Janë mbushur 24 orë nga vrasja e Artan Murtajt, i njohur në qytet si “Tani i Ruzhdiut”, ndërsa policia kriminale e Sarandës nuk ka arritur ende të identifikojë apo lokalizojë autorët e ngjarjes.
Hetimet paraprake tregojnë se ekzekutimi ka të njëjtën dinamikë me atentatin e dështuar ndaj Thimio Rubatit, të regjistruar në korrik 2026 po në qendër të Sarandës. Në të dyja rastet, ekzekutorët udhëtonin me motor dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Në ngjarjen e mëparshme, autorët e braktisën motorin në zonën e quajtur “Kasollet” dhe u larguan me mjet lundrues, ndërsa për vrasjen e Murtajt policia vijon kontrollet në Sarandë, Ksamil dhe Delvinë për gjetjen e mjetit të përdorur.
Krimi i rëndë dyshohet se lidhet me përplasjen mes grupit të Ervis Lamit dhe grupit të drejtuar nga Ramadan Zoto (alias Canaj), ky i fundit aktualisht në burg. Victima, 42-vjeçari Artan Murtaj, rezultonte i skeduar nga drejtësia pasi u arrestua në korrik 2025 për “përkrahje të autorit të krimit” lidhur me plagosjen e Ernest Lames dhe Gëzim Hajdarajt pas një konflikti për pronat në bregdet, por më vonë u lirua nga burgu.
Ngjarja e djeshme ndodhi në qendër të qytetit, vetëm 67 metra larg godinës së Komisariatit të Policisë së Sarandës. Trupi i viktimës qëndroi për rreth një orë në rrugë, ndërsa në vendngjarje mbërriti më parë nëna e viktimës se sa drejtuesit e policisë vendore.










