Personaliteti i njohur dhe ish-i dënuari politik shprehet te JAVANEWS në lidhje me ligjin e hapjes së Dosjeve dhe zvarritjen e krijimit të Autoritetit. Pse mungon tashmë entuziazmi politik, por edhe pse beson se tek e fundit janë të gjitha mundësitë që të hidhet dritë në dosjet e dëmtuara, por edhe në të zhdukurit e shumtë të komunizmit…
Intervistoi Ben Andoni
Publicisti dhe i përndjekuri Daut Gumeni është i bindur dhe konfirmon se mungon ajo fryma e parë e entuziazmit për hapjen e dosjeve. Vuajtja, mosha, formimi e bën që të jetë i qetë por edhe të flasë hapur për problematikën e të përndjekurve, që në këto momente është gjithë sy e veshë për Ligjin e Hapjes së Dosjeve dhe fillimin e procesit të identifikimit të të zhdukurve. Si një nga njerëzit që është propozuar të jetë në Autoritetin për Hapjen e Dosjeve, ai rrëfen për JAVAnews disa nga problematikat, që haset sot shoqëria, por edhe faktin se pse politika ka frikë nga Dosjet. Nga ana tjetër, ai shpjegon edhe faktin pse jemi të vonuar por edhe sesi mund të punohet, falë shembullit gjerman, që është zgjedhur për metodikat.
“Sidoqoftë, ligji është miratuar me kohë dhe vonesa e miratimit të Autoritetit e të Sekretariatit përkatës teknik për jetësimin korrekt të ligjit në fjalë, tani kanë ndodhur dhe na mbetet vetëm të shpresojmë që kanë ndodhur nga ngarkesa e madhe e ligjvënësve tanë me Reformën në Drejtësi e me Dekriminalizimin e politikës, megjithëse mua më duket se hapja e dosjeve të zullumeve të diktaturës mund të ishte hapi i parë për dekriminalizimin e politikës sonë”, thotë ai .
Ndërkohë kemi insistuar për modalitetet teknike të veprimit me dosjet e dëmtuara por edhe me të zhdukurit. Dhe, ai edhe për këtë mbetet optimist. “Si përndjekësit edhe të përndjekurit e diktaturës, nuk i kanë ndryshuar dot formularët përkatës të dosjeve të të gjithë llojeve dhe, kur dalin mungesa që ta zemë se janë hequr nga e tërë dosja e ca më keq kur mungon doja e gjithë, aty ku formularët nuk lejonin mungesa, nuk besoj se do shumë mundim për të dalë në përfundimin, që kushdo që ka ndërhyrë ka pasur një hall të rëndë. Kaq besoj se mjafton për të hedhur dritë edhe për zbrazëtitë e pajustifikueshme në dosje”.
Gjykohej se Shqipëria deri në janar do kishte autoritetin me 5 anëtarët për Hapjen e Dosjeve, ndërkohë se do kishte marrë udhë puna për zhvarrimet e para së të zhdukurve. Përkundrejt punës së pak njerëzve, duket se gjërat kanë ndalur krejtësisht. Si e shikoni personalisht këtë bjerrje të entuziazmit?
“Pas miratimit të ligjit mbi hapjen e dosjeve, u mendua se do të ndiqej i njëjti ritëm edhe në miratimin e Autoritetit përkatës, që do të drejtonte zbatimin në praktikë të atij ligji. Nuk ndodhi ashtu dhe mbase arsyeja kryesore është sepse mungonte entuziazmi që thoni ju në pyetjen tuaj. Se, po të kishte pasur aq entuziazëm, nuk besoj se do të kalonin aq shumë vite pa një ligj të pranuar nga të gjithë në këtë fushë. Madje edhe ky ligj nuk e mori dot miratimin e të gjitha palëve tonë politike. Vërtet që mbase dhe ky i miratuari para disa muajsh nuk është ligji më i mirë për t’u ndarë dhe neve nga e kaluara, sikurse kanë vepruar me kohë të gjithë vendet e ish diktaturave komuniste të Evropës Lindore. Por ky ligj të paktën nis një punë , që është e domosdoshme dhe e nis pa rënë ndesh me Kushtetutën tonë ekzistuese , apo me ato standarde evropiane që kanë bërë të pazbatueshme disa përpjekje të mëparshme në këtë lëmë. Përpjekje që, në rastin më të mirë, kanë qenë të mangëta e në rastin më të keq kanë qenë të parashikuara për të dështuar.
Sidoqoftë, ligji është miratuar me kohë dhe vonesa e miratimit të Autoritetit e të Sekretariatit përkatës teknik për jetësimin korrekt të ligjit në fjalë, tani kanë ndodhur dhe na mbetet vetëm të shpresojmë që kanë ndodhur nga ngarkesa e madhe e ligjvënësve tanë me Reformën në Drejtësi e me Dekriminalizimin e politikës, megjithëse mua më duket se hapja e dosjeve të zullumeve të diktaturës mund të ishte hapi i parë për dekriminalizimin e politikës sonë”.
Ka një kakofon zërash sa i përket mirëmbajtjes së dosjeve dhe hapjes së tyre. Në njohuritë tuaja, a ka mundësi që ky proces të marrë udhë, duke gjetur një metodikë teknike?
“Ajo kakofoni, që thoni ju në lidhje me mirëmbajtjen dhe hapjen e dosjeve të diktaturës, besoj se lidhet me mëdyshjen, për të mos thënë me frikën , që kanë nga e shkuara mjaft pushtetarë të tranzicionit tonë të pambaruar. Edhe nëse do të ketë ndërhyrje në dosje , apo dhe zhdukje të një pjese të tyre, kjo nuk e pengon hedhjen dritë mbi to. Si përndjekësit edhe të përndjekurit e diktaturës, nuk i kanë ndryshuar dot formularët përkatës të dosjeve të të gjithë llojeve dhe, kur dalin mungesa që ta zemë se janë hequr nga e tërë dosja e ca më keq kur mungon doja e gjithë, aty ku formularët nuk lejonin mungesa, nuk besoj se do shumë mundim për të dalë në përfundimin, që kushdo që ka ndërhyrë ka pasur një hall të rëndë. Kaq besoj se mjafton për të hedhur dritë edhe për zbrazëtitë e pajustifikueshme në dosje. Pastaj ne nuk se do të shpikim gjë të re, kur kemi mbështetje në përvojën gjermane. Mjafton të mbështetemi në përvojën e në ndihmën e tyre dhe shpresoj shumë që do t’ia dalim mbanë”.
A ju duket si faturë e madhe ajo e identifikimit të çdo personi të zhdukur, një cak. që po e pengon disi procesin e gjetjes së të zhdukurve?
“Nuk mendoj se do të jetë pengesa e parë fatura për të gjetur të zhdukurit e diktaturës. Mjafton që të gjenden dokumentet përkatëse, që duhet të jenë doemos diku të depozituara dhe prej tyre merret vesh ku janë varrosur të pushkatuarit me gjyq e pa gjyq, kush ka qenë prokurori e kush ka komanduar skuadrën e ekzekutimit, madje duhet të jenë diku të pasqyruara dhe fjalët e fundit të martirëve, nëse kanë mundur të thonë fjalën e tyre të fundit . Të paktën në shkresa kanë qenë të rregullt e thuajse të ligjshëm edhe ata që kryenin vrasjet e paligjshme të luftës së klasave. Por edhe në këtë drejtim, kemi përvojën e gjetjes së të vrarëve me anën e ADN-së dhe ka një institucion ndërkombëtar mjaft kompetent me qendër në Bosnjë, në mos gaboj, që ka premtuar të gjithë ndihmën e tij në kërkimin shkencor të identitetit të të zhdukurve. Sikurse besoj se , për çdo pengesë që do të ndeshë Autoriteti dhe Sekretariati i tij , duhet të kemi gatishmërinë e legjislativit tonë për të bërë amendimet e nevojshme , që i heqin ato pengesa dhe ndihmon Autoritetin të kryejë si duhet detyrën që i ka ngarkuar ligji”.