Prej disa ditësh, në Shqipëri po mbahet stërvitja ndërkombëtare “Defender”, në të cilën marrin pjesë 8 vende të ndryshme, duke përfshirë vendet rajonale dhe SHBA-të.
“Pjesë e stërvitjes “Defender Europe 25” janë forcat detare, forcat tokësore dhe forcat ajrore. Këto njësi të forcave të armatosura morën pjesë në improvizimin e një incidenti në det”, raporton gazetari Besar Bajraktaraj.
Klan News ndoqi nga afër një operacion për neutralizimin e një anijeje të dyshuar, e cila kishte hyrë në ujërat territoriale pa leje. Ajo u pikas nga dy anije të forcave detare amerikane, të cilat e shoqëruan derisa mbërritën përforcime nga ajri.
“Ky është një nga helikopterët Cougar, i cili do të ulet në anijen Lisus për të bërë të mundur neutralizimin e ekuipazhit”, shton gazetari.
Nga helikopterët zbritën forcat e armatosura, të cilat hynë menjëherë në brendësi të anijes. Pas tyre, në anije mbërriti një grup special nga Regjimenti i Operacioneve Speciale. I gjithë aksioni u monitorua nga një dron Bayraktar.
Anija, nën monitorimin e forcave të armatosura, u ankorua në portin e Durrësit.
Komandanti i Forcave Detare, nënadmiral Adnan Agastra, tha se ky improvizim synon testimin e kapacitetit reagues dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Stërvitja “Defender” ka si qëllim forcimin e aftësive të forcave të NATO-s për të vepruar në kushte reale, duke përdorur kanalet ajrore, tokësore dhe detare për të mbrojtur linjat strategjike të komunikimit dhe infrastrukturën kritike.
© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.
© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.