Pas ndeshjes me Maqedoninë, në opinionin sportiv u fol shumë për një kombëtare që nuk kishte kënaqur aq shumë me lojë, sa edhe me rezultatin e arritur në fund. Megjithatë, edhe vetë trajneri i kuqezinjve, në një intervistë me Gerti Çarçanin në televizionin “Ora News”, ka pranuar se në pjesën e dytë (deri në minutën e 75-të) skuadra “ka fjetur mjaftueshëm”. Sipas Gianni De Biasit, do të ishte rezultat mjaft i mirë nëse do të arrinim të tretët në fund të kualifikueseve. Ai përgjigjet me batutë se po ashtu e ka gati zgjidhjen për Spanjën. “Do të ndërtojmë ‘murin e Berlinit’ përpara portës, do të hidhemi në kundërsulm. Do të shënojmë një gol dhe ia dolëm”, është shprehur trajneri.
Këtë herë, ai ka kaluar në kundërsulm, kundrejt të gjithë atyre kritikave që i adresohen atij personalisht, si dhe paraqitjes së skuadrës që drejton. Edhe kundrejt kritikave që i vijnë nga ish-trajnerë të Kombëtares, si në rastin e Astrit Hafizit që në një intervistë të para rreth tre muajve, pas eliminimit nga Europiani, ka përmendur edhe përfundimin e ciklit për teknikun italian. De Biasi nxiton të përgjigjet se nuk është dramë në rast se nuk kualifikohemi në Botëror, ndërkohë që gjatë intervistës ka edhe një mesazh për kampionatin shqiptar, nga i cili pret sa më shumë lojtarë të vlefshëm për të furnizuar skuadrën e tij.
Një ndeshje shumë e vështirë. E kishit menduar se do të ishte e tillë?
E kisha thënë edhe përpara se do të ishte ndeshje e vështirë, për vetë faktin se sot nuk ka më ndeshje të lehta. Jo vetëm për ekipet e mëdha, po as për ne. Ne jemi një ekip si shumë të tjerë që e kanë forcën e tyre në faktin e të luajturit kompakt, në mënyrë të organizuar dhe duke vënë zemrën, shpirtin e gjithçka që kemi, në fushën e lojës në funksion të fitores. Kur humbasim sadopak nga këto karakteristika, ndodh që të sillemi ashtu si dhe në pjesën e dytë, ku kemi fjetur mjaftueshëm në fushë.
Mendoni se keni më shumë punë për të bërë pas këtyre dy ndeshjeve (me Marokun dhe Maqedoninë) për shumë probleme të shfaqura?
Jo, kjo është një skuadër që ka tashmë organizimin e saj, ka fizionominë që e demonstroi edhe në Europian duke zhvilluar, sipas meje, një futboll të një niveli të mirë. E gjithashtu, mbase duke merituar diçka më shumë sesa ajo që mori në fushë. Ajo që nuk më ka pëlqyer kundër Maqedonisë, ka qenë lëshimi në pjesën e dytë. Diçka që nuk mund t’ia lejojmë vetes kundër askujt. Rreziqet lindin pikërisht nga gjëra të tilla. E kam thënë disa herë se kualifikimi ynë kalon përmes ndeshjes me Maqedoninë, me Lihtenshteinin dhe me Izraelin. Kundër Italisë dhe Spanjës do të kemi shumë më pak probleme nga ky këndvështrim.
Vërtet mendon trajneri te kualifikimi?
Thashë kualifikimi ynë dhe jo i imi. Nëse duam që të bëjmë realisht një paraqitje të mirë, duhet që të mundim Izraelin, që nuk është e thjeshtë. Duhet të mundim Maqedoninë dhe Lihtenshteinin.
Megjithatë, ato me Maqedoninë ishin tri pikë shumë të rëndësishme…
Po, tri pikë të rëndësishme. Kjo për shkak se i nisin kualifikueset me këmbën e mbarë. Megjithatë, nga këtu duhen menduar ende shumë gjëra. Mungojnë edhe nëntë ndeshje dhe gati 13 muaj që të përfundojnë kualifikueset. Ajo çka dua të them, është se kjo skuadër ka ende mundësi për t’u përmirësuar. Ka mundësi për të luajtur në një tjetër mënyrë. Gjithashtu ka mundë- si për të zhvilluar ndeshje më të mira dhe për t’i mbyllur më parë.
Pse nuk vjen goli i dytë nga ana jonë?
Në fakt, nuk e di. Megjithatë, erdhi. Madje, një e shënuam të hënën dhe një të martën (qesh…). Sepse duhet të jemi më shumë cinikë në fushë. Mbase, sepse duhet më shumë kualitet. Mbase, sepse duhet besuar më shumë. Ka shumë sepse.
Jua bëj këtë pyetje, sepse është ngritur një opinion që Shqipëria shënon dhe më pas kthehet në mbrojtje…
Nuk është se kthehemi pas. Bëmë një gol dhe donim të shënonim të tjerë. Shënuam shpejt dhe mund të bënim të tjerë në pjesën e parë. Kur kemi mundësinë ta bëjmë, ose gabojmë në finalizim, ose jemi në pozicion jashtë loje siç ishim edhe në golin e anuluar përballë Maqedonisë. Nuk tërhiqemi pas, por ulim përqendrimin.
Mister, a ju shqetëson mbrojtja, e cila në momente të caktuara “fut ujë”?
Kush mbrojtje nuk fut ujë? Pastaj, gjatë ndeshjes me Maqedoninë, sidomos të hënën, uji futej me lehtësi pasi ishte rrebesh i madh shiu. Gjithsesi, batutë e bukur nga ana juaj (qesh…). Le të themi që ne, nga ana e mbrojtjes, nuk jemi keq. Por shpesh ndodh që, pas gabimit të njërit, futet menjëherë edhe një tjetër. Nuk ndodh që të ekzistojë mundësia për të korrigjuar gabimin që bën tjetri, apo që të evitohet gabimi i dytë.
Po në rastin e golit të pësuar?
Në atë moment gabuan të tre dhe kur gabimi është i një shkalle të tillë, pësohet gol.
Kundër Italisë, Spanjës dhe Izraelit, hapësira të tilla nuk tolerohen. Ata nuk falin…
E vërtetë që nuk të falin, por nuk na fali as Maqedonia. Bënë gol, rihapën ndeshjen dhe neve na vunë në vështirësi. Mendoj që janë ndeshje që duhen vlerësuar një nga një. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë kundër Italisë, apo ndaj Spanjës. Në fakt, atë që ndodhi kundër Portugalisë as që e imagjinonte njeri. Apo jo?
Besoni se Italia e Spanja do të hasin vështirësi edhe përballë Izraelit e Maqedonisë?
Them që jo, sepse janë ekipe që teknikisht kanë elementë më shumë se të tjerët dhe kanë mentalitet fituesi. Edhe kur nuk janë në 100% të mundësive të tyre, arrijnë që të tregojnë maksimumin. Në këtë aspekt, na duhet që të rritemi. Dhe nuk është aspak e lehtë. Duhet durim.
Nëse themi kështu, atëherë duhet të llogarisim vetëm vendin e tretë?
Nëse do të dilnim të tretët, do të ishte një rezultat i mirë. Madje superrezultat.
Por kjo do të thotë që jemi të dorëzuar…
Duhet të ulemi dhe të gjithë të ulen me këmbë në tokë. Të gjithë ata që fluturojnë në fantazi. Duhet të përpiqemi të bëjmë maksimumin në ndeshje të tilla. Duhet të përpiqemi që ta mundim vetveten edhe pse nuk është aspak e lehtë.
Ngul këmbë tek Italia e Spanja, sepse janë ekipe që kur e duan një trepikësh, e marrin…
Janë të përqendruara nëse janë mirë në aspektin fizik. Kanë lojtarë që luajnë në klubet më të mira dhe është e vështirë t’i ndalosh.
Një Itali tjetër kjo e Venturës?
Nuk e kam parë. Ma tha një mik që fitoi, por nuk e kam parë. Ka bërë tre gola në transfertë dhe nuk janë pak. Gjithsesi, e kam thënë disa herë që duhet të luajmë ndeshjet tona. Nëse do të mendojmë që të jemi në të njëjtin nivel me Italinë dhe Spanjën, do të bëjmë një gabim shumë të madh. Ne jemi më të vegjël, por shpesh, historia ka treguar që edhe Davidi e mund Golinë (nëse e njihni historinë).
Mendoni se skuadra është ende me mendjen në Europian?
Absolutisht jo. Nuk kam thënë këtë, vetëm se kam thënë që duhet të rritemi në mentalitet. Kjo është gjëja më e vështirë për t’u ndryshuar te lojtarët. Aq më tepër për atë mentalitet që kam gjetur këtu. Në Shqipëri ekziston shumë fryma që ndihesh fitues pa arritur akoma në finish. Ky është një aspekt që nuk na ndihmon aspak në punën që bëjmë. Duhet të mbajmë gjithmonë pozicionin tonë, por duke parë edhe kualitetet që kemi. Duhet që motivimi personal brenda lojtarëve të rritet.
Megjithatë, në fund të fundit, a jeni i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, taktikisht?
Unë jam shumë i kënaqur me skuadrën, sidomos në ndeshjen me Marokun. Bëmë një ndeshje shumë të mirë përballë një skuadre e cila ka më shumë kualitete se ne.
Ajo miqësore me Marokun m’u duk më shumë një ndeshje “plazhi”…
Ishte një ndeshje taktike mes njerëzve që luajnë një profil të ndryshëm futbolli, që nuk rrezikonin asgjë, si ne, ashtu edhe ata. Por ne gjuajtëm në portë më shumë se ata. I kemi vënë në vështirësi më shumë sesa ata na vunë ne. Kishim mundësi shumë të mëdha për të shënuar gol, sidomos në pjesën e parë. Mendoj se këto janë faktet. Pjesa tjetër ka të bëjë me konturet estetike të interpretimit, që s’ka të bëjë fare me futbollin.
I shkëlqyer, sipas meje, pozicionimi juaj për lojtarët që kanë zgjedhur për të luajtur me Kosovën. Përse?
Çfarë kam thënë, se nuk më kujtohet. Kam thënë aq shumë…
Nuk flitet për eksod.
Kur shoh fjalën “exodus” më vjen të qaj apo të qesh, është e njëjta gjë. Mendoj se ata që u larguan, nuk gjetën hapësirën për të luajtur këtu te ne. Nuk u grumbulluan më nga unë dhe e shihnin rrugën të mbyllur. Shkuan andej dhe e shoh që ndonjë e ka ende rrugën e mbyllur, ose të paktën në ndeshjen e fundit nuk ka luajtur. Sidoqoftë, ne do të ecim përpara me ata të cilët kanë dëshirë të jenë në këtë skuadër. Nuk kemi nevojë të shkojmë të ndjekim askënd. Kush dëshiron të luajë për Shqipërinë, duhet ta ndiejë brenda vetes dhe jo të luajë për përfitim.
A është një mungesë e madhe ajo e Lorikut për skuadrën?
Kemi humbur një njeri me një karizëm të jashtëzakonshme sa i përket peshës në dhomat e zhveshjeve, seriozitetit profesional dhe përkushtimit. Njeri i madh, djalë i jashtëzakonshëm, i cili për fat të keq ka zgjedhur që të mos vazhdojë më të luajë për Kombëtaren, pasi e ka mbyllur me Europianin. Por edhe mbrëmë (pas ndeshjes së parë me Maqedoninë) ishte me ne për ndeshjen, i erdhi keq që kishim barazuar, por pasi përfundoi ishte ndër të parët që më dërgoi një SMS për të më uruar për fitoren e vështirë.
Mendimi juaj për Kosovën?
E pashë një pjesë të ndeshjes, të gjithë pjesën e dytë kundër Finlandës. Mirë. Kanë luajtur një ndeshje të mirë dhe jam i lumtur për ta që me një skuadër të re e kanë nisur me këmbën e mbarë. Do të kishin merituar edhe diçka më shumë nga pikë- pamja e rezultatit, por është një fillim i mbarë. I ka rënë edhe një grup shumë, shumë i fortë, i yni është pak më i vështirë. Edhe i tyri nuk është për të qeshur, kundër Kroacisë, Ukrainës, Turqisë, Finlandës. Mos e prit këtë që po them në montazh (qesh).
E rëndësishme është që Gianni De Biasi ka qëndruar si trajner i Shqipërisë…
Kam dashur të çoj përpara një bashkëpunim sepse jam i bindur, ashtu siç kisha thënë edhe më parë se do të qëndroja. Kjo sepse jam i bindur, që kjo skuadër ka hapësira të mëdha përmirësimi. Është e qartë që të mendosh të shkosh në Botëror është diçka relativisht e vështirë. Por, e ripërsëris se ishte e vështirë edhe të shkoje në Europian, kur mësuam shortin. Shkuam dhe kjo mendoj është pika jonë e referimit për të mos u dorëzuar, por për të luajtur të gjitha ndeshjet. Pasi e tregoi Islanda, pasi e treguan shumë skuadra, pasi e treguam ne në Europian që ndeshjet duhen luajtur për të mësuar se si do të përfundojnë.
Mendoj se njerëzit atë që i njohin stafit tim dhe mua është se punojmë me seriozitet dhe mundohemi gjithmonë të përmirësojmë këtë skuadër dhe punën e Kombëtares. Të mos harrojmë se ku ishim kur mbërritëm këtu dhe çfarë kemi arritur në këto 4 vite e 8 muaj. Mendoj se janë gjëra që janë interesante edhe në aspektin e së ardhmes. Kryesisht më intereson të shoh të tashmen, i ndërgjegjshëm që mund të rrezikojmë me qetësi që të mos shkojmë në Botëror, por do të luajmë të gjitha shanset tona për ta bërë një gjë të tillë.
A kemi ndonjë shans?
Unë e kam thënë duke qeshur se problemet do t’i ketë Spanja dhe Italia, pasi e para e grupit është vendosur që tani dhe jemi ne Shqipëria. Ishte një batutë që e bëra te “Radio 24” në Itali. Po e theksoj se nuk dua që ta shoh nesër si titull në Itali të shkruar përsëri. Mendoj se janë dy skuadrat më të forta. Spanja, siç i thashë edhe te “Gazeta Dello Sport”, ka 50% mundësi, Italia 40% dhe Shqipërisë i vura 10%. Nuk e vendosa për t’u treguar i mirë, mendoj se është një përqindje e arsyeshme.
E kuptoj që dëshironi t’i mundni të gjithë, pra kërkoni të merrni pikët maksimale, por kundër Italisë dhe Spanjës…
Kundër Italisë do të jetë një ndeshje shumë e veçantë për ne, për ty, për shumë shqiptarë, sepse kombëtarja e dytë pas tonës është Italia. Kështu, për të gjithë ne, ta mundim do të ishte një motiv krenarie. Me Spanjën do të bëjmë lojën tonë dhe do të vëmë murin e Berlinit para portës, i bëjmë kundërsulmin dhe… 1-0 për ne…
De Biasi
A keni diçka për të thënë mbi opinionin e dhënë nga një ish-trajner i Kombëtares, që ka deklaruar në shtypin sportiv se cikli i De Biasit ka përfunduar?
Hafizi?
Po.
Nëse e thotë ai…
E ka thënë në gazetë.
Po edhe unë për atë intervistë po flas, por nuk e di nëse është përcjellë në mënyrën korrekte. Dyshoj për këtë sepse mes asaj që shkruhet në gazetë dhe asaj që dikush thotë realisht ka një diferencë në interpretim. Sidoqoftë, nëse është e vërtetë që ka thënë diçka të tillë, OK, është opinioni i tij, mund edhe të ketë të drejtë. Askush nuk thotë që ciklet vazhdojnë përjetësisht. Kanë limitet e tyre në kohë edhe ato.
Titulli mund të jetë i sforcuar, pasi ai mund të ketë thënë gjëra që s’kanë lidhje me titullin, por mund të ketë thënë edhe që nuk kuptoj pse De Biasi po rri ende, sepse më shumë se kaq nuk mund të bëhet, dhe mund të ketë të drejtë. Uroj që për të mirën e shqiptarëve, timen dhe lojtarëve të mos ketë të drejtë. Por në jetë mund të fitohet edhe pa mbërritur të parët. Fitohen disa beteja, por nuk arrihet objektivi final. Nuk besoj se Hafizi mendon që Shqipëria duhet të shkojë në Botëror me patjetër dhe nëse nuk shkon do të jetë diçka katastrofike.
Për ta mbyllur, një stadium i bukur në Shkodër…
Shumë i bukur, fushë shumë e mirë, strukturë fantastike. Besoj se është realizuar në një kohë shumë të shpejtë. Pikërisht dje kishte ardhur një gazetar italian dhe duke folur me të më tha që i pëlqeu shumë. Me siguri do ta përmendë në gazetë. Është vërtet një biletë vizite shumë e bukur për Shqipërinë.
Ju ka ardhur mesazh nga Kryeministri Rama për fitoren me Maqedoninë?
Po, më ka ardhur. Edi është gjithnjë i gatshëm dhe nuk harron. Të hënën në mbrëmje më shprehu mërzitjen për barazimin. Tha që pjesa e parë ishte fantastike, i ishim dukur si Spanja sepse kishim mbajtur topin rreth 70%, kishim freski dhe kompaktësi. Pastaj tha që pjesa e dytë ishte më e dobët. Shumë i saktë Edi.
Panorama/d.i.