Spiro Dede, ish-sekretar i Komitetit Qendror në fundin e viteve ’80 dhe një nga liderët e rëndësishëm të Partisë Socialiste në fillimet e saj, ka qenë redaktori kryesor i librave me kujtime të Enver Hoxhës.
Kontaktin e parë me odisenë e zhdukjes së procesverbalit të themelimit të PKSH e ka pasur në fundin e viteve ’70, kur përgatiste për botim kujtimet në dorëshkrim të Enver Hoxhës, që u përfshinë në librin “Kur lindi Partia”. Në këtë fragment pune, shprehet Dede, duke u njohur me histori e dokumente të panjohura për mbledhjen themeluese, mësova dhe shumë të vërteta për rrethanat si ishte zhdukur procesverbali i themelimit të PKSH.
Më shumë se nga bisedat me Hoxhën, nga rrëfimet e Nexhmijes dhe historianit Ndreçi Plasari, ish-zyrtari i KQ ka mundur të zbulojë rrethanat si dokumenti historik kishte rënë në duart e italianëve në prill të vitit 1942 dhe të mësojë përpjekjet e bëra pas çlirimit për ta kërkuar në arkivat e Italisë. Në arkivat shqiptare, pohon Dede, kam gjetur vetëm një fletë të daktilografuar të shkëputur nga procesverbali që fashistët e kishin përdorur në procesin gjyqësor të Koçi Xoxes, si provë e pakundërshtueshme se ishte komunist dhe pjesëtar i mbledhjes themeluese etj.
Interesante në rrëfimin e redaktorit të librave me kujtime të Hoxhës, janë kujtimet për raportin e tij me bashkëshorten e kreut të regjimit, e cila ishte e autorizuar për të ndjekur në mënyrë të posaçme korpusin e librave me kujtime, shënime e refleksione të E.Hoxhës, por edhe nostalgjia e kujtimet personale nga vitet e luftës. Ajo, siç shprehet Dede, i ka mundësuar hapjen e dyerve të arkivit historik të PPSH, veçanërisht kasafortat “hermetike” (ato me 5 pulla me dyllë të kuq), për t’u ballafaquar e konsultuar me dokumentet origjinale, pavarësisht nëse në to kishte edhe plot të tilla ku goditej, me të drejtë a pa të drejtë, edhe vetë E.Hoxha.
Ditët e fundit në “Panorama” kanë ngjallur interes disa shkrime e opinione rreth enigmës së vendndodhjes së procesverbalit të mbledhjes themeluese të PKSH. Ju keni punuar për përgatitjen për botim të librit “Kur lindi Partia” të Enver Hoxhës, ku një vend të dukshëm zënë kujtimet për themelimin e PKSH, ç’mund t’u shtoni opinioneve e gjykimeve të shfaqura?
Asnjë gjë të re apo ndryshe nga ato që janë shkruar këto ditë e të ditura prej dekadash për fatin e procesverbalit të mbledhjes themeluese. Intervista e Kastriot Dervishit dhe fragmenti nga libri i Paskal Milos për odisenë e kësaj ngjarjeje, për mendimin tim, janë shteruese dhe të sakta. Përjashtoj hamendësimet se procesverbali i famshëm, tri fletore gjithsej, qenka zhdukur pas çlirimit nga “injoranca” dhe “egërsia” e partizanëve, apo se udhëheqja e PPSH gjoja nuk ka dashur ta gjejë… për të zhdukur dëshmi përvëluese e gjurmë të së vërtetës etj., etj.
Ku e mbështesni këtë mospajtim?
Së pari, se janë thjesht hamendësime, pa fakte, ndërtuar mbi mendësi, thënë butë, denigruese. Së dyti, dhe kryesorja, se unë jam dëshmitar i një qëndrimi krejt ndryshe nga ai që u atribuohet padrejtësisht si partizanëve të lirisë, ashtu edhe drejtuesve të asaj kohe. Të flasim konkretisht… Në vitin 1980 kam punuar për redaktimin e përgatitjen për botim të kujtimeve dorëshkrim të Enver Hoxhës, që u përfshinë në librin “Kur lindi Partia”. Enver Hoxha ishte gjallë, me një memorie për zili, por porosia e tij ishte që, pavarësisht memories, dorëshkrimet e tij, para se të shkonin për botim, duhej të konfrontoheshin (ballafaqoheshin) me dokumentacionin burimor, kryesisht arkivor, për të shmangur ndonjë harresë, konfondim a lajthitje, pasojë e distancës në vite, moshës etj.
Në këtë fragment të punës u njoha me tërë ato histori e dokumente si për mbledhjen themeluese, ashtu edhe, në mënyrë të veçantë, për odisenë e procesverbalit. Sesi e qysh ai dokument kishte rënë në duart e italianëve në prill 1942 (Zef Ndoja, – “thesi me miell” etj…) dhe ç’përpjekje ishin bërë mbas çlirimit për ta kërkuar në arkiva e institucione të Italisë, më folën hollësisht Nexhmije Hoxha dhe prof. Ndreci Plasari, njohës nga më të mirët i historisë së Luftës NÇL dhe PKSH për periudhën e luftës. Kam pyetur e folur me hollësi edhe me punonjës të arkivit, me prof. Sh.Ballvorën etj., të cilët aty nga mesi i viteve ’50, bashkë me punonjës të ambasadës sonë në Romë, ishin ngarkuar për të rënë në gjurmët e atij dokumenti.
E vërteta është se nuk kishin mundur të gjenin asgjë… Nga arkivi i PPSH m’u dha edhe ajo fletë e daktilografuar, shkëputur nga procesverbali që italianët e përdorën në gjyqin e 204 komunistëve. Me sa më kujtohet, ishte fleta që gjatë hetuesisë e gjykimit fashistët ia kishin venë përpara Koçi Xoxes si provë e pakundërshtueshme se ishte komunist, pjesëtar i mbledhjes themeluese etj. Po në atë faqe të procesverbalit jepeshin edhe dy-tri ndërhyrje të Enver Hoxhës, Qemal Stafës etj., gjatë debateve në mbledhje, ndërhyrje normale, pa ndonjë rëndësi në kuadrin e së tërës, por që tashmë edhe për mua dëshmonin pjesëmarrjen në mbledhje të figurave të përmendura…
Meqë e përmendët, a ishte e interesuar Nexhmije Hoxha për të vërtetat e mbledhjes themeluese e, në këtë kuadër, edhe për procesverbalin e mbledhjes?
E interesuar dhe e disponuar për të arritur më të mirën e mundshme. Mplikseshin një varg rrethanash që i favorizonin sjelljet dhe qëndrimet e saj – detyra si Drejtore e Institutit që merrej edhe me botimin e veprave të E.Hoxhës, bashkëshorte e tij, e autorizuar për të ndjekur në mënyrë të posaçme korpusin e librave me kujtime, shënime e refleksione të E.Hoxhës, por edhe nostalgjia e kujtimet personale nga vitet e luftës – të gjitha këto e shtynin atë që të bënte ç’mundej për t’i qëndruar sa më pranë së vërtetës. Ajo na mundësonte hapjen e dyerve të arkivit historik të PPSH, veçanërisht kasafortat “hermetike” (ato me 5 pulla me dyllë të kuq), për t’u ballafaquar e konsultuar me dokumentet origjinale, pavarësisht nëse në to kishte edhe plot të tilla ku goditej, me të drejtë a pa të drejtë, edhe vetë E.Hoxha.
Për rastin konkret, kur në arkiv nuk po gjenim materiale me interes për mbledhjen themeluese, ajo më sugjeroi e autorizoi të takohesha jo vetëm me Pilo Peristerin, që mund ta takonte kushdo, por edhe me Ramadan Çitakun e Kristo Themelkon, të vetmit ende gjallë nga ata të mbledhjes themeluese, por që tashmë prej vitesh kishin zënë “qoshen”. U ndamë me ngashërim: “Shumë mirë, extra, extra i ka përshkruar shoku Enver. S’kemi asnjë llaf ç’të shtojmë…”, kaq mund të kujtonin nga ato ditë të largëta, kur edhe ata, me 12 të tjerë “nënshkruanin stuhinë…”.
A patët të tjera kontakte e përpjekje për gjetjen e dokumenteve dhe fakteve burimore?
Ishte një proces i tërë pune, disamujor, me ballafaqime, saktësime emrash, vendesh, ngjarjesh, episodesh. Mes tyre kujtoj se iu drejtuam për ndihmë edhe vetë Enver Hoxhës. Kishim hasur, më duket në kujtimet e Koço Tashkos, emrin e Sadik Bekteshit si pjesëmarrës në mbledhjen themeluese, gjë që mungonte në dorëshkrimin e E.Hoxhës dhe për saktësi ia referuam atij.
Të nesërmen na erdhi një shtesë interesante: Po, Sadik Bekteshi, anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, kishte qenë vërtet në ditët e mbledhjes themeluese, por jo si delegat, përfaqësues, por në stafin ndihmës, ashtu si Ali Demi, Xhezmi Delli e një sërë emrash të tjerë, aktivistë të zgjedhur nga grupet komuniste, që shërbenin si roje, për furnizimet me ushqime, gatim, ngrohjen e ambienteve të shtëpisë etj. Dihet, mbledhja zgjati 5-6 ditë dhe në momente pushimi apo në diskutime të lira, sidomos natën, kishte raste që përziheshin edhe shokët e shërbimit e të Sigurimit, bile-bile edhe debatonin, krijonin atmosferë humori etj.
Pra, interesimi dhe përpjekjet për ta gjetur atë dokument principial të asaj kohe, të asaj partie e të atij rendi, nuk kishin munguar asnjëherë. Në vetvete ai dokument vetëm u bënte nder atyre që e kishin krijuar. S’kishin asnjë arsye, asnjë motiv për t’iu trembur, për ta fshehur, ca më pak, për ta asgjësuar, qoftë edhe nga… “injoranca a egërsia” e partizanëve… Nuk meritojnë etiketime të tilla, denigruese e keqdashëse partizanët e mëdhenj të lirisë e të fitores.
Janë po ata, të zbritur nga malet, që me përgjegjshmëri dhe devotshmëri shpëtuan arkiva të tëra nga rreziku i asgjësimit, ruajtën të paprekura e përcollën gjer në demokraci të gjitha dokumentet e shtetit e të administratës shqiptare, përfshi gjithë dokumentacionin e periudhave të mbretërisë, të pushtimit nazi-fashist e të periudhës pasuese. Kohë e atyre partizanëve e suprimoi pronën private, shtetëzoi toka, kullota e pyje, por tapitë, dokumentet e identifikimit e të hipotekimit i ruajti me përgjegjshmëri e skrupulozitet dhe ia dorëzoi të pacenuara demokracisë, që të shkolluarit e të rafinuarit e epokës së re të luanin mbi to vallen makabre të grabitjes, tjetërsimit, dhunimit.
Si i vlerësoni në tërësi kujtimet e E.Hoxhës për mbledhjen themeluese, sa afër së vërtetës, sa të besueshme janë ato?
Është tjetër problem, pa dyshim shumë i rëndë- sishëm, i mprehtë. Ka të bëjë me analizën e tekstit, me thelbin e tij, me rrethanat kur është shkruar, me pozicionin e autorit, pse e ka shkruar, me ballafaqimin e atij teksti me të vërtetat që dihen, që provohen e dokumentohen, (Thirrja e KQ të PKSH, Rezolucioni i mbledhjes themeluese etj.), përqasja me kujtime e gjykime, vërejtje a kundërshtime të bashkëkohësve etj., etj. Personalisht ia kam shtruar edhe unë vetes pyetje të tilla, kam pa dyshim edhe unë gjykimet e argumentet e mia, por aktualisht nuk po diskutohet për shkallën e vërtetësisë së kujtimeve për mbledhjen themeluese, por për fatin, për misterin apo odisenë e dokumentit themelor të asaj ngjarjeje.
Patjetër që ka interes një dokument i tillë historik…
Ju thoni se publikimi i kësaj teme ka ngjallur interes. Tingëllon e çuditshme. Jo vetëm për momentin aktual politik, – kulmi i fushatës elektorale, debatet e zjarrta, shpesh egërshane mes partive politike në garë, por sidomos për faktin që bëhet fjalë për një dokument të prodhuar 75-76 vjet më parë e që i takon një force politike, e cila prej mbi një çerekshekulli ka dalë nga skena e historisë.
Nuk mendoj, pra, se ngjall interes dokumenti në vetvete dhe as enigma e pazgjidhur e fatit të tij. Interes publik ngjall e duhet të ngjallë tjetër gjë: Është për t’u vlerësuar serioziteti dhe përgjegjshmëria e atij grushti djemsh të fillimviteve ’40, që edhe pse pa përvojë, pa shkollimet e duhura, pa kancelari e sekretari etj., etj., e, mbi të gjitha, në kohë e rrethana nga më të rëndat, për vendin e për ata vetë, jo vetëm ndërmerrnin realizimin e një vepre të madhe, krijimin e një partie politike, por edhe kujdeseshin që t’i regjistronin e fiksonin në dokumente ato që diskutonin e vendosnin. Bashkë me emrat e identitetet e tyre.
Nuk e bënin as për t’i pasur si hajmali, as për hosana e lavdi. E bënin për seriozitet, për përgjegjshmëri e për histori. Të hapur para historisë, kjo është e vërteta e dokumentit. Po në ato vite, nisur në vitin 1939 e bitisur në fund të vitit 1942, u krijua edhe Balli Kombëtar me “ajkën”, siç thuhet, e të shkolluarve, bënë edhe ata një a dy kongrese, por askund këta të ndriçuar s’lanë dy fije a dy fjalë dokument origjinal, që të hidhnin dritë për ngjarjet kryesore, si e qysh u mblodhën, ku, përse etj. Ca më pak të kërkosh të tilla “delikatesa” nga “Legaliteti” i fundit të vitit 1943, a nga grupime krahinore e bajraqesh, atdhetaria e të cilëve nuk i kapërcente kodrat e fshatit fqinj.
Por nëse këto subjekte janë larg në kohë, sa e si i kanë të dokumentuara në procesverbale, në rezolucione, thirrje e komunikata, ngjarjet kryesore të veprimtarisë së tyre, përfshi momentet e krijimit, ardha e pafund e partive dhe partizave politike të Shqipërisë demokratike e pluraliste?! Thuajse askund s’gjenden e s’ruhen dokumente të tilla, edhe nëse ndokush ka arritur t’i hedhë në letër a t’i regjistrojë me teknikat bashkëkohore. Vepro pa lënë dokumente, pa lënë gjurmë, pa lënë shenja. Një praktikë a devizë e tillë, përveç morisë së enigmave e pasojave korrente, është dëmi më i madh që i bëhet historisë. I mbyll derën asaj ç’ka ndodhur e si ka ndodhur. U mbyll derën analizës e gjykimit, pësimit e mësimit…/Panorama/a.m.