Procesi për legalizimin e kanabisin që ka ndërmarrë qeveria ka ngritur diskutime të shumta në opinionin publik.
Iniciativa ligjore që pretendohet se po diskutohet me popullin dhe pikat e formularit të shpërndarë në sytë e ekspertëve të sigurisë dhe të kriminalistikës është jo vetëm i gabuar, por edhe jo i duhuri pasi për të realizuar këtë nismë duhen debate publike. Duhet të jenë ekspertët dhe grupet e interesit ata që duhet të debatojnë dhe të hedhin themele iniciativash të tilla dhe jo formularë që nuk kanë asnjë siguri që përfundojnë të numëruar dhe aq më pak të lexuar nga ana e atyre që e kanë shpikur këtë nismë.
Arben Hajdarmataj, ish-drejtuesi i Policisë, ngre pikëpyetje të mëdha mbi mekanizmin që po përdor qeveria për të bërë faktin nismën për legalizimin e kanabisit. Ai ndalet në 3 çështje thelbësore që kanë lidhje me këtë nismë dhe që i ndan në politike, ekonomiko-sociale dhe kriminale.
Në analizimin e legalizimit të lëndës që ka marrë shumë jetë shqiptarësh, Hajdarmataj ngre shqetësimin real mbi rritjen e mundësisë së përdorimit nga ana e fëmijëve dhe e adoleshentëve. Sipas tij, duke qenë se tregu farmaceutik në vendin tonë është i gjithë në mëshirë të fatit, fëmijët dhe të rinjtë do ta kenë më të lehtë ta marrin njësoj siç merren ilaçet e tjera pa asnjë recetë dhe asnjë kontroll.
Z. Hajdarmataj, duke qenë një emër i spikatur i policimit dhe i strukturave drejtuese në Polici, si e shihni nismën e qeverisë për legalizimin e kontrolluar të kanabisit?
Në optikën time legalizimi i kontrolluar i kanabisit ngre tri çështje thelbësore, të cilat duhen parë, diskutuar dhe analizuar me profesionalizëm. Konkretisht çështja politike, ekonomiko-sociale dhe ajo kriminale.
Në aspektin politik dëmi nis në faktin se po serviret një histori për të tërhequr vëmendjen nga konfliktet ndaj përplasjes së opozitës ndërmjet vetes, të gjendjes së rënduar ekonomike në të cilën gjendet vendi dhe largimi i qytetarëve të panumërt nga Shqipëria. Pra, si të thuash, po i serviret medias kjo nismë për të mënjanuar gjithë problemet e mëdha që ka vendi në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar e mosmenaxhimit të asnjë situate problemore që kemi!
Mua më erdhi formulari. E pashë me vëmendje. Këta bëjnë shakara me njerëzit sepse askush nuk ka asnjë lloj sigurie që ai formular që do të plotësoj unë do të merret i mirëqenë, pasi është e sigurt se nëse qeveria ka vendosur, kjo nismë do të miratohet si gjithçka tjetër që ka ndodhur dhe po ndodh këtu. Pra, falsiteti nis që në momentin kur qeveria pretendon se po tregohet e drejtë se po shpërndan një formular.
Legalizimi tashmë duket fakt, si mendoni që duhej servirur nisma kur bëhet fjalë për një lëndë narkotike ka vrarë kaq shumë njerëz në Shqipëri?
Së pari kushdo, po kryesisht ekspertët dhe njohësit e saktë të çështjeve që duan akte ligjore për tu rregulluar, kur përballet me nisma të tilla ndalet dhe pyet: Çfarë përfitojmë ne, si shoqëri, si ekonomi dhe në fund edhe si individë? Askush nuk ka dalë të sqarojë pyetjet më të thjeshta që mund të sillen rreth kësaj dukurie që në fakt shqiptarët e perceptojnë të frikshme. Dhe ne e njohim mirë se çfarë do të ndodhë nëse legalizohet kanabisi. Si mund të pretendohet që në vendin tonë të legalizohet mbjellja e kësaj lënde për qëllime mjekësore, kur ne e kemi tregun farmaceutik pa asnjë lloj kontrolli? Kush i mbron fëmijët dhe të rinjtë të cilët nëse deri tani kanë pirë ndonjë cigare hashashi fshehurazi, tani do ta kenë të ligjshme dhe mund ta blejnë ku të duan? Pra, në optikën time target grupi më i rrezikuar në këtë nismë, nëse ndodh, do të jenë të rinjtë, adoleshentët dhe fëmijët që do të jenë jashtë çfarëdolloj kontrolli shtetëror dhe familjar. Më pas hyjnë problematika të tjera që lidhen me fuqizimin e grupeve kriminale, sundimin e oligarkëve për të cilët do të jepen edhe licencat dhe qarkullimit më të lirshëm të parave të pista.
Po ashtu, lind pyetja e thjeshtë: A janë bërë studime në tregjet ndërkombëtare, kur ne e dimë se vetëm në Europë janë 16 shtete që e kultivojnë? Në dijeninë time asnjë. Po edhe sikur, së pari duhej dhënë informacioni i duhur dhe më pas të vijohej me shpërndarje formularësh. Po për licencat a do ketë transparencë? A i kemi ne kapacitetet e duhura për të njohur nevojën e tregut, kontrolluar cilësinë e mallit që fusim nëpër farmaci dhe që iu ofrojmë konsumatorëve?
Pra, ju mendoni se licencat janë të paracaktuara?
Sigurisht dhe këtu nis edhe aspekti kriminal i kësaj nisme. Pra, licencat do të merren nga njerëz afër pushtetit, nga krerë grupesh kriminale, që sërish kanë lidhje me pushtetin sepse ata kanë mundësi të lënë edhe garanci në bankë. Ne jemi të njohur si vendi i origjinës së kësaj bime narkotike po ashtu siç kemi dëshmuar se në aktivitetin që lidhet me kultivimin dhe trafikimin e drogës kanë qenë të përfshirë njerëz politik, policor e deri në sferat e larta të qeverisjes. Pra kur ka qenë e paligjshme, imagjinoni pak e ligjshme? Sigurisht që do të jetë sërish në duart e tyre, do të jetë monopol dhe do të kalojë në duart e oligarkëve që kontrollojnë ekonominë e vendit.
Meqë Europa ka 16 shtete që e praktikojnë legalizimin, shqiptarët ku do ta gjejnë treg për ta eksportuar?
Këtu nis problemi! A do kenë mundësi shqiptarët, pra pronarët të fitojnë certifikatat e duhura për cilësinë e mallit dhe si do të operojnë në tregun ndërkombëtar? Ne kemi dëshmuar se nuk dimë të prodhojmë gjëra cilësore për shkak të abuzimit dhe mosrregullimeve me ligj e për pasojë në këtë pikë lind edhe mundësia që në vend të asaj bimës që do të përdoret për vaj mjekësor të mbillet lënda narkotike pa mundur ta ndalojë dhe as ndëshkojë askush. Licencat do të jenë disavjeçare dhe ai e mbjell dhe e dërgon jashtë me të gjitha format që kanë mësuar trafikantët, kryesisht ata që kanë mbështetjen e duhur politike.
Maqedonia e Veriut e ka legalizuar, çfarë ka ndodhur atje?
Asgjë dhe këta e dinë fort mirë se ekonomia nuk ka asnjë përfitim nga kjo nismë. As qytetarët, sepse këta pretendojnë se hapin vende pune. Në Maqedoni u tha se ndjehej nevoja e një mijë punonjësve ndërkohë që investimi shtetëror ishte në miliona euro. Nëse kultivimi ndodh në parametrat e kërkuar të kësaj bime, që në fakt nuk ka gjasa të ndodhë për shkak se duhen shumë mekanizma testues që ne nuk i kemi, ajo kultivohet në sera. Duhen ekspertë të testojnë se sa nevoja ka tregu jonë për këtë vaj, se s‘po hyjmë fare te cilësia e tij, dhe më pas të vendoset edhe për hapësirën që do të mbillet. Dhe sigurisht që numri i të punësuarve nuk do të ndryshojë asgjë në rrënimin tonë ekonomik. Këtu nuk po flasim fare për investimin që duhet për fabrikat e përpunimit, makineritë e shumëçka tjetër! Panorama