Qysh dje, mediat njoftuan se një konsensus ishte arritur mes palëve politike sa i përket ligjit për dekriminalizimin. Ishin Ermonela Felaj dhe Oerd Bylykbashi ata që diskutuan ditën e djeshme, duke i hapur rrugë mbledhjes së sotme të Komisionit të Posaçëm. Ky i fundit ka diskutuar sot, ndërsa në përfundim të mbledhjes kanë folur deputetët Taulant Balla dhe Spartak Braho.
Para kamerave, Balla tha se sot është një ditë e mirë për politikën.
“Nuk kishte shans që kërkesa për testin e drogës të miratohej. Më në fund u mbyll një proces i keqpërdorur” – tha Balla.
Nga ana e tij, deputeti Braho theksoi edhe njëherë se më në fund ka një konsensus ndërmjet palëve duke i hapur rrugë projekt-ligjit të dekriminalizimit.
Nga Partia Demokratike, sikurse dhe dje Oerd Bylykbashi tha se projekt-ligji është diskutuar nen për nen, ndërsa çështja e testit të drogës është diçka që i përket Kuvendit ta miratojë, ose jo.
“Ne i qëndrojmë testit të drogës si instrument të rëndësishëm për kontrollin e zyrtarëve të lartë që ushtrojnë funksione” – tha Bylykbashi.
Mbledhja e sotme është përshëndetur edhe nga Knut Fleckenstein, i cili tha se tani pritet zbatimi i ligjit.
(javanews.al / a.r)