Gjigantët Nvidia dhe AMD do t’u paguajnë SHBA-ve 15% të shitjeve në Kinë të çipeve të tyre me Inteligjencë Artificiale të avancuar, thonë burime për New York Times.
Të mërkurën, CEO i Nvidia, Jensen Huang, arriti një marrëveshje me Trump në Shtëpinë e Bardhë për t’i dhënë përqindjen e shitjeve në Kinë qeverisë federale, në një dakordësi të paprecedentë që i bën SHBA-të partnere të këtyre dy kompanive teknologjie në operacionet e tyre në tregun aziatik.
Dy ditë pas firmosjes së marrëveshjes, Departamenti i Tregtisë nisi të lëshonte licenca për çipet me IA të Nvidia, H20. Një muaj më parë, kompania ishte autorizuar që të shiste pjesën më të madhe të çipeve në Kinë, por nuk kishte marrë licencat për shitjen e kësaj teknologjie të avancuar dhe thelbësore për zhvillimin e IA.
Të njëjtat burime thonë se edhe AMD është pjesë e marrëveshjes që mund të prekë shitjet e çipeve MI308 që janë jetike për qendrat e të dhënave ku trajnohen modelet e Inteligjencës Artificiale.
Marrëveshja për të vijuar eksportin e çipeve të avancuar në Kinë mund t’i sjellë SHBA-ve më shumë se 2 miliardë dollarë: para kufizimeve, Nvidia i shiti Kinës çipe H20 me vlerë 15 miliardë dollarë dhe AMD pritet të shesë çipe MI380 me vlerë 800 milionë dollarë.
Pekini nuk i mirëpret idenë që kompanitë kineze të përdorin H20 dhe ka pak gjasa që ta pranojë idenë e taksës. Yuyuantantian, një llogari në rrjetet sociale e lidhur me televizionin publik në Kinë që raporton vazhdimisht pikëpamjet e Pekinit për tregtinë, kritikoi ashpër cenueshmërinë e sigurisë dhe ineficencës së çipeve.
SHBA-të dhe Kina pritet që të arrijnë sot një marrëveshje 90-ditore që do të shkojë drejt një marrëveshjeje të plotë tregtie. Drita e gjelbër për shitjen e çipeve është një nga pikat kyçe bashkë me blerjen e produkteve bujqësore.










