Urës së Limuthit. Policia tha sot se pas hetimeve dhe informacioneve në rrugë operative është arritur të provohet dhe dokumentohet implikimi i të paktën 6 personave në këto dy supergrabitje.
Të arrestuarit janë: Fation Xhyliu , 33 vjec, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish punonjës i kompanisë “Rogat Security”, kompani që kryente transportin e parave të grabitura më 3 dhjetor 2015. Ditjon Memlika, 31 vjec, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake. Neim Avdulaj, 28 vjec, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit. Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre.
Ndërkohë Lapsi.al mëson se kreu i këtij grupi kriminal, shtetasi me inicialet A.N, nuk është kapur ende. Forcat RENEA vijojnë operacionin në zonën e Farkës. Policia dyshon se po i njëjti grup ka gisht edhe në grabitjen e Union Bank pranë stacionit të Trenit në Tiranë, ngjarje e ndodhur më datë 13 shkurt 2015. Por deri më tani kjo grabitje nuk është provuar./lapsi.al










