Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka prezantuar prioritetet dhe masat konkrete që do të ndërmerren për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik, kontrollin e territorit, rendin publik dhe forcimin e shtetit ligjor.
Sipas tij, rritja e numrit të turistëve në vend ka sjellë edhe nevojën për masa të shtuara sigurie në të gjithë territorin.
“Në një kohë kur kemi arritur në 12 milionë turistë, kjo sjell edhe rritjen e masave të sigurisë për sezonin veror. Rritja e flukseve të pushuesve dhe si policia, ashtu edhe strukturat e tjera, kanë marrë masat përkatëse për garantimin e sigurisë dhe trajtimin miqësor nga pikat kufitare, që është perceptimi i parë që krijohet për vendin tonë”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se gjatë verës do të ketë shtim të efektivëve në terren, veçanërisht në zonat turistike dhe plazhet me fluks të lartë pushuesish. Nga 1 korriku deri më 31 gusht do të zhvillohen patrullime 12-orëshe, ndërsa do të ngrihen edhe stacione provizore policore pranë zonave turistike si Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjiri i Lalzit dhe Ksamil.
Po ashtu, ministri theksoi se do të shtohen sportelet e trajtimit të pasagjerëve në portet dhe aeroportet e vendit, me qëllim lehtësimin e procedurave të hyrje-daljeve.
“Kemi shtim të efektivëve në terren, në zonat me fluks dhe plazhet. Do të kemi patrullime 12-orëshe nga 1 korriku deri më 31 gusht, ngritjen e stacioneve provizore pranë zonave turistike, si në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalzit dhe Ksamil, si dhe shtimin e sporteleve të trajtimit të pasagjerëve në portet dhe aeroportet e vendit.
Shqipëria po spikat për afërsinë e kapaciteteve policore të pasagjerëve që hyjnë në vendin tonë, kur koha e hyrjes në Rinas është minimizuar në pak sekonda përmes e-Gates dhe e njëjta gjë do të ndiqet edhe në portin e Durrësit dhe Sarandës, që të kemi lehtësim të procedurave. Nga ana tjetër është edhe funksionimi i plotë i forcave të policisë detare, ku kontrolli do të rritet kryesisht në plazhet e vendit”, tha Lamallari.
Ministri paralajmëroi gjithashtu forcim të bashkëpunimit me Guardia di Finanza për monitorimin e territorit kundër kultivimit të kanabisit.
“Një tjetër lajm është forcimi i bashkëpunimit me Guardia di Finanza për kontrollin e territorit për kultivimin e kanabisit, ku nga 1 maji 2026 deri më 31 tetor janë planifikuar 200 orë fluturimi, 20 orë shtesë nga viti i shkuar, ku do të kemi përdorimin e helikopterit me sensor të dedikuar dhe një avioni që do të përcjellë koordinatat në kohë reale’, tha ai.
Në fjalën e tij, ministri ndaloi edhe te siguria në shkolla, duke njoftuar nisjen e projektit “Smart City”.
“Për sigurinë e shkollave do të nisim zbatimin e projektit “Smart City”, ku do të fillojmë me 20 shkolla në Tiranë si projekt pilot për t’u shtritë më pas në të gjithë vendin”, tha Lamallari.











