Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka folur lidhur me takimin me Shoqatën e Transportit, në kuadër të krizës së çmimeve të hidrokarbureve. Nga kryeministria, pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi tha se qeveria po ndjek me kujdes situatën dhe se propozimet e operatorëve të transportit janë duke u shqyrtuar.
“Ishim në takim me shoqatën e transportit. Situata e krizës hidrokarbure dhe çmimeve, po e ndjekim me kujdes. Kemi ngritur Bordin e Transparencës dhe nismën për akcizën. Gjatë vitit 2022 janë marrë disa akte subvencioni. Një element i tillë po diskutohet përsëri, pavarësisht se jemi në fillim të bisedimeve. Po e marrim në konsideratë, bashkë me propozimet e tjera nga Shoqata e Transportit. E kemi lënë të ulemi sërish me ta në ditët në vijim”, tha Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi.
Shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar për pasoja në funksionimin normal të shërbimit, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Operatorëte transportit kërkojnë nga qeveria riaktivizimin e VKM-së për paketën antikrizë, heqjen e akcizës për transportin publik, heqjen e taksës së qarkullimit si dhe TVSH-së në shitje ku është 20% aplikimi në shitjen e çdo bilete.
Po ashtu, Ministri Karakaçi, bëri me dije se është miratuar një akt i ri që lidhet me rregullat e etiketimit të produkteve me ndikim në energji. Ai theksoi se deri më tani ky proces ka qenë i fragmentuar, ndërsa tashmë ofrohet një qasje e integruar sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Miratuam disa akte, ku kryesori është për rregullat e etiketimit të produkteve me ndikim në energji. Deri tani kemi patur rregullim të fragmentuar sa i përket etiketimit të produkteve me ndikim në energji. Po flasim për ato pajisje elektrike të cilat kanë etiketimin sipas normave të BE, ku kategoria A është me ndikimin më të ulët energjetik dhe më pas vazhdon më poshtë. Përmes këtij akti i ofrojmë konsumatorit një qasje të integruar të ndikimeve në energji të produkteve dhe më pas ai është i lirë të bëjë blerjen përkatëse me informacionin e plotë të çdo produkti në energji. Kemi mundësi të ulim konsumin e energjisë elektrike dhe është edhe një detyrim në kuadër të BE, është ndër ato masa që Ministria i ka të parashikuara te plani i rritjes së BE”, u shpreh ai.











