Nga MENTOR KIKIA/
Ligji i dekriminalizmit shënoi përpjekjen e parë serioze për të larguar nga politika personat që kanë pasur probleme me drejtësinë, pra që janë dënuar. Nuk dihet nëse është koincidencë fakti që ishin “përzgjedhur” tre persona, një nga secila parti, PS, PD dhe LSI, edhe pse mandati i deputetit Tahiri pritet t’i shtohet maxhorancës, për shkak se ai i përket PDIU-së tashmë në koalicionin qeverisës. Gjithsesi vendimi i KQZ-së, përtej përshëndetjeve korteziale të partive dhe ambasadave të huaja, është një pikë kthese e rëndësishme në marrëdhëniet e politikës me krimin.
Janë apo jo këta të tre përfaqësuesit tipikë të martesës së shumë debatuar të politikës me krimin, kjo është një çështje që ha diskutim, por e rëndësishme është që bisturia filloi të presë mbi një plagë tumorale që kishte shënuar kulmin e degradimit të politikës në Shqipëri. Parlamenti aktual dhe zgjedhjet e fundit vendore shënuan padyshim depërtimin më të madh në politikë të njerëzve të implikuar në krime, gjë e cila çoi edhe në nevojën urgjente të miratimit të ligjit të dekriminalizimit. Ndërsa ka nisur të prekë tashmë personazhet e para, duke shpresuar që këta të mos jenë të fundit, në një mjedis ku lënda e parë duket se është me shumicë, efektet e këtij ligji pritet të ndjehen më qartë në zgjedhjet parlamentare.
Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen filtrit të këtij ligji për t’u penguar të shndërrohen në ligjvënës. Por për të shpresuar realisht që ligji do të pengojë njerëzit e botës së krimit të futen në politike duhet të shikojmë pak kronologjinë se si dhe përse këta njerëz iu afruan dhe gjetën derën hapur për t’u bërë kryetarë bashkish apo deputetë. Dhe arsyet janë dy: Këta njerëz iu afruan politikës, sepse kërkonin të forconin garancinë që nuk do të prekeshin nga ligji. Në vend që të pagunin para për të korruptuar organet ligj zbatuese, ata u investuan të bëheshin vetë ligji. Por edhe vetë politika ishte e gatshme t’i pranonte, edhe në rastet kur i dinte CV-të e tyre, ndoshta jo me imtësi, sepse partive u duheshin para dhe njerëz të fortë për të siguruar vota ndaj dhe të tillë njerëz u kërkuan edhe atje ku nuk janë vetëofruan.
Kjo tendencë bëri që parlamenti të mbushet me sipërmarrës, të cilët në mos qofshin të inkriminuar, nuk kanë asnjë lidhje me politikën dhe nuk japin asnjë kontribut në propozime apo diskutime projektligjesh. Detyra e tyre është thjeshtë të furnizojnë makinerinë e partisë me para gjatë fushatës, dhe jo vetëm, dhe ta shndërrojnë në biznes kartonin e votës në parlament. Etja e partive për njerëz të pasur e të fortë, bëri që ta gjejë shpejt gjuhën me njerëz qartësisht të inkriminuar apo sipërmarrës që fillesat e biznesit i kishin pasur me aktivitete si trafiku i drogës, shfrytëzimi i prostitucionit etj. Pikërisht gatishmëria e partive për t’u kryqëzuar me njerëz të kësaj race e bën të vështirë dekriminalizimin. Pasi dekriminalizimi i politikës nuk është thjeshtë dhe vetëm moskandidimi i njerëzve të inkriminuar. Dekriminalizimi real është largimi i ndikimit të këtyre njerëzve nga politikëbërja, qeverisja dhe legjislativi.
Pyetja që lind në këtë rast është: A zhduket influenca e njerëzve të botës së krimit nga politika me largimin e tyre fizik? Pavarësisht që qenia e tyre fizikisht në parlament është një shumë fragrante, sërish kjo nuk është fundi i dekriminalizimit. Ata mund të vazhdojnë ta ushtrojnë ndikimin e tyre përmes parasë. Krimi mund të blejë ligjvënës të korruptuar ose mund të sponsorizojë njerëz, që në kartelat e drejtësisë janë krejtësisht të pastër dhe që mund të ulen në karriget e parlamentit falë financimit të parasë së krimit dhe falë ligjit elektoral që mundëson “emërimin” e deputetëve nga kryetarët e partive. Parë në këtë këndvështrim, ashtu siç kriminalizimi ishte pasojë e drejtuesve të partive dhe mungesës së një ligji, edhe dekriminalizimi është detyrë si e ligjit ashtu edhe e krerëve të partive. Nëse ata do të kërkojnë sërish njerëz të pasur dhe të fortë, që “sigurojnë dhe ruajnë vota”, atëherë do t’i gjejnë të tillë, duke qenë në rregull edhe me ligjin.
Ndaj dekriminalizimi i vërtetë është dekriminalizimi i financimit të politikës. Vetëm duke ndaluar futjen e parasë së krimit dhe të korrupsionit në politikë mund të ndalojmë depërtimin personal dhe të influencës së njerëzve të lidhur me krimin. Në zgjedhjet e ardhshme vërtet një njeri i inkriminuar nuk mund të kandidojnë, por me paratë e tij mund të marrë mandatin e deputetit nipi i tij, dhe këtë ligji nuk e pengon. Dhe kjo është plotësisht e mundur kur zgjedhjet varen, për fat të keq, nga paraja, nga ajo që përdoret për propaganda, deri tek ajo që përdoret për blerje të drejtpërdrejtë të votës. Ndaj kushdo që futet në garë duhet të deklarojë burimin e parave me të cilat furnizon fushatën. Ky është dekriminalizimi real.(Gazeta Shqiptare)