Nga Malvina Tare
Siguria ushqimore në Shqipëri është kthyer në një nga çështjet më të diskutuara të muajve të fundit. Nga produktet e bllokuara në kufijtë e Bashkimit Europian, te raportet për mbetje të larta pesticidesh në fruta e perime, shqetësimi për atë që vendosim në tryezë është rritur ndjeshëm. Ekspertët paralajmërojnë se kontrolli mbi prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve mbetet i fragmentuar, ndërsa laboratorët dhe inspektimet në terren janë ende larg standardeve europiane. Kjo situatë ka ringjallur debatin mbi përgjegjësinë institucionale, transparencën e tregut dhe nevojën urgjente për një sistem më të fortë garancish për konsumatorin shqiptar.
Në prodhimin vendas të qumështit thuhet se vetëm 5.5 % e fermerëve kanë përdorur shërbime të testimit të cilësisë së qumështit në vitin 2020.
Mediat ndërkombëtare dhe rajonale e portretizojnë situatën me përzierje mes problemeve serioze dhe përpjekjeve reformuese. Nga një anë, ekzistojnë shkelje të përsëritura të sigurisë ushqimore, produkte të kontaminuara, monitorim i pamjaftueshëm, dërgesa të ndaluara, që krijojnë një imazh shqetësues për konsumatorin. Nga ana tjetër, ka të paktë sinjale pozitive: për shembull, vëmendje e shtuar nga qeveria dhe mbështetje nga BE-ja për përmirësim.
Globalizimi i tregut ushqimor, rritja e konsumit të ushqimeve të përpunuara dhe ndryshimet në zakonet e të ngrënit kanë bërë që nevoja për standarde të larta sigurie të jetë më urgjente se kurrë.
Por përtej teknologjisë, inspektimeve dhe ligjeve, ekziston një faktor që përcakton në mënyrë vendimtare cilësinë e ushqimit që konsumojmë: kultura e ushqyerjes.
Kjo kulturë, që përfshin mënyrën si një shoqëri e koncepton, përzgjedh, prodhon dhe konsumon ushqimin është thelbi mbi të cilin ndërtohet çdo sistem i qëndrueshëm ushqimor.
Një vend që ka respekt për ushqimin, traditën dhe origjinën, është më i prirur të ketë një treg të sigurt dhe të përgjegjshëm.
Në këtë kontekst, do të analizoj tregun Italian, i cili duket se përfaqëson një shembull model të ndërthurjes së kulturës me sigurinë ushqimore, ndërsa Shqipëria, megjithëse me potencial të madh, është ende në proces të konsolidimit të këtij raporti.
Ushqimi si pjesë e identitetit kombëtar, garanci sigurie
Italia është një nga shembujt më të qartë se si kultura e ushqyerjes mund të bëhet mekanizëm mbrojtës për sigurinë ushqimore. Në këtë vend, ushqimi nuk është thjesht nevojë biologjike apo mall tregtar, ai është pjesë e identitetit, e trashëgimisë dhe e jetesës së përditshme.
Kjo filozofi është mishëruar në konceptin “la dieta mediterranea”, e cila është shpallur nga UNESCO si Pasuri Botërore e Praprekshme e Njerëzimit. Ky model ushqimi, i bazuar në perime të freskëta, vaj ulliri, peshk, drithëra integrale dhe konsum të moderuar të mishit, është jo vetëm i shëndetshëm, por edhe i sigurt. Ai përfshin një qasje të qëndrueshme ndaj prodhimit dhe konsumit, ku respekti për sezonin, tokën dhe produktin janë parime themelore.
Kjo ndjeshmëri kulturore reflektohet në mënyrën si funksionon sistemi italian i sigurisë ushqimore. Autoritetet përkatëse — Ministero della Salute, ICQRF (Ispettorato Centrale della Qualità e Repressione Frodi) dhe Carabinieri NAS — ushtrojnë kontrolle të rregullta në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, nga fermerët te supermarketet.
Falë një sistemi të avancuar gjurmueshmërie (tracciabilità), çdo produkt në Itali mund të identifikohet që nga origjina deri te konsumatori final. Ky sistem është aq i detajuar, sa në rast ndotjeje apo mashtrimi, produkti mund të tërhiqet menjëherë nga tregu, duke shmangur pasoja të rënda për shëndetin publik.
Italia është një nga vendet me numrin më të madh të produkteve ushqimore të certifikuara në Europë, falë sistemit të saj të mbrojtjes së origjinës dhe cilësisë. Produktet italiane vendase shpesh mbajnë shenjat DOP (Denominazione di Origine Protetta) ose IGP (Indicazione Geografica Protetta), që garantojnë lidhjen e fortë midis produktit, territorit dhe traditës.
Në veri, Parmigiano Reggiano, i quajtur me të drejtë “mbreti i djathërave”, prodhohet ende me teknika shekullore në Emilia-Romagna. Po aq i famshëm është Gorgonzola, një djathë me myk blu nga Lombardia dhe Piemonte, që njihet për shijen e tij të butë dhe aromatike. Nga rajoni i Parmës vjen Prosciutto di Parma, një proshutë e tharë natyrshëm që konsiderohet simbol i mjeshtërisë italiane në përpunimin e mishit.
Më në jug, në Puglia, gjendet Pane di Altamura, bukë me kore të trashë dhe aromë karakteristike, ndërsa në Campania prodhohet Mozzarella di Bufala, djathi i freskët që përdoret në shumë receta tradicionale italiane. Nga Sicilia vijnë Pomodoro di Pachino, domatet e vogla e të ëmbla që rriten pranë detit, dhe Arancia Rossa di Sicilia, portokallet e kuqe të famshme për ngjyrën e tyre të thellë dhe shijen e veçantë.
Në Toscana, Chianti Classico mbetet një nga verërat më të njohura italiane, ndërsa në Campania, qyteti i Gragnano është bërë sinonim me pastën artizanale, e njohur për teksturën që mban salcën në mënyrë perfekte. Nga Veneto vjen Prosecco – vera e gazuar që është bërë pjesë e çdo feste italiane.
Të gjitha këto produkte janë të certifikuara me shenjat DOP ose IGP, që garantojnë jo vetëm origjinën, por edhe përkushtimin ndaj cilësisë dhe autenticitetit.
Por siguria në Itali nuk vjen vetëm nga shteti, ajo buron nga ndërgjegjësimi shoqëror. Konsumatorët italianë kanë një arsimim të lartë ushqimor: lexojnë etiketat, kërkojnë origjinën e produktit, zgjedhin prodhues lokalë dhe preferojnë produktet DOP ose IGP (me origjinë të mbrojtur).
Ky ndërgjegjësim është rezultat i një procesi kulturor që ka dekada që zhvillohet, duke përfshirë edhe lëvizjen “Slow Food”, lindur në Piemonte në vitin 1986, e cila promovon ushqimin “të mirë, të pastër dhe të drejtë” (buono, pulito e giusto). Kjo lëvizje ka ndikuar në ndryshimin e mentalitetit europian për ushqimin dhe ka shërbyer si model global i qëndrueshmërisë dhe etikës ushqimore.
Pra, në Itali, siguria ushqimore është pasojë e një kulture të konsoliduar të ushqyerjes, një bashkëjetesë harmonike midis traditës, politikës ligjzbatuese, inovacionit dhe përgjegjësisë shoqërore.
Shqipëria: mes trashëgimisë tradicionale dhe sigurisë në ushqyerje
Shqipëria është pjesë e të njëjtit rajon mesdhetar dhe gëzon një pasuri të jashtëzakonshme ushqimore: toka pjellore, klima e butë dhe një trashëgimi gastronomike që përfshin produkte natyrore dhe të shëndetshme. Por ndërsa kultura tradicionale ushqimore është e fortë në thelb, sistemi modern i sigurisë ushqimore ende nuk ka arritur të përfitojë plotësisht prej saj.
Në Shqipëri, çështja e sigurisë ushqimore mbetet një nga temat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme për shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik. Pavarësisht potencialit bujqësor që ka vendi, realiteti tregon se tregu vendas vuan nga mungesa e kontrollit efektiv, infrastruktura e dobët laboratorike dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme e produkteve që arrijnë në tryezën e konsumatorit.
Shpesh, në tregjet shqiptare qarkullojnë produkte të paidentifikuara qartë për nga origjina dhe mënyra e prodhimit. Analizat e pakta të kryera kanë treguar raste të larta mbetjesh kimike, pesticideve dhe mikrobeve në produkte bujqësore, si dhe probleme me qumështin e përpunuar apo mishin e importuar. Kjo situatë e bën të domosdoshme fuqizimin e prodhimit vendas si një strategji për të garantuar ushqim të sigurt dhe të gjurmueshëm.
Forcimi i prodhimit vendas është thelbësor për të ndërtuar një sistem ushqimor të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm në Shqipëri. Në një treg ku importet zënë pjesën më të madhe të konsumit, rreziku për mungesë kontrolli mbi origjinën dhe cilësinë e ushqimit është i lartë. Produktet që hyjnë në vend shpesh nuk kalojnë nëpër analiza të rregullta laboratorike, ndërsa mekanizmat e mbikëqyrjes mbeten të kufizuar. Kjo krijon një boshllëk të madh në sigurinë ushqimore dhe ekspozon konsumatorin ndaj rreziqeve që mund të shmangen.
Ministria e Bujqësisë dhe burime të tjera raportojnë se rreth 15 produkte bujqësore shqiptare kanë marrë certifikim ndërkombëtar (në veçanti GLOBALG.A.P.) në vitet e fundit, kryesisht në sektorin frutë-perime. Nga ana ligjore, Shqipëria ka miratuar kuadrin për “Emërtimet e Origjinës” dhe “Treguesit Gjeografikë” si pjesë e sistemit të mbrojtjes së produkteve me origjinë specifike.
Duke fuqizuar prodhimin vendas, Shqipëria do të mund të garantojë një kontroll më të plotë mbi procesin, nga toka dhe ferma, deri te tregu dhe raftet e supermarketeve. Një sistem i tillë lejon gjurmueshmëri më të saktë dhe transparencë mbi mënyrën e prodhimit, përdorimin e pesticideve apo ruajtjen e standardeve higjieno-sanitare. Përveç aspektit të sigurisë, prodhimi vendas nxit zhvillimin ekonomik lokal, krijon vende pune dhe i jep vlerë produkteve tradicionale shqiptare, të cilat shpesh kanë cilësi dhe autenticitet që mund të certifikohen, njësoj si produktet DOP dhe IGP në Itali.
Në zonat rurale, shumë familje ruajnë zakone të shëndetshme si përgatitja e bukës në shtëpi, përdorimi i perimeve të stinës dhe ruajtja e produkteve me metoda tradicionale (si tharja, konservimi apo fermentimi). Megjithatë, në qytetet e mëdha, këto praktika janë zëvendësuar nga konsumimi i ushqimeve të përpunuara, shpesh me origjinë të paqartë dhe me standarde higjienike të diskutueshme.
Aktualisht vetëm një pjesë e vogël e produkteve shqiptare janë certifikuar dhe të gatshme për eksport. Sektori i frutave dhe perimeve ka bërë më shumë përparim, ndërsa produktet shtazore dhe të përpunuara përbëjnë ende një sfidë për shkak të kontrollit të pamjaftueshëm të zinxhirit të prodhimit dhe mungesës së laboratorëve të certifikuar.
Pavarësisht këtyre pengesave, ekzistojnë iniciativa që tregojnë potencialin e madh të Shqipërisë për të zhvilluar produkte vendase të njohura jashtë vendit. Me mbështetje institucionale, standardizim të prodhimit dhe përmirësim të kapaciteteve laboratorike, shumë nga produktet tradicionale shqiptare – nga frutat dhe perimet, te djathërat dhe mjalti – mund të bëhen konkurrentë të besueshëm në tregjet europiane dhe më gjerë.
Sipas raportimeve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), sfidat kryesore mbeten mungesa e inspektimeve të mjaftueshme, etiketimi i pasaktë dhe përdorimi i tepruar i pesticideve në disa kultura bujqësore. Kjo tregon se, përveç kuadrit ligjor që tashmë është përafruar me BE-në, nevojitet një ndryshim kulturor i qëndrueshëm — që fillon me edukimin e konsumatorit dhe përgjegjësinë e prodhuesit.
Në thelb, Shqipëria ndodhet në një pikë kyçe: ka një trashëgimi të pasur që mund të shndërrohet në vlerë ekonomike dhe kulturore, por kërkon ndërgjegjësim dhe strukturë institucionale të qëndrueshme për ta kthyer këtë potencial në realitet.
Kultura e ushqyerjes si themel i sigurisë ushqimore
Në të dy vendet, është e qartë se siguria ushqimore nuk është vetëm rezultat i teknologjisë apo rregulloreve, por produkt i kulturës së ushqyerjes. Një popull që e respekton ushqimin, nuk do të tolerojë lehtësisht mashtrime apo ndotje.
Në Itali, kjo kulturë është kultivuar përmes arsimit, traditës dhe mediave që promovojnë ushqimin lokal si pjesë të identitetit kombëtar. Në Shqipëri, kjo kulturë ekziston në kujtesën kolektive, por ka nevojë të ringjallet dhe të përforcohet me edukim ushqimor modern, që duhet të jetë pjesë e politikave publike, shkollave dhe mediave.
Kultura e ushqyerjes nuk kufizohet vetëm në gatim apo preferenca, por përfshin: etiken e prodhimit, pra mënyrën si trajtohet toka, kafsha apo produkti; Pa këto elemente, siguria ushqimore mbetet e brishtë dhe e varur vetëm nga kontrolli shtetëror, një mekanizëm që nuk mund të funksionojë i vetëm.
Europa: siguria ushqimore si politikë kulturore
Në nivel kontinental, Bashkimi Europian është sot zona me standardet më të larta të sigurisë ushqimore në botë. Sipas të dhënave të Autoritetit Europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) për vitin 2024, mbi 700,000 inspektime janë kryer në shtetet anëtare, dhe vetëm 1.8% e mostrave ushqimore kanë pasur mbetje të pesticideve mbi kufijtë e lejuar.
Në shumë vende, përfshirë Italinë dhe Francën, arsimi për ushqimin është pjesë e kurrikulave shkollore. Nxënësit mësojnë që në moshë të vogël për origjinën e ushqimit, sezonin e prodhimit dhe rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm. Kjo krijon një brez konsumatorësh që kupton se siguria fillon në tavolinë, jo në laborator.
Nga ndërgjegjja individuale te politika kombëtare
Kultura e ushqyerjes është më shumë se një zakon është pasqyrë e një shoqërie. Në Itali, ajo ka formuar një sistem të qëndrueshëm që garanton siguri, cilësi dhe besim. Në Shqipëri, ajo ruan ende potencialin për t’u bërë themel i një transformimi të ngjashëm, nëse kombinohet me arsimim, inovacion dhe politika të qëndrueshme.
Siguria ushqimore nuk lind në laboratorët shtetërorë, por në ndërgjegjen e qytetarit në mënyrën si blen, si ruan dhe si respekton ushqimin.
Nga ndërgjegjja individuale te politika kombëtare, siguria ushqimore në Shqipëri duhet të trajtohet si një përpjekje e përbashkët që fillon me zgjedhjet e konsumatorit dhe përfundon me përgjegjësinë e institucioneve.
“Ky artikull është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit ‘Mbështetje për edukimin mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri’, i cili po zbatohet nga Qendra për Ekselencë Destiny dhe Qendra TEAM. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.”











