Robert Shtëmbari, ish–Drejtori i Emergjencave Civile të Lushnjes, i arrestuar në 4 nëntor për korrupsion, ka ndërruar jetë në burgun e Rrogozhinës, për shkak të një ataku kardiak.
Të burgosurit akuzojnë drejtuesit e burgut për mungesë dhe vonesë të personelit mjekësor në dhënien e ndihmës së shpejtë.
Por në një reagim zyrtar thuhet se, Shtëmbarit iu dha ndihma menjëherë dhe se ndërroi jetë 20 minuta pas mbërritjes në spital.
“Sapo ka ndodhur ngjarja, rreth orës 16:40, është njoftuar mjeku roje i institucionit, i cili ishte prezent dhe ndërhyri menjëherë. Pas dhënies së ndihmës së parë në institucion, i paraburgosuri është nisur për trajtim të specializuar në qendrën shëndetësore Rrogozhinë, ku ka mbërritur në orën 16:50. Rreth 20 minuta pas paraqitjes aty, i paraburgosuri ka ndërruar jetë. Sqarojmë se ky person vuante nga tensioni i larte, gjë për të cilën trajtohej rregullisht. Vetëm dy ditë më parë ai është shoqëruar për një vizitë tek mjeku specialist (kardiak)”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në momentet e arrestimit, 55-vjeçari i kishte premtuar një qytetari nga Lushnja punësim në këmbim të një milion lekëve të vjetra. Nga hetimet paraprake është konstatuar se ai i kishte marrë këto para.