Nga Ben Andoni
Sikur të mos kishte se me çfarë të merrej (në darkë shkarkoi gjysmën e qeverisë!), pas një monologu të stërgjatë për Drejtësinë, kryeministri i vendit iu përvesh të premten e fundit të shkurtit dhe partive tona të vogla! Ndërsa për Drejtësinë ka një sërë argumentesh që i qëndrojnë e që lidhet me masën e paraburgimeve dhe sidomos malin me dosjet që iu shtuan stokut të dikurshëm, duket se me kundërshtarët dhe moskonsiderimin, cinizmi i Ramës është më shumë se patetik. E para sepse tregon vlerësimin e vërtetë për të tjerët (nuk besojmë se i quan kundërshtarë “të denjë” për madhështinë e vet) dhe e dyta (që është argumenti ynë), për mënyrën sesi e përcjell historinë, si të jetë fotokopje e disa filmave patetikë të Socializmit.
“Shikojini vetë rreth e rrotull që nga hunjtë e vjetër dhe të thyer që ju shkoni e hyni në zyrat e Kuvendi ti takoni përditë korridoreve, te filizat e rinj dhe të shtrembër që i keni nga ana tjetër e bulevardit poshtë dritares tonë, deri tek ballisti Agron dhe komunisti Arlind që i mbajnë sytë të gjithë nga stacioni i trenit duke pritur që SPAK-u ti hapë rrugën njërit për kotecin e pulave qyl dhe tjetrit për kasollen me yll….”, u shpreh Rama mes të tjerave. Të mendosh se ende në përfytyrimin e tij është koteci i pulave, një metaforë e përdorur shpesh në komunizëm për të përçudnuar Ballin (Një moment edhe Enver Hoxha e kritikoi këtë metaforë të stërmarrë në filma, sepse tek e fundit me kë kishin luftuar…), po aq sa kasollja me yll, të cilës i janë kushtuar këngë nga njerëzit afër tij, tregon se në mentalitet nuk je larguar nga ajo kohë dhe e ke të shtrembëruar historinë, ashtu si çka është më e rëndësishme: E ke mohuar veten. Ishte vetë Rama që bëri një akt për të cilin mori një peshë të madhe përgjegjësie, duke sjellë në vitin 2018 eshtrat e Mit’hat Frashërit, publicistit, eseistit, përkthyesit, albanologut, diplomatit, veprimtarit të çështjes kombëtare, kryepolitikanit të Ballit, njëkohësisht nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Por, përmendja e kotecit hedh poshtë emrat e shumë personaliteteve të Ballit që për hir të së vërtetës edhe njerëzit e kasolles me yll i nderonin. E sa për këtë të fundit, kanë qenë pikërisht votat e pinjollëve të njerëzve të kasolles me yll që e ngritën në pushtet dhe që i dhanë një identitet qeveritari që do e ëndërronte cilido nga personalitetet shqiptare poshtë dhe mbi dhé. Por, kohët ndryshojnë dhe mirënjohja janë nga gjërat që i mungojnë individit shqiptar. Më së shumti atij politik, kur ngjitet afër reve dhe nuk beson edhe kur e dëgjojnë realisht. Në një nga momentet më zhgënjyese me kolegët, i pamëshirshmi Charles de Gaulle do shkruante: “Meqenëse një politikan nuk i beson kurrë ato që thotë, ai, vërtetë habitet kur ia besojnë fjalën”. (Javanews)











