Avokati Plarent Ndreca, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH, deklaroi se prokurori Dado nuk plotëson kriteret thelbësore ligjore për t’u emëruar në atë post.
Sipas avokatit Ndreca, prokurori nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk ka pasur as përvojën si këshilltar, çka, sipas tij, e bën emërimin e tij të paligjshëm. Këto detaje, theksoi ai, kanë dalë në pah vetëm gjatë zhvillimit të procesit aktual.
“Në kushtet kur Veliaj është cenuar, ka rënë në dijeni edhe të këtij fakti. Dado nuk i plotëson këto kushte dhe kjo doli dhe në seancë. Ai nuk iu përgjigj pyetjes sime të drejtpërdrejtë nëse i plotësonte kushtet,” u shpreh Ndreca.
Mbrojtja pretendon se gjatë seancës janë bërë “pohime gjyqësore” të rëndësishme, përfshirë mungesën e dokumentacionit në Presidencë për procesin e përzgjedhjes së tij.
“U pranua nga përfaqësuesit e Presidencës se, nëse kjo procedurë do të zhvillohej sot, nuk do të konfirmohej i njëjti emërim,” shtoi avokati.
Ndreca theksoi se ky nuk është thjesht një detaj burokratik, por një problematikë me pasoja të rënda reale. Përfaqësuesi ligjor i Veliajt nënvizoi se një individ që nuk ka tagrin për të qenë prokuror ka marrë vendime drastike që prekin funksionimin e kryeqytetit.
“Në rastin e Veliajt ka dhe një dimension tjetër ku dëmet janë edhe më të mëdha që ndjehen tashmë në Tiranë, për shkak të faktit se Veliaj është në izolim,” tha Ndreca, duke iu referuar masës së sigurimit. Ai argumentoi se Bashkia e Tiranës është privuar padrejtësisht nga drejtimi i një kryetari të zgjedhur tre herë në mënyrë demokratike, si pasojë e veprimeve të një individi që, sipas tij, “ushtron në mënyrë të paligjshme funksionin e prokurorit të Republikës”.
Lidhur me strategjinë ligjore, Ndreca sqaroi se padia kërkon konstatimin e “pavlefshmërisë absolute” të dekretit të emërimit, një koncept juridik që nuk kufizohet nga afatet kohore dhe konsiderohet si një akt që “nuk ka ekzistuar kurrë”. Pyetjes rreth faktit se prokurori e ka kaluar procesin e Vetingut, avokati iu përgjigj duke theksuar se Vetingu nuk ka pasur në objekt vlerësimin e procedurës fillestare të emërimit.
“Jam ende në fillim të procesit sepse më duhet të merrem me rreth 60 mijë faqe që ka dosja,” tha Ndreca, duke bërë me dije gjithashtu se gjyqtari i çështjes ka kërkuar që në seancat e radhës të jetë i pranishëm edhe një përfaqësues i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).











