Dy kompanitë pjesëmarrëse në garën për zonën ekonomike të Spitallës, konsorciumi kinez “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, dhe kompania italiane “RENDUR4”, janë skualifikuar nga gara për mungesë dokumentacioni, bënë të ditur për ATSH-në, burime nga ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Sipas burimeve, ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka njoftuar zyrtarisht dy kompanitë pjesëmarrëse, atë kineze dhe italiane se janë skualifikuar për mungesë në dokumentacion.
Tenderi ndërkombëtar për zhvillimin e zonës teknologjike të Spitallës në qarkun e Durrësit u hap në qershor të vitit të kaluar. Përmes tij, qeveria shpresonte të tërhiqte mbi 1 miliardë euro investime. Në fund të tetorit, vetëm dy kompani dorëzuan oferta. E para ishte konsorciumi i kompanive kineze “Zhejiang Haiteng Investment Co., Ltd” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co.Ltd”, oferta e të cilëve parashikon një vlerë investimi në shumën e 1.5 miliardë USD për 9 vite dhe synonte hapjen e 90 mijë vendeve pune. E dyta ishte kompania italiane “RENDUR4”, që nuk prezantoi një ofertë financiare.