“Dyshimi është tradhti.” Për Nicolás Maduro, ishte një dogmë. Ai e përsëriste në mitingje, në televizion, gjatë mbledhjeve ushtarake. Ia kujtonte vetes në takimet e ngushta me mbështetësit e tij më besnikë duke kërkuar në sytë e pjesëmarrësve shenjën më të vogël të hezitimit. E përsëriste para se të flinte të premten: askush nuk do të dorëzohet. Të gjithë i bindeshin, të gjithë vazhdojnë ta bëjnë në këto orë pasigurie. Ai ishte i detyruar vetë t’i bindej, shkruan La Repubblica.
Ish-drejtuesi i metrosë dhe udhëheqësi i sindikatës së transportit, i cili u bë president i Venezuelës me emërimin e mentorit të tij, Hugo Chávez, sigurisht që nuk priste që tradhtia të vinte nga një oficer anonim i ushtrisë. Një spiun udhëhoqi sytë e dronëve amerikanë që kishin skanuar qendrën e Caracas dhe veçanërisht perimetrin e Fort Tiuna, kompleksi i madh dhe i mbrojtur rëndë ushtarak ku udhëheqësi çavist kishte gjetur strehë gjatë javëve të fundit për tri javë. Një komandë e Delta Force shkoi ta kërkonte në dhomën e tij të gjumit. E zgjuan, e ngritën me forcë dhe e morën larg së bashku me gruan e tij, Cilia Flores.
Shkëlqimi dhe rënia e burrit më të adhuruar dhe të urryer të Venezuelës përmblidhen në 13 vite pushtet. Historia e tij politike nis më 5 mars 2013. Atë ditë, vdiq protagonisti i revolucionit më të rëndësishëm politik dhe shoqëror të Venezuelës. Hugo Chávez, një ish-nënkolonel që konsiderohet si babai i ndryshimit bolivarian që ka marrë emrin nga Simón Bolívar.
Vetë Chávez e krijoi Nicolás Maduro si pasardhësin e tij. Ai e shpërbleu për besnikërinë e treguar që pas grushtit të dështuar të shtetit më 1992. Maduro e kishte mbështetur, këshilluar dhe ndjekur në disa role qeveritare, përfshirë Ministër Industrie, Punët e Jashthme dhe zv/president. La Repubblica ishte e pranishme në funeralin e mbajtur në Caracas dhe dëshmoi deklaratat ku ai mirëpriti ngjitjen drejt asaj që e quante mision hyjnor.
Njeriu që tani është fotografuar me sy të lidhur dhe pranga në një anije ushtarake amerikane, u përpoq të imitonte idhullin e tij. Megjithatë, dyshja kishte karaktere dhe kulturë të ndryshme. Chávez kishte karizëm dhe ia dedikoi gjithë energjinë e vet transformimit të një shoqërie klasiste duke rikthyer krenarinë e popullit indigjen të margjinalizuar nga pushteti, Maduro u shfaq më i pasigurt dhe konfuz në strategjinë politike. Ai dështoi në shumë objektiva, nuk kontrollonte dot inflacionin dhe e rrethoi veten me njerëz që mendonin më shumë për pushtetin sesa për vendin. Ai nuk ishte gati për detyrën që iu besua. Pasojat e thuajse tri dekadave të presidencës janë katastrofike. Ekonomia e Venezuelës ka pësuar kolaps, korrupsioni është shpërndarë dhe paaftësia mbizotëron. Vendit me rezervat më të mëdha të naftës në botë shpesh i ka shteruar nafta, ka pakësuar drastikisht prodhimin bruto dhe tregtinë. Popullsia është varfëruar.
Pas fitores së tre zgjedhjeve, Maduro përdori grusht të hekurt kudnrejt opozitës. Ai shtypi protesta masive duke lënduar e vrarë me qindra. Arrestoi udhëheqës politikë, zyrtarë, gaztetarë, intelektualë e akademikë. Përdori sistemin e drejtësisë për të bllokuar kundërshtarët dhe kushtetutën për të ngadalësuar konkurrentët e mundshëm. Ai manipuloi qartazi zgjedhjet e fundit. Detyroi mbi 4 milionë njerëz, shumica të rinj, që të largoheshin nga vendi duke krijuar diasporën më të madhe të vendit në shekullin e fundit.
Ndryshe nga çfarë mendohet zakonisht, Maduro udhëhoqi vetëm. Ai nuk i besoi askujt. Dyshonte këdo. Trembej për jetën e tij. i ishte kthyer në një fiksim. Kjo është arsyeja pse rrethohej vetëm nga katër besnikë. Ata janë ende në Caracas duke nxitur popullin që të rezistojë pa iu dorëzuar panikut. Ata janë një grua, zv/presidentja Delcy Rodríguez dhe tre burra: vëllai i saj, Jorge, ministër i Komunikimit, Vladimir Padrino López, ministër i Mbrojtjes dhe Diosdado Cabello, më radikali i grupit, ministër i Brendshëm dhe Sigurisë. Mes tyre, është e paqartë se kush do t’i marrë frerët e pushtetit. Askush nuk guxon. Do të ishte tradhti. Pastaj, Donald Trump tashmë ka thënë se SHBA-të do të udhëheqin. Menjëherë.











