Nga Sadiola Xhelili
Vite më parë, qëndrimi kundrejt mbrojtjes nga dielli ishte thuajse i monopolizuar: Duhet patjetër kremi i diellit dhe s’ka vend për diskutim.
Por tani bota e dermokozmetikës nuk është më aq e qetë.
Shumë zëra kundër përdorimit të kremit mbrojtës kanë dalë në dritë – dhe jo me influencë të papërfillshme, përkundrazi. Kanë siguruar një bazë të fortë të njerëzve anembanë që i ndjekin dhe i përcjellin këshillat e tyre.
Një prej tyre është Barbara O’Neill. Një naturoterapiste australiane e njohur për pikëpamjet e saj alternative për shëndetin.
Më konkretisht, ajo pretendon se kremrat komercialë të diellit përmbajnë kimikate të rrezikshme dhe përbërës si oxybenzone, avobenzone, octinoxate, të cilët, sipas saj, mund të përthithen nga trupi dhe të ndikojnë në sistemin endokrin, madje të kenë lidhje me kancerin apo çrregullime hormonale.
O’Neill argumenton se ekspozimi në diell është thelbësor për sintezën e vitaminës D dhe se shmangia nga dielli apo përdorimi i kremrave që bllokojnë rrezet UV dëmton shëndetin në plan afatgjatë.
Por shumë nga këto deklarata të saj janë konsideruar nga kritikët si pseudo-shkencë. Po ashtu specialistë të fushës kanë vërshuar në kundërpërgjigje ndaj deklaratave të tilla.
Mirëpo, opinioni publik mes kësaj lufte të hapur hipotetikisht mbetet i çorientuar, pa një rrugë se çfarë të zgjedhë në të mirë të shëndetit.
Ndaj Albanian Post ka kontaktuar mjeken dermatologe Jorida Memini për t’u qartësuar mbi këto dilema me të cilat ndeshemi veçanërisht gjatë sezonit të verës.
Larg të qenit në mbrojtje të njërës apo tjetrës palë, por për përgjigje të sinqerta.
“Unë jam mjeke, ashtu siç jam edhe nënë, qytetare dhe njeri njësoj si ju ndaj mundohem të jem e kujdesshme në çdo zgjedhje apo opinion. Sa herë afrohet vera, shpërthejnë diskutimet: ‘Mos e vendos, është plot kimikate!’, ‘Po, por pa të, rrezet UV të dëmtojnë lëkurën!’, ‘Duhet ta përdor çdo ditë? Apo vetëm në plazh?’, ‘Po vitamina D?’”.
Për dermatologen, të gjitha këto janë pyetje të vlefshme.
Zgjedhje të sigurta, jo shmangie
“Është e vërtetë që disa përbërës të kremrave kimikë si oksibenzona apo oktinoksati janë vënë në qendër të vëmendjes për efektet e mundshme hormonale ose ndikimin në mjedis, veçanërisht në sistemet ujore. Por është gjithashtu e provuar shkencërisht se ekspozimi ndaj rrezeve UV, pa asnjë lloj mbrojtjeje, shkakton plakje të parakohshme, njolla kafe, dëmtime të AND-së së qelizave dhe rrit rrezikun për kancer të lëkurës”, dallon Memini.
Ajo shprehet e bindur pro përdorimit të kremit të diellit, por jo “verbërisht”.
“Ja disa parime qe kam: Zgjedh kremra fizikë (mineralë) me zink oksid ose titanium dioksid për fëmijët dhe për zonat e ndjeshme të fytyrës. Lexoj etiketat. Shmang përbërës që kanë lidhje me irritime apo alergji. E vendos përditë, sepse rrezatimi UV është aty edhe kur ka re. E kombinoj me kapele, syze, hijet e pemëve dhe evitoj oraret e pikut te rrezatimit diellor. Dhe jo, nuk më mungon vitamina D, sepse nuk ka nevojë për dy orë nën diell për ta marrë”.
Dermatologia Memini është për zgjedhje “të vetëdijshme”, kështu i quan ajo zgjedhjet e bazuara në informacion dhe për produkte të kontrolluara, të përshtatshme për llojin e lëkurës dhe për situatën e individit.
“Zgjedh kremra mineralë për fëmijët dhe për veten time në zonat e ndjeshme, shmang përbërës të dyshimtë dhe e përdor çdo ditë si pjesë të rutinës, jo vetëm kur shkoj në plazh. Disa përbërës të kremrave kimikë janë vërtet subjekt i diskutimeve shkencore për efektet e tyre të mundshme sistemike”, ravijëzon mjekja.
Sipas saj, studime të caktuara kanë treguar se disa nga këto substanca mund të përthithen nga lëkura dhe të gjenden në gjak. Megjithatë, sasia dhe ndikimi i tyre në organizëm janë ende të debatueshme dhe deri më sot nuk ka prova përfundimtare që të lidhin këto nivele me dëmtime konkrete shëndetësore te njerëzit.
“Nga ana tjetër, dëmi nga rrezet UV është i mirëdokumentuar dhe i padiskutueshëm. Ekspozimi kronik pa mbrojtje ndaj rrezeve ultraviolet është një nga faktorët kryesorë në plakjen e parakohshme të lëkurës dhe zhvillimin e kancerit të lëkurës”, thekson ajo.
Frika për karcinomat
Por ekziston edhe një hipotezë tjetër, sipas të cilës, përdorimi i kremrave mbrojtës jo vetëm që nuk sjell përfitime, por arrin të shkaktojë edhe dëme në lëkurë. Dhe mbrojtësit e kësaj teze ngrenë pyetjen: “Pse ka patur shtim të rasteve me kancer të lëkurës edhe pse mbrojtja në vitet e fundit është rritur”?
Madje dyshojnë te shkaktimi i kancerit të lëkurës nga rrezet e diellit, pasi sipas tyre në shumicën e rasteve kanceri i lëkurës nuk shfaqet në zona, të cilat janë të ekspozuara nga dielli, por përkundrazi në zona që për një kohë të gjatë të vitit qëndrojnë të mbuluara.
Sa i përket karcinomave të lekurës që shfaqen edhe në zona jo të ekspozuara drejtpërdrejt, kjo ndodh – referuar dermatologes – për disa arsye.
Së pari, jo të gjitha format e kancerit të lëkurës janë të lidhura ekskluzivisht me diellin. “Faktori gjenetik, sistemi imunitar, mjekime të caktuara apo dëmtime të mëparshme të lëkurës luajnë gjithashtu rol”.
Së dyti, ekspozimi ndaj rrezeve UV nuk është gjithmonë i dukshëm – mund të ndodhë edhe përmes rrobave të holla ose xhamave. “Shpesh mendimin pro ndaj kremrave të diellit e lidhin me përfitimin nga kompanitë e mëdha farmaceutike. Po mendimet kundër a janë aq të sinqerta? Nëse ndjek paratë, gjithmonë gjen një interes”.
Memini tregon se, nga njëra anë janë markat që shesin kremra “natyralë” apo “tox-free”, shpesh me çmime më të larta dhe me marketing që ushqen dyshime ndaj produkteve të zakonshme. Dhe nga ana tjetër janë blogerët, influencuesit e mediave sociale dhe disa media që përfitojnë nga klikimet apo komentet që gjeneron frika dhe mosbesimi ndaj mjekësisë apo institucioneve.
“Kjo ‘industri alternative’ është e sofistikuar ne argumente kundër, por jo gjithmonë e ndershme në qëllim. Dhe ironia më e madhe? Shumë nga ata që ‘kanë frikë nga kremi për shkak të përthithjes sistemike’, përdorin çdo ditë make-up, deodorant, kremra trupi, shampo, parfume, me dhjetëra kimikate që përthithen njësoj ose më shumë. Por është bërë më ‘trendy’ të kemi frikë nga kremi i diellit sesa nga rutina jonë reale kozmetike”.
Në përfundim, kundërshtitë ndaj kremrave të diellit – sipas dermatologes – janë të shumta me tre argumente që përmenden shpesh: Përthithja e kimikateve dhe ndikimi hormonal; Ndërprerja e sintezës së vitaminës D; Rritja e rasteve me kancer të lëkurës, pavarësisht përdorimit më të madh të kremrave në dekadat e fundit.
Por Memini si mjeke, ka argumentet kundër.
“Përthithja e kimikateve – Po, ndodh. Por a është problematike? Disa filtra kimikë si oksibenzona, avobenzona, oktinoksati janë zbuluar në gjak në disa studime. Kjo ka ngritur pikëpyetje për efektet sistemike, veçanërisht hormonale. Megjithatë, përthithja nuk barazohet automatikisht me dëmtim. Një substancë mund të kalojë në qarkullim pa shkaktuar dëme në nivelet që hasen realisht. Por kjo nuk do të thotë që shqetësimi të shpërfillet. Ndaj shumë vende kanë filluar të rishikojnë listën e përbërësve të lejuar, dhe pacientët kanë të drejtë të zgjedhin më të sigurtët, sidomos në grupet e ndjeshme si fëmijët, gratë shtatzëna, apo ata me sëmundje autoimune”.
Kundërargumenti i dytë është për Vitaminën D.
“A ndalohet prodhimi i saj nga kremi? Po, kur kremi aplikohet siç duhet dhe në sasi të mjaftueshme, mund të bllokojë sintezën e vitaminës D në lëkurë. Por në praktikë, shumica e njerëzve nuk e përdorin as rregullisht, as në sasi të plotë, dhe gjithsesi ekspozimi në mëngjes apo përmes zonave të pambuluara vazhdon të kontribuojë në sintezën e vitaminës D. Për më tepër, vitamina D është një problem i menaxhueshëm – mund të matet në analizat e zakonshme dhe të suportohet me ushqim ose suplementim, ndërkohë që dëmet nga dielli shpesh janë të parikuperueshme”.
I treti…
“Pse janë shtuar rastet me kancer të lëkurës pikërisht kur kremrat përdoren më shumë? Kjo duket si kontradiktë, por ka disa faktorë që e shpjegojnë: Jetojmë më gjatë, dhe rrezatimi UV është kumulativ. Shkojmë më shpesh me pushime, ekspozimi ka ndryshuar, sidomos pas viteve ‘60 kur ndryshoi kultura e nxirjes. Dëmet nga rrezet UV fillojnë në fëmijëri, por kanceri mund të dalë dekada më vonë. Dhe një faktor i fundit: ne tani diagnostikojmë më shumë, teknologjia ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë për të zbuluar edhe kanceret në faza shumë të hershme. Pra, nuk është se kremi shkakton më shumë kancer, por që mbrojtja ka qenë shpesh jo e mjaftueshme apo e pakombinuar me masa të tjera si kapele, rroba, orare të mbrojtura”.
Kimik apo fizik?
Se cila është zgjidhja më e mirë për mbrojtje të sigurt, dermatologia thellon dallimin mes filtrave fizik e atyre kimik.
Filtrat fizikë/mineralë (si zink oksidi dhe titanium dioksidi) janë më të sigurt për fëmijët, lëkurën sensitive dhe nuk përthithen në gjak, sipas Meminit.
“Ata krijojnë një barrierë fizike dhe janë më të qëndrueshëm ndaj dritës. Filtrat kimikë janë më të lehtë për teksturën, më të padukshëm, më praktikë për përdorim ditor nën makijazh, por disa prej tyre janë më të diskutueshëm për përthithjen sistemike”.
Megjithatë, ajo sugjeron një qasje të personalizuar.
“Për fëmijët, shtatzënat dhe pacientët me sëmundje inflamatore – vetëm mineralë. Për përdorim të përditshëm në persona të shëndetshëm – kombinim të filtrave të avancuar, që janë të stabilizuar dhe të miratuar nga autoritetet përkatëse”.
Ajo tregon po ashtu se Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka ndarë përbërësit aktivë të kremrave të diellit në tre kategori:
1-Të njohur si të sigurt dhe efektivë: Vetëm dy përbërës janë përfshirë deri më tani: Zinc oxide Titanium dioxide (Këto janë filtrat mineralë/fizikë).
2-Në rishikim thuhet se nevojiten më shumë të dhëna për sigurinë sistemike: Këtu përfshihen shumica e filtrave kimikë, si: Avobenzone Oxybenzone Octinoxate Homosalate Octocrylene Octisalate, etj.
FDA sakaq nuk i ka ndaluar këto substanca, por ka kërkuar më shumë studime për të konfirmuar që janë të sigurt kur përthithen në gjak pas përdorimit afatgjatë.
3-Jo të sigurt ose të papranueshëm: Disa përbërës të vjetër janë hequr nga përdorimi në SHBA, si PABA dhe trolamine salicylate. Përfundimisht,kremi i diellit nuk është zgjidhje perfekte. Është një mjet mes gjithë masave të tjera, por është më mirë ta kesh në rutinë, sesa të përballesh me pasojat e ekspozimit pa mbrojtje.
Vendimi kështu nuk është “pro ose kundër”, por si, kur dhe cili, sipas Meminit.