Surprizat munguan në mbrëmje në Kupën e Italisë, kur Napoli e Juventus kaluan pa probleme, ndërsa më parë Roma e Fiorentina ishin eliminuar në mënyrë të bujshme, duke iu bashkuar Genoas, e hedhur jashtë një natë më parë nga Alessandria e Lega Pro (ish-Serie C).
Napoli fitoi 3-0 kundër Veronës, ndërsa Juventus mundi 4-0 Torinon, në derbin e qytetit.
Simone Zaza shënoi dy herë, para e pas pushimit, ndërkohë që Toro mbeti me dhjetë lojtarë. Dybala e Pogba plotësuan pokerin e golave.
Fiorentina, pretendente për titull, u eliminua pasi u mund 0-1 në shtëpi nga Carpi, ndërsa Roma u poshtërua në Olimpico nga Spezia e Serie B, pas gjuajtjeve të penalltive.
Spezia do të ndeshet me Alessandrian, çka do të thotë që në gjysmëfinale do të ketë një skuadër jashte Serie A.