Ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar në emisionin “Opinion”, këtë të enjte, më 1 tetor, kritikoi ashpër mosreagimin dhe ndërhyrjen e vonuar të Policisë lidhur me rastin e publikimit të videove intime, shpërndarja e të cilave ka marrë përmasa të mëdha.
Ai u shpreh se Policia e Shtetit, sektori i Krimit Kibernetik dhe Prokuroria, e cila ka sektorët e krimit kibernetik brenda strukturave të saj, nuk kanë vepruar siç duhej, duke u bazuar vetëm te fakti se “ankimi” nuk është bërë ende nga palët e dëmtuara.
“’Nuk kemi ankim’ nga qytetari dhe patjetër që do presim të kemi ankim nga qytetarët’, nuk është e vërtetë. Vepra penale që po konsumohej dje dhe po vazhdon të konsumohet sot në Republikën e Shqipërisë dhe tërë dynjaja është duke u kënaqur, është vepër penale e cila duhej të ndiqej kryesisht brenda dy-tre orëve nga sektori i Krimit Kibernetik.
Ne jemi pjesë e konventave të mbrojtjes së krimit kibernetik dhe kemi një zyrë të krimit kibernetik e cila vepron 24/7, në lidhje me të gjitha rrjetet sociale. Ne kemi një AKEP i cili funksionon në bazë të ligjit mbi mbrojtjen e të dhënave dhe shpërndarjen e të gjitha materialeve, të cilat lidhen me shpërndarësit e internetit. Dje u pa që nuk reagoi askush!”
Sipas tij, infrastruktura ligjore nuk mungon, por Policia është e papërgatitur përballë ngjarjeve të tilla kibernetike.
“Me sa shoh, Policia është, ka qenë dhe do të jetë e papërgatitur në këtë sulm, sepse vazhdojnë të shtojnë patrullat e policisë dhe nuk shtojnë specialistët që kanë lidhje me krimin kibernetik. Këtu u fol për sektorët e krimit kibernetik, po ata nuk kanë kompjutera dhe jo më të fillojnë në ‘lojëra’ të tjera.”











