Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen ende në një udhëkryq mes kujtesës historike dhe një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet, përballë një realiteti ku përfshirja shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale. Në këtë kontekst, margjinalizimi institucional dhe zvarritja e proceseve integruese nuk janë thjesht pengesa politike, por shenja të një rendi që synon thellimin e pabarazisë strukturore.
Prof.dr Skender ASANI
Në hapësirat ku kujtesa kolektive endet mes rrëfimeve të pathëna dhe heshtjeve të institucionalizuara, shqiptarët në pjesën perëndimore të Ballkanit mbeten një popull që vazhdon të dialogojë me kohën jo si bashkëbisedues të barabartë, por shpesh si palë që ftohet të dëgjojë më shumë sesa të flasë. Historia e tyre është një udhë që përshkon shekujt me barrën e një pritjeje të gjatë, që përherë ka kërkuar një vend mes hijeve të së kaluarës dhe dritës së një të ardhmeje ende të papërcaktuar.
Në periudha të ndryshme të historisë, shqiptarët janë shfaqur si subjektë të një procesi që ka lëvizur ndërmjet përfshirjes së përkohshme dhe përjashtimit të qëndrueshëm. Nga roli i tyre në administratat e mëdha të Perandorisë Osmane, te Lidhja e Prizrenit që për herë të parë artikuloi ndjenjën e përkatësisë së përbashkët politike dhe kulturore, e deri te etapat e mëvonshme ku ndarja territoriale dhe shpërndarja nën pushtete të ndryshme u bë realitet i dhimbshëm, shqiptarët kanë provuar që koha për ta nuk e kishte pas rrjedhën si të popujve të tjerë.
Në shekullin XX, sidomos pas rishkrimit të kufijve pas dy luftërave botërore, përvoja shqiptare u përkufizua përmes dualitetit të dukjes dhe mungesës si qytetarë në formë, por periferikë në substancë. Kjo kontradiktë, që mbështillet shpesh në gjuhë diplomatike dhe premtime integruese, nuk arriti të zhbëjë ndarjen strukturore mes popullsive të barabarta në ligj dhe të pabarabarta në përfaqësim. Rrjedha e kohës, megjithëse mbulohet me formula juridike dhe reforma të shpallura, nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbysur një rend që funksionon mbi modelin e ruajtjes së status quo-së.
Në realitetin pas Marrëveshjes së Ohrit, retorika e përparimit gradual u bë shpesh një dritë që më shumë verboi sesa ndriçoi. Premtimet për barazi, të shprehura në gjuhë diplomatike, nuk u pasuan me ndryshime të thella strukturore, por me ritme të kontrolluara të përfshirjes. Shqiptarët u bënë pjesë e skenës institucionale, por shpesh si pjesë dekorative të një projekti që e konsideron integrimin si një proces simbolik, e jo transformues.
Në këtë sfond të tensionuar, është e rëndësishme të vihet re se elitat politike maqedonase kanë filluar të veprojnë në mënyrë të koordinuar në disa drejtime që, nëse nuk dekodohen me kujdes, mund të interpretohen si zhvillime të zakonshme politike, por në thelb bartin implikime të thella për arkitekturën e bashkëjetesës. Njëra prej këtyre linjave është përpjekja për të zhbërë, ose së paku për të minimizuar arritjet e shqiptarëve në drejtim të shtetformimit, duke ndalur me metoda të heshtura avancimin e tyre të mëtejshëm në fushat vendimmarrëse të shtetit. Një drejtim tjetër është instrumentalizimi i krizave të brendshme dhe nxjerrja e problemeve të reja politike, për të zvarritur qëllimisht proceset kyçe, siç çshtë integrimi europian, ku shembull më tipik mbetet vonesa në realizimin e ndryshimeve kushtetuese të dakorduara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo vonesë nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme, por ajo reflekton një përputhje të heshtur me interesat gjeopolitike të faktorëve që ndikojnë jashtë institucionalitetit europian, veçanërisht me prirjet serbo-ruse që gjejnë rezonancë në disa segmente të elitave maqedonase në pushtet.
Drejtimi i tretë është më i ndërlikuari: përmes defaktorizimit të shqiptarëve dhe margjinalizimit të tyre në jetën publike, krijohet një ambient ku vetë mungesa e alternativave i shtyn individët dhe grupet drejt veprimeve stihike dhe të pa menduara mirë, duke përgatitur terrenin për etiketime që nuk reflektojnë realitetin, por shërbejnë si justifikime për kontroll më të fortë.
Në këtë rrjet kompleks të qëllimeve të kamufluara dhe narrativave të ndërtuara, elitat politike shqiptare përballen me një sfidë të re: të mos bien në grackën e një rendi që kërkon të vendosë kufij të rinj brenda të drejtave të fituara. Në vend të reagimeve të fragmentuara, koha kërkon një qasje të koordinuar një rezistencë politike dhe institucionale që e ka bazën në vetë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk përjashton askënd, por reformon shoqërinë përmes barazisë së përbashkët.
Ky projekt nuk bie ndesh me proceset integruese euroatlantike përkundrazi, është i vetmi koncept që siguron që rruga drejt Europës të jetë gjithëpërfshirëse dhe pa tensione të trashëguara. Përmes unitetit dhe një vetëdijeje të kthjellët për domosdoshmërinë e shtetformimit të barabartë, shqiptarët mund të ndërtojnë një model që jo vetëm sfidon margjinalizimin, por e tejkalon atë në mënyrë dinjitoze dhe progresive.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ndodhen ende në një udhëkryq mes kujtesës historike dhe një të ardhmeje që vazhdon të shtyhet, përballë një realiteti ku përfshirja shpesh është më shumë simbolike sesa substanciale. Në këtë kontekst, margjinalizimi institucional dhe zvarritja e proceseve integruese nuk janë thjesht pengesa politike, por shenja të një rendi që synon thellimin e pabarazisë strukturore. Përballë kësaj, kërkohet një vetëdije e re politike dhe një veprim i koordinuar nga elitat shqiptare, që ta shndërrojnë pjesëmarrjen në mekanizëm të vërtetë ndikimi, duke ndërtuar një model shtetformimi të barabartë, që jo vetëm sfidon status quo-në, por hap perspektivën për një të ardhme të përbashkët dhe të drejtë.
Nëse koha vazhdon të ngurojë, atëherë mbetet mbi ndërgjegjen e brezit të sotëm barra për të mos qenë më pritës pasivë, por subjekt aktivë të një drejtimi të ri. Jo përmes konfrontimit, por përmes ripozicionimit strategjik që i rikthen shqiptarët nga periferi e pjesëmarrjes simbolike në boshtin e barazisë substanciale. Kjo nuk kërkon thirrje të mëdha, por hapa të qartë dhe të koordinuar që e rishkruajnë marrëdhënien me shtetin jo si dorëzim ndaj një rendi të dhënë, por si projektim i një vizioni të përbashkët. Sepse ndërtimi i së ardhmes nuk është vetëm çështje kohe – është akt vullneti, përgjegjësie dhe guximi për ta tejkaluar heshtjen me mendje të kthjellët dhe qëllim të përbashkët.