Tani që planet e Hungarisë për rikthimin në fuqi të dënimit me vdekje, kanë vënë në lëvizje gjithë Bashkimin Europian, tema e nxehtë e dënimit kapital është rishfaqur në Europën moderne, ku besohej se ky ritual i përkiste tashmë historisë. Vlen të shihet edhe një herë se çfarë përhapje ka dënimi me vdekje sot në botë, për të kuptuar peshën dhe rëndësinë e problemit.
Dënimi me vdekje vazhdon të praktikohet në 36 vende të botës. Ndërkohë 103 shtete e kanë shpallur të paligjshëm këtë lloj dënimi për të gjitha llojet e krimeve, kurse 6 shtete e kanë nxjerrë nga përdorimi për krime të zakonshme (duke e mbajtur atë për rrethana speciale, siç janë krimet e luftës). 50 shtete e kanë anulluar de facto dënimin me vdekje (pra, s’e kanë përdorur në dhjetë vjetët e fundit).
Afërsith të gjitha vendet e botës e ndalojnë ekzekutimin e individëve nën moshën 18 vjeç. Vetëm Irani dhe Arabia Saudite e Sudani kanë kryer dënime me vdekje në këtë moshë. Bashkimi Europian e ndalon praktimin e dënimit me vdekje për vendet anëtare, me anë të nenit 2 të Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian. Këshilli i Europës, i cili ka 47 vende anëtare, gjithashtu e ndalon përdorimin e dënimit me vdekje.
Megjithatë sot 60% e njerëzimit jetojnë ende në vende ku dënimi kapital nuk është shpallur jashtë ligjit, si Kina, SHBA, India dhe Indonezia.
Shqipëria, një foto e vitit 1992
Fotoja që po botojmë dokumenton dënimin e fundit me vdekje të zbatuar në Shqipëri në 25 qershor 1992. Bëhet fjalë për një varje në mes të qytetit të Fierit, një vit e gjysëm pas rënies së komunizmit.
Dy të dënuarit në foto janë vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit dhe u shpallën fajtorë për atë që mori emrin si “Masakra e Libofshës”. Në 29 maj të vitit 1992 dy vëllëzërit hynë në mesnatë në banesën e familjes Puto, për të vjedhur. Ata vranë djalin e vogël të shtepisë bashkë me nusen e tij. Më pas vranë babain dhe nënën dhe në fund vranë edhe mbesën 8 muajshe të familjes.
Shqipëria e anulloi formalisht dënimin me vdekje në 1 tetor të vitit 2000









