Seanca plenare nuk i ka shpëtuar përplasjes mes maxhorancës dhe opozitës, edhe pse në rendin e ditës ishte miratimi nen për nen i buxhetit të shtetit dhe paketës fiskale, të cilat duhet të kalonin pa diskutime. Demokratët kanë shfrytëzuar futjen në rendin e ditës të ligjit për pronat, për të debatuar dhe akuzuar shumicën për lidhjet me krimin e organizuar.
Por, gjatë seancës, maxhoranca ka ndjekur një strategji të caktuar. Të gjithë deputetët e PS-së kanë sulmuar Lulzim Bashën për kontratën e lobingut që PD firmosi me kompanitë amerikane, duke kërkuar që të bënte transparencë për paratë e përdorura në fushatë. Por Kryeministri Rama ka qenë i vetmi që u mor me amendamentet e PD-së, duke i “demontuar” ato një për një dhe duke i quajtur si propozime të PD-së së buxhetit të vitit 2005. Rama i ka thënë dje Lulzim Bashës se nuk do të shpëtojë kollaj nga hetimi amerikan për përdorimin e fondeve të dyshimta në fushatë. Por Basha e ka ironizuar duke i përmendur rastin e Bilal Shehut, i cili shoqëroi Ramën në fushatën e mbledhjes Obamës vite më parë.
Basha akuzoi Ramën se po vjedh 400 milionë euro me inceneratorët e mbetjeve, por Rama ka sfiduar dje kreun e PD-së t’i faktonte akuzuat dhe se ai do të dorëhiqej nëse do të ishin të vërteta. Seanca mori tone gazmore, teksa Basha gaboi në shumëzimin dhe në mbledhjen e shifrave të parave, që qeveria Rama ka akorduar për inceneratorët. Por Kryeministri vazhdimisht e ka quajtur Bashën si artist dhe se PD-në ia ka dhënë Berisha si lodër, të cilën ky i fundit nuk di ta përdorë.
REPLIKAT NË KUVEND
Taulant Balla: Kryetari i PD-së duhet të japë shpjegime se ku i gjeti 1 milion dollarë për lobimin në SHBA. Nëse nuk ka filluar hetimi për këtë çështje, shumë shpejt SHBA-të do të nisin hetimin për Lulzim Bashën dhe 1 milion dollarët. Sa për akuzat ndaj meje, bëjë imitimin e Saliut sa herë të duash ndaj meje, por ne të dy dallojmë shumë. Nëse mbi mua do të rëndonin 230 milionë euro të Rrugës së Kombit, shitja e tokës së shqiptarëve, vrasja e 4 shqiptarëve në bulevard… Nuk bërë asnjë gisht punë në Tiranë.
Lulzim Basha: Kjo është një furtunë në gotë, që Edi Rama të mos u përgjigjet akuzave të faktuara për Saimir Tahirin, për Habilajt, për Balilajt, për vëllain e Fatmir Xhafës, për llogaritë offshore, për të cilat e ka akuzuar OSBE-ja me emër dhe mbiemër me vlerë 200 milionë euro. Për të akuzuar PD-në Rama zgjodhi Ballën, që ka rënë në rrjetën e pastrimit të parave prej vitesh dhe që nuk e mbron as imuniteti parlamentar, as fjalimet e stisura. Edi Rama bën mirë të pyesë drejtorin e tij të Policisë se ç’ka bërë Balla një muaj më parë me një nga të akuzuarit zyrtarisht nga Prokuroria e Elbasanit në Rumani…
Elisa Spiropali: Lulzim Basha, si ka mundësi që nuk ke këllqe t’u përgjigjesh pyetjeve të drejtpërdrejta…?!
Flamur Noka: Oj gocë, avash me këto, s’ke këllqe se…
Elisa Spiropali: Dilni këtu dhe përgjigjuni ku i keni gjetur ato para për të lobuar dhe për të nxirë Shqipërinë. A mund t’u përgjigjeni atyre pyetjeve që të mos na e nxini faqen edhe neve, që kur kemi qenë të rinj kemi ngritur dy gishtat për lindjen e PD-së? (Berisha ia bën me shenjë, deputetja e PS-së qesh)
Sali Berisha: Gishtat i ngrite kur ishe çupëz, por pastaj u fute në kontejner. Kjo është tragjedia.
Taulant Balla: Çfarë the ore, se s’të morëm vesh fare…
Sali Berisha: Kontejnerët e Kinës. Aha… Se e doni shqip ju.
Flamur Noka: Po të merresh me të mbyturin, rrezik mbytesh. Pyesni kush ishte Bilali? Dhe kush iu bë grua në Amerikë?
Sali Berisha-Nokës: Ç’punë kemi ne me orientimin e tij seksual, o Flamur?!
Flamur Noka: Kush iu vu në krah. Kush i dha para? Ku u gjetën ato paratë?
Sali Berisha: Kush janë njerëzit më të afërt të Edi Ramës? Tre janë. Gramoz Ruçi. Nuk kam të dhëna, përveçse duhet të qartësohet djegia e kullës së Qerem Bracit, por nuk kam të dhëna që djegia e kësaj kulle ka lidhje me Habilajt apo me Balilin, mundet, por nuk e them dot…
Taulant Balla: Merrja vulën Bashës… Ta ka keqpërdorur vulën e partisë.
Sali Berisha: I dyti më i afërt është Don Agacio, kumbara që lidh Ndragetën me qeverinë. E kam denoncuar me dhjetëra herë Don Agacion, por në këtë rast nuk kam të dhëna. I treti është Olsi Rama. Po pse është Olsi Rama? Le të sqarojmë një moment. Pse u ndoq Klement Balili dhe u shpall “Eskobari i Ballkanit”? U shpall “Eskobari i Ballkanit”, sepse Klement Balili bënte shkëmbimet e mëdha kanabis-kokainë. Ai ishte pikëmbështetja më e madhe e transaksioneve kanabis-kokainë në Ballkan. Olsi Rama me grupin e tij nga Bostoni, është autori kryesor i dramës shqiptare, që i nxori shqiptarët në konsumatorët kryesorë të kokainës dhe kanabisit në Europë dhe në botë.
Taulant Balla: Merrja vulën… Kishte lezet kur e përdorje ti vulën e PD-së.
Edi Rama: Amendamentet e PD-së janë një paketë propozimesh që bazohet e gjitha te programi elektoral i vitit 2005. Nuk ka absolutisht asgjë të re. Propozimet janë thjesht “më ka çu nana me la gojën”…
Lulzim Basha: Imagjinoni të ishte në pushtet ky në 2005-n dhe të mos kishte bërë asnjë kilometër rrugë, siç nuk ka bërë në këto 4 vjet as një kilometër rrugë. Imagjinoni mos të ishte as Rruga e Kombit, dhe as tunelet dhe pjesët e autostradës së Elbasanit dhe të mos kishte dhe mijëra kilometra rrugë që ne ndërtuam në gjithë Shqipërinë. Imagjinoni që, për mbledhjen propagandistike në Vlorë, qytetarëve nga Prishtina do t’u duhej të udhëtonin ditë e natë, si në kohën e Ismail Qemalit, për të mbërritur në Vlorë…
Edi Rama: Kryetari i PD-së mori fjalën dhe e dëgjuat çfarë tha? Ku dallon një parazit në kafene që ka një kafe apo një gotë rakie përpara dhe i merr temat si të vijnë nëpër mend, hidhu këtej dhe hidhu andej. Meqë jemi te paratë e pista, Rruga e Arbrit kushton 163 milionë euro dhe propozimin e ka bërë Rrok Gjoka. Ju të Republikës së Re, mos më shihni me çudi se ju nuk e njihni. Këta të Republikës së Vjetër e dinë që Rrok Gjoka është firmëtar i themelimit të Partisë Demokratike. Rrok Gjoka do të pastrojë paratë? Parat e kujt do të pastrojë?
Lulzim Basha: Problemi i vendit nuk është opozita, por se Edi Rama ka krimin aleat politik dhe ekonomik. Problemi i vendit nuk është as kryetari i opozitës dhe as mënyra se si drejtoj unë Partinë Demokratike, që ndryshe nga Rama, kam kurajën ta them dhe ta pranoj, me të mirat dhe gabimet e mia. Të reflektoj para demokratëve dhe jo para teje. Se Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet partia e vlerave. E vetmja parti që s’ka pakt me krimin, që nuk bleu vota dhe që mbetet e vetmja shpresë për shqiptarët për të nxjerrë vendin nga kriza.
Edi Rama: Po e filloj me një citim. “Ne përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë për zbatimin e reformave kyçe, përfshirë Reformën në Drejtësi, për betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Këtë e ka shkruar dhe firmosur vetëm…
Flamur Noka: E ka shkruar vetëm Vlahutini, Vlahutini…
Edi Rama: Këtë e ka firmosur Sekretari i amerikan i Shtetit. Për çfarë e përgëzon ky zotëri Shqipërinë?
Lulzim Basha: Lexo edhe pjesën që flet për korrupsionin galopant.
Edi Rama: Apo e kemi lobuar me para kompanish guaskë në një ishull parajse fiskale?
Lulzim Basha: Me kompaninë e Bilalit (Shehut).
Edi Rama: Lulzim, do të të prezantoj me Bilalin…
Flamur Noka: Bilali s’ka nevojë për burrë, se të ka ty…
Edi Rama: Sepse Bilali e kaloi atë, që të siguroj sot se do ta kalosh edhe ti. Ta siguroj këtë gjë. Dhe në fund të hetimit dhe gjykimit.
Flamur Noka: Bilali është në burg…
Edi Rama: Jo, e keni shumë gabim, nuk është në burg dhe ju siguroj…
Flamur Noka: Ky e di më mirë, se ti u hoqe si bashkëshortja…
Edi Rama: Jam i bindur si këto drita që shikoj, që edhe sikur Prokuroria shqiptare të mos e lëvizë gishtin, ajo çështje do të hetohet aty ku nuk kalon dot deveja në vrimën e gjilpërës…
(Flamur Noka ndërhyn në fjalimin e Ramës)
Edi Rama: Të lutem, mos me interfero se më dukesh si ata zhurmuesit që futeshin te sinjali i jugosllavit.
Flamur Noka: Nuk po bëj zhurmuesin. Po të duash të jap antenën.
Edi Rama: E fitove bukën për sot. Po rri rehat tani..
Flamur Noka: Të jap antenën që të përforcosh sinjalin.
Edi Rama: Lulzim, foli këtij shkopit, Flamurit…
Flamur Noka: Shkopin ta mbash në gojë. Kam shkop gome…
Edi Rama: Po të mos ishit ju në vitin 2005, nuk do të ishte Flamuri ministër i Brendshëm, dreqi e mori!
Flamur Noka: Do të ishte Saimir Tahiri ministër, dreqi e mori!
Sali Berisha: Po të ngushtohet rrethi dhe po ecën drejt vendit, atje ku e ke. Në një birucë fare të mirë, ku e meriton për gjëmën që i bëre Shqipërisë. Ti je peshku i madh dhe ti duhet të mbash përgjegjësi për krimin monstruoz që ke bërë ndaj këtij vendi…
Edi Rama: Saliu tha “peshku i madh”, në fakt e vetmja qenie që llokoçitet si peshk në rrjetë është Saliu kur bën not. Lulzim, hajde merre fjalën dhe bëhu serioz, sepse je kryetari i PD-së. Duam, nuk duam ne, lodrën këta ta dhanë ty. Ta fali Saliu lodrën, po ti kësaj lodre nuk ia di kuptimin, nuk ia di vlerën, nuk ia di funksionin dhe kujton se mjafton që i ke hipur ti lodrës e lodra do të të çojë në destinacion. Nuk të çon asgjëkund. Taksirat i Flor Mimës dhe Dash Shehit ta montojnë lodrën nga e para kur ta lësh ti copë-copë. Bilalin do t’ia jap Lulit asistent të kuptojë se çfarë e pret, këtu do të jemi…
Lulzim Basha: Po pse çirresh Edi Rama, bërtet këtu si adoleshent?!
Edi Rama: Nga dashuria për ty…
Lulzim Basha: Pse nuk the një fjalë për pronësinë e tre inceneratorëve?
Edi Rama: Lefter (Kokës), hajde këtu Lefter, se të doli emri! Hadje se nuk është më Fatmiri!
Fatmir Mediu: Mos fol budallallëqe!
Edi Rama: Hajde se futem unë mik te Monika, hajde fol!
Lulzim Basha: Ke fol 30 minuta për 400 milionë euro? Pak ke folur, ti duhet të hipje këtu të kërceje naplonin.
Edi Rama: Naplonin e kërcen Dash Shehi.
Lulzim Basha: Dash Shehi nuk merr 400 milionë euro t’i fusë në xhep. Pse je në siklet ti, pse përdor fjalorin e horrit ti dhe i turresh opozitës? Si e katandise Grupin tënd, gjysma persona të dalë nga burgu?
Edi Rama: Gjysmat thotë, ky ka 20 deputetë më pak..
Lulzim Basha: Peshqit janë kapur, po presin të dalë peshkarexha në breg… Si s’fole njëherë për Habilajt dhe për Balilin ti? Apo për patentat e Saimir Tahirit?
Edi Rama: Më thua pse nuk flet për Habilajt, ndërsa unë pyes veten nëse nuk do të kishin dalë këta Habilajt, ç’do të thoshit ju? Se më krijohet përshtypja sikur ju çdo natë shikoni në ëndërr të bëjnë ndonjë gjë Habilajt nesër, se përndryshe na lanë pa punë. Unë as nuk i kam njohur Habilajt, ti i ke njohur, kanë qenë roje në një investim, që ti e di shumë mirë se ku ka qenë dhe si është bërë dhe mund të flasësh e me të drejtë mund të jesh shumë i inatosur me ta. Unë çfarë të flas, për një llum që është prapa hekurave, atje ku e meriton? Nëse janë 400 milionë euro për impiantet e përpunimit dhe trajtimit të mbetjeve, unë jap dorëheqjen. Ti e jep dorëheqjen?
Lulzim Basha: Vetëmburrja që përdor tregon se ke kompleksin e humbësit, ti nuk duron dot garë. Kush të ka thënë ty që unë apo familja e time shoqeje i njeh Habilajt? E kupton sa poshtë ke rënë? Nuk pres të japësh dorëheqjen edhe pasi të faktoj me letrat e tua që i ke sjellë në Parlament. Ti nuk e dhe dorëheqjen dhe nuk e jep dorëheqjen, sepse nuk e njeh dorëheqjen.
Edi Rama: Ore thuaje e jep ti dorëheqjen, apo jo?
Lulzim Basha: Çfarë dorëheqjeje do japësh ti? Ti s’pranon zgjedhjet në parti, do japësh ti dorëheqje. Keq mirë, ne kemi zgjedhje. Po ti bëre referendum që mos bësh zgjedhje. Nuk është PD lodra ime dhe kurrsesi nuk mund të jetë lodra jote, por është shpresa e çdo shqiptari. S’mund të lejojmë kurrsesi që Shqipëria të jetë lodra jote. E di që s’jep dorëheqje.
Edi Rama: Ku e ke kontratën?
Lulzim Basha: Operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane në Bashkinë e Tiranës, kohëzgjatja 7 vjet. Pra, 7 vjet, nga 7 milionë euro po e marrim, po ta bëj në dollarë. Mos e jep dorëheqjen pra. 7×7 janë 42.
Taulant Balla: 7×7 bëjnë 49 ooo… ik mor.
Lulzim Basha: Po 7×7 bëjnë 49 më fal, s’e pashë 6-ën. Pra, 6×6 bëjnë 36. Pra, 49 plus 36 bëjnë 95.
(Deputetët e PS dhe Rama qeshin me të madhe)
Lulzim Basha: 49+36 bëjnë 85… A u shkritë ju se për ju këto janë si patate. 49+36 bëjnë 85 milionë euro vetëm për këto të dyja.
Taulant Balla: O ky nuk di as të numërojë… Estradë e madhe.
Lulzim Basha: Ti pusho (Balla), i di unë se ku i numëron ti. Dëgjo ti që i numëron në Rumani.
Taulant Balla: Hajde do të bëhesh kryeministër ti. Shkollën natën e ke bërë për matematikë?
Lulzim Basha: Të kërkoj ndjesë se nuk qenkan 400, por qenkan 385 milionë dollarë. Po ta ul dhe kursin e këmbimit dhe nuk qenkan 385 milionë euro, por 350 milionë euro. Fitove ti, nuk do zhvarësh 400 milionë euro, por 350 milionë euro. Edhe për këtë kërkon dorëheqjen time.
Edi Rama: Tani e kuptuat pse kam thënë që Luli është artist. Ta kuptojnë të gjithë që kur unë thosha është artist, kujtonin se unë tallesha. A e patë, artist? Sy për sy me shifra në dorë. Është artist. Unë them e jap dorëheqjen, ai thotë, jo ti s’e jep. Se është artist. Çfarë t’i them? Se të kujton vargjet e Shekspirit: Si t’ia them prapë, shoqes Bule që po llap. Se si do që t’ia thuash, shoqja Bule prapë do llapë. Më vjen mirë që të gjithë e panë dhe e dëgjuan që shifrat e shkrehura në ajër, nga dritaret e trenit që bën çuf-çuff-çuf dhe s’ka shina, ishin loja. E një artisti të madh. Artist e keni, artist./Panorama