Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv në Greqi, ku futbollisti 16-vjeçar me origjinë shqiptare, Gjana Asllan, ka ndërruar jetë të martën në spital, si pasojë e dëmtimeve të rënda të pësuara gjatë një ndeshjeje zyrtare.
Ngjarja tragjike ndodhi të dielën në stadiumin e Panagias në ishullin e Thasos, gjatë sfidës ku i riu po luante për ekipit e tij Byronas Kavala. Që në minutën e dytë të lojës, pas një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli nga vija e fushës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin mbrojtës të stadiumit, duke humbur menjëherë ndjenjat. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve dhe dërgimit në repartin e terapisë intensive në spitalin e Kavalës, adoleshenti nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të rënda.
Policia e Thasos në bashkëpunim me Prokurorinë e Kavalës kanë nisur hetimet për të verifikuar nëse stadiumi përmbushte standardet e kërkuara të sigurisë. Objekt i verifikimeve do të jetë distanca e gardhit nga vija e fushës, licencimi i impiantit sportiv, si dhe përgjegjësitë e organizatorëve për ndeshjet e kategorive të moshave të reja. Hetimet pritet të plotësohen me dëshmitë e dëshmitarëve dhe raportin mjeko-ligjor.











